Sauk, festë për fëmijët e kopshtit
Në një nga kopshtet e rikonstruktuar në Sauk të Tiranës fundjava festohet ndryshe nga fëmijët, edukatorët dhe komuniteti i prindërve.
Koncerti i hapjes së sezonit veror, krijuar me recitimet e vetë fëmijëve 2 deri 7 vjeçarë, prania e kllounëve me tullumbace në forma shpendësh e kafshësh, si dhe shfaqjes me teatrin e kukullave, krijuan një dekor sa të gjallë edhe argëtues në ajrin e pastër. Piktura murale dhe muzika nëpërmjet pianos ishte e pranishme në këtë performancë dedikuar botës fëminore ose princërve dhe princeshave të vogla .
Edukatorja dhe punonjësja sociale Dajana Sula dhe drejtuesja Orjeta Jazexhi na zbulojnë faktin se anëtarët e kësaj familjeje të madhe në periferi të Tiranës, kanë avantazhin e mësimit të anglishtes disa ditë në javë si dhe këtë verë nuk do të largohen nga jeta e grupit dhe edukimi , por do të shkojnë në kampingun veror brenda kopshtit.
Festa fëminore plot ngjyra vijoi me vizitën e prindërve në katet e pallatit të "ëndrrave të fëmijëve" me oborrtare edukatoret dhe personelin kujdestar. Në fund fëmijët e pamoshë u afruan si me magji pranë skenës së teatrit të kukullave për të qeshur së toku me bëmat e Don Kishotit dhe Sanço Panços në vitet 2000.