E Diel, 1 Nëntor 2026

Barka: Nuk jam në dijeni të jetë mbledhur kryesia e PBDNJ-së

Ministri i Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, Kosta Barka, reagoi dje pas deklaratës së sekretarit të përgjithshëm të PBDNJ-së, se kryesia e kësaj partie i ka kërkuar Kryeministrit që të shkarkojë Kosta Barkën. Përmes një deklarate për mediat, Barka bën të ditur se «duke qenë se përveçse ministër, përfaqësues i PBDNJ-së në kabinetin e koalicionit qeverisës, jam edhe nënkryetar i PBDNJ-së, mosnjohja ime me këtë vendim të kryesisë së partisë (sigurisht nëse është vërtet i tillë) është me të vërtetë absurde. Si nënkryetar i partisë dhe si ministri për të cilin do të diskutohej, nuk jam ftuar në ndonjë mbledhje formale forumesh që të informohem dhe të shprehem për këtë çështje. Kjo nuk është një çështje personale dhe vendimet e forumeve të partisë nuk janë monopol i askujt”. Madje ai shprehet se është detyrë e forumeve të PBDNJ-së t’u japë përgjigje pikëpyetjeve të legjitimitetit përfaqësues të z. Solis dhe raporteve të tij me forumet, partinë, elektoratin dhe minoritetin.

Megjithatë, Barka ngre pyetjen se a do të ketë kosto elektorale për PBDNJ-në kjo situatë. «Përgjegjësinë e përgjigjes për këtë pyetje i takon ta marrin ata që provokojnë situata të tilla, mbrapa të cilave sigurisht fshihen qëllime kundër të gjitha interesave të PBDNJ-së dhe elektoratit të saj», - tha Barka.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›