Altin Lala, vetëm një pikë dhe një karton të verdhë ndaj Volfsburgut

Albania-Sport - Pas asaj humbjeje 0-1 të pësuar me Kombëtaren kuqezi në miqësoren e së mërkurës kundër Maqedonisë, mesfushori shtatshkurtër është kthyer menjëherë në klubin e tij, Hanover 96, i cili, të premten në mbrëmje nuk ka shkuar dot më larg se një barazim 2-2 në fushën e vet përballë Volfsburgut. Kapiteni shqiptar i Hanoverit ka luajtur gjatë të gjithë ndeshjes së të premtes, duke u ndëshkuar madje me një karton të verdhë.
Në fakt, miqtë nga Volfsburgu kanë goditur që në fillim, kur Klimovic ka gjetur rrugën e rrjetës pas vetëm 3 minutash lojë. Gjithsesi, vendasit janë kundërpërgjigjur në minutën e 22-të, kur Balitc ka barazuar rezultatin dhe, vetëm 3 minuta më pas, kanë përmbysur gjithcka në favor të tyre, me golin e shënuar nga Krzinovek. Por miqtë nuk dorëzohen dhe gjejnë golin e fitores me anë të Fahrenhostit, i cili finalizon me sukses në minutën e 62-të.
Asgjë nuk ka ndryshuar në rezultat në gjysmëorën e fundit të lojës, ndërsa Altin Lala është ndëshkuar me karton të verdhë nga gjyqtari Flaisher, në minutën e 72-të, pas një ndërhyrje të parregullt në dëm të gardianit të portës së Volfsburgut, Enke. Pas 21 javësh të këtij sezoni të Bundesligës, Hanover 96-a e Altin Lalës mban vendin e 8-të, me 27 pikë, ndërsa Volfsburgu mbetet 3 pikë prapa, në vendin e 10-të. Të shtunën dhe të dielën luhen 8 ndeshjet e tjera të kësaj jave të Bundesligës.