Bariç, trajneri i 18-të i Shqipërisë

"Bisedova me presidentin për 2 orë, - u shpreh Barici, - kam pranuar të vazhdoj me kushtet e kontratës të njëjta me ato të mëparshmet. Kontratën do ta firmosim para ndeshjes me Bjellorusinë". Trajneri i "rrëshqiti" përcaktimit të objektivave të sakta për eleminatoret e Botërorit 2010, duke argumentuar se "më parë duhet të presim skuadrat që do na bien në grup, nga shorti, dhe pastaj të flasim për objektivat".
Kroati 75-vjecar Oto Baric është rizyrtarizuar si trajneri i 18-të i Kombëtares shqiptare, duke qenë kështu tekniku i tretë i huaj radhazi që drejton përfaqësuesen kuqezi, pas italianit Xhuzepe Dosena dhe gjermanit Hans Peter Brigel. Baric, një ish-trajner i disa klubeve me emër në Europë, pranoi kontratën e reduktuar finaciare të ofruar nga Federata Shqiptare e Futbollit. Baric është trajneri më i vjetër në moshë në Europë që drejton një skuadër Kombëtare. Pas tij për nga mosha vjen trajneri i Spanjës, Luis Aragone (69 vjec). Baric, ish-trajner i kombëtareve të Austrisë dhe Kroacisë, bëhet kështu trajneri i pestë i huaj në historinë 61-vjecare të Kombëtares. I pari i huaj që ka drejtuar përfaqësuesen kuqezi ka qenë serbi Ljubisha Broshic (22.09.1946-13.10.1946, kampion i Ballkanit me Shqipërinë), hungarezi Miklosh Vadas, italiani Xhuzepe Dosena (12.10.2002-16.12.2002) dhe gjermani Hans Peter Brigel (29.03.2003-30.06.2006). Nga ana tjetër Baric bëhet trajneri i tretë kroat që drejton një skuadër futbolli në Shqipëri pas Luka Bonacic dhe Ivan Katalinic që drejtuan gjatë sezonit 2005-2006 Dinamon për disa javë.