E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kuvendi miraton ARMO-n dhe zbulon prapaskenat e sabotimit

Kuvendi ka miratuar dje kontratën e shitjes së kompanisë shqiptare të naftës ARMO me 58 vota pro, 7 kundër dhe 28 abstenime, por njëkohësisht, debati ka zbuluar edhe “prapaskenat” e sabotimit të privatizimit. Deputetët nisën debatin në lidhje me detajet e kontratës, por socialisti Pandeli Majko pyeti ministrin e Ekonomisë, Genc Ruli, “në lidhje me deklaratat mediatike të Kryeministrit për sabotatorin e ARMO-s”. Sipas Majkos, “kjo deklaratë duhet të shpjegohej më tej”. Ministri i Ekonomisë, Genc Ruli, pranoi se gjatë procesit ka pasur rrjedhje informacioni për shitjen e ARMO-s dhe se sabotatori kishte informuar edhe opozitën në lidhje me këtë proces. “Ai (sabotatori) ju informoi edhe ju në lidhje me heqjen e disa aseteve dhe ju e keni deklaruar edhe në Kuvend. Në fakt, ato asete u hoqën kohë më përpara. Ai u pushua nga puna”, - deklaroi ministri Ruli. Deputetët e opozitës heshtën pas deklaratës së ministrit Ruli, por i vetmi që reagoi më pas ishte deputeti i PSD-së Engjëll Bejtaj, vëllai i të cilit përflitet si “sabotatori” i këtij procesi. Bejtaj tha se ky ishte një inskenim për të mbuluar, sipas tij, probleme të tjera. Ai e cilësoi këtë ngjarje me prapavijë politike, si dhe paralajmëroi ministrin Ruli, se filozofia e “grupit armiqësor” ka qenë largimi i të mëdhenjve. “Kjo duket si reminishencë nga e kaluara dhe në rast se është e tillë, unë ia fal qeverisë, por në rast se është sajesë, për të justifikuar diçka tjetër, atëherë kjo është e pafalshme. Tani kujt mund t’i duhej kjo fabul? Komisioni nuk mund ta sajonte dot. Ministrit edhe mund t’i duhej, po kështu edhe Kryeministrit. Të deklarosh se ka pasur një grup puçist nuk është fare e lehtë, sepse në fund të fundit, skenarët e atëhershëm nuk shkojnë si ky i sotmi. E për me tepër kjo të përfundojë me një proces të rrjedhjes së informacionit. Do të thosha që ishalla të mos jetë ecuria si e dikurshme, sepse në atë kohë penalizohej një i vogël, por konkluzioni ishte se e hante një i madh, ose ministër, ose anëtar byroje”, - tha Bejtaj. Deklarata e deputetit socialdemokrat shkaktoi të qeshura në sallë, dhe reagimi i parë erdhi nga kryeparlamentarja Topalli, e cila u shpreh se “më duket se do ta hajë Skënderi (Gjinushi)”. Kreu i PDS-së, Skënder Gjinushi, u shpreh ndaj kësaj deklarate me të njëjtën filozofi si Bejtaj, por nga ana tjetër u shpreh se “në skenarët e dikushëm, e hante ndonjë anëtar byroje, madje edhe grua”. Deputetët e opozitës kërkuan më tej shpjegime në lidhje me vlerën e investimit. Sipas tyre, fillimisht në kontratë ishte shënuar 240 milionë euro investime, ndërsa në Kuvend po cilësohen si dollarë. Ruli tha se shifra ka qenë dollarë që në propozimin e parë, dhe mund të ketë qenë gabim njerëzor deklarimi i kësaj shifre si euro. Në deklaratën e tij, Ruli siguroi se kompania në fjalë do të sjellë të gjitha garancitë që kërkohen në këtë privatizim delikat dhe strategjik. ”Meqenëse palët u paraqitën si konsorcium, një nga format që tenderi e pranonte, do të thotë që në këtë rast të paktën njëra nga palët në konsorcium duhet të plotësojë kriterin financiar dhe vërtet kompania që siguronte kapitalin, xhiron dhe të gjitha garancitë financiare, ishte kompania “Mërkuria”, një nga palët në konsurcium, kurse kompania tjetër, “Texas rafinery”, plotësonte kriterin e eksperiencës teknike në industrinë e rafinerimit të naftës që të ishte jo më pak se tre vjet”, - deklaroi ministri i Ekonomisë.

ARMO, cilat janë kushtet e kontratës për kompaninë amerikane

Blerja e gjigandit shqiptar të ARMO-s nga konsorciomi amerikan "Rafinery Associated of Texas", do të hapë rrugën e një perspektive të re në tregun e naftës në Shqipëri. ARMO-ja aktualisht mbulon 25 për qind të tregut shqiptar të naftës në Shqipëri, vetëm në fatë D2. Investimi i parashikuar i amerikanëve me 240 milionë dollarë për 5 vite, do të bëjë të mundur shqimin e prodhimit si dhe cilësi të mirë. Sipas ekspertëve, nga nafta shqiptare, në rast se përpunohet sipas teknologjisë, mund të prodhohet edhe benzinë. Kjo do të bënë që Shqipëria të ishte një eksportuese e naftës cilësore si dhe njëkohësisht të përfitojë naftë me çmim të ulët për tregun vendas. Konsorciumi amerikan “Rafineri Asociated Antica Texas”, një nga 4 kompanitë pjesëmarrëse, ofroi për blerjen e 85% të aksioneve të ARMO-s, ofertën prej 127 milionë dollarësh, si dhe 240,5 milionë dollarë për programin e investimeve në 5 vitet e ardhshme në ARMO.

Nënkryetarja e Parlamentit Britanik, Silvia Hill: Shqipëria ka ndryshuar

Nënkryetarja e Parlamentit Britanik, Silvia Hill, përshëndeti dje Kuvendin e Shqipërisë ku theksoi se Shqipëria ka ndryshuar. Duke folur përpara deputetëve të Kuvendit, Hill, tha se “Shqipëria doli nga diktatura para më pak se 20 vitesh dhe ka bërë hapa të mëdhenj përpara qysh prej atëherë”. Ajo tha më tej se vendi ka një të ardhme të garantuar përpara. “Unë sot shoh një Shqipëri që është në prag të bashkimit në NATO dhe një Shqipëri që ka një Marrëveshje Asocim-Stabilizimi me Bashkimin Evropian, që është hapi i parë drejt një të ardhmeje në BE. Unë gjithashtu, shoh një Shqipëri që ka një ekonomi në lulëzim, me një kryeqytet gjithnjë e më modern. Dhe unë shoh një Shqipëri që luan një rol shumë te rëndësishëm moderues në rajon. Përgëzimet më të sinqerta për të gjitha këto”, - tha Hill. Kryeparlamentarja shqiptare u shpreh se shqiptarët do t’i jenë gjithnjë mirënjohës mbështetjes britanike. “Më lejoni që në emrin tuaj, duke shprehur simpatinë për vendin e saj, për mbështetjen dhe asistencën që Britania e Madhe i ka dhënë gjatë gjithë këtyre viteve Shqipërisë, duke kujtuar dhe një herë në mënyrë të veçantë, simpatinë që shqiptarët në Shqipëri dhe në Kosovë, kanë pasur dhe kanë për ish-kryeministrin Bler, por dhe për mbështetjen që qeveria aktuale po i jep Shqipërisë në proceset e saj integruese, t’i jap fjalën zonjës Silvia Hill”, - tha Topalli.

Vdekja e Trebickës, Kuvendi debaton

Vdekja e biznesmenit Kostra Trebicka ka nxitur debate në Kuvend. Deputeti i PD-së, Edi Paloka, u shpreh se reagimi i opozitës për këtë çështje është tërësisht politik dhe banal. Sipas Palokës, e gjithë kjo bëhet jo për pushtet dhe jo për qytetarët. “Ne kemi protestuar me muaj të tërë se na vidheshin votat në zgjedhje dhe na vriteshin njerëzit para selisë së PD-së, por nuk kemi protestuar për gjëra banale. Jemi deputetë dhe qytetarët kanë halle të tjera. Qytetarët nuk kanë ndërmend t'ju ndjekin ju (opozitën), se doni karriget e qeveritarëve. Vota është ajo që do ju japë pushtetin dhe jo dhuna. Vetëm me votë po arritët t'i mbushni mendjen shqiptarëve do ta merrni pushtetin, por nuk u dhatë shqiptarëve argumentet e duhura. Harrojeni se Berisha ikën nga pushteti me dhunë, por ikën vetëm me votë. Me këto mënyra, siç është ngjarja e Gërdecit, ju as në Gërdec nuk do t'i merrni votat", - tha Paloka. Nga ana tjetër, deputeti i PS-së, Andis Harasani, tha se qeveria nuk po mbron dëshmitarët e rëndësishëm. Deputeti tjetër Erion Braçe akuzoi drejtpërdrejt për këtë ngjarje qeverisë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›