Bariç, sërish trajneri i Shqipërisë

Oto Baric do të jetë sërish trajneri i Shqipërisë për fushatën kualifikuese të Botërorit 2008. Nga burime konfidenciale pranë presidentit të FSHF-së, Armand Duka, mësohet se kroati 75-vjecar ka pranuar reduktimin e rrogës së ofruar nga bosi i federatës shqiptare.
Edhe pse u mendua se takimi do të bëhej në rezidencën e Kombëtares, hotel "Adriatik" në Durrës, ai është bërë në selinë e kompanisë së presidentit Duka, "Aiba", duke shmangur edhe median.
Reduktimi i kontratës besohet se është në një të tretën e vlerës së kontratës së mëparshme, më pak sesa iu ofrua Brigelit në kontratën e refuzuar prej tij.
Trajneri aktual të Shqipërisë, i cili ka drejtuar në 10 ndeshje zyrtare dhe 4 miqësore në kuqezinjtë, është i pezulluar nga UEFA për të drejtuar dy ndeshjet e ardhshme të Kombëtares kundër Bjellorusisë në Tiranë (17 nëntor) dhe dhe Rumanisë në Bukuresht (21 nëntor), por dhe ndeshjen e parë pasardhëse, atë të kualifikueseve të Botërorit 2010.
Tashmë pas pranimit në parim të kontratës, Baric, i cili do të qëndrojë deri të dielën në Tiranë, është në pritje të mbërritjes së avokatit të tij, zoti Skënder Fani për të nëshkruar edhe zyrtarisht kontratën.
Duhet përmendur edhe një fakt, se prania e sllovenit Srecko Katanec, si kandidaturë alternative por dhe rroga e ulët mujore e ofruar nga Dinamo e Zagrebit (rreth 1900 euro në muaj), kanë ndikuar jo pak në pranimin e ofertës së reduktuar finaciare nga ana e Baricit.
Oto pas përfundimit të bisedimeve me Dukën ndoqi gjithë kënaqësi kryesfidën e javës së 8-të të Kategorisë Superiore, takimin Besa-Partizani (2-1), ku pa nga afër edhe dy nga lojtarët e thirrur së fundi nga ana e tij Andi Lilën (Besa) dhe Elis Bakajn (Partizani).
Bilanci i Baricit
Në 10 ndeshje zyrtare me Shqipërinë në kualifikueset e Euro 2008, Baric ka arritur 2 fitore (të dyja me Luksemburgun), 5 barazime dhe 3 humbje, duke qenë në vendin e katërt në Grupin G dhe më të gjitha mundësitë për të qenë në vazon e katërt në shortin e Botërorit 2010. Këto suksese nuk i ka arritur as kush më parë. Gjermani Brigel e mbylli aventurën e tij me Shqipërinë në vendin e pestë në grup dhe po në vazon 5 në shortin e Kampionatit Europian.