E Shtunë, 31 Tetor 2026

Opozita; Protesta degjeneron në sherr për parullat

Organizatorët kishin menduar që të hiqnin flamujt e partive dhe të bënin protestë vetëm me mesazhe kundër qeverisë Berisha, por edhe kjo ide rezultoi të dilte jashtë kontrollit, pasi pankartat gjigante, sidomos të LSI-së, sollën xhelozinë e Partisë Socialiste. Kjo e fundit ia ktheu duke nxjerrë në shesh me dhjetëra flamuj dhe pankarta kundrejt pesë të tillave që kishte LSI-ja

Të dalësh dhe të bësh opozitë kundër qeverisë në shesh dhe të përfundosh duke bërë opozitë kundra njëri-tjetrit. Ky është mesazhi që përcolli protesta e djeshme e partive të majta e thirrur nga kryesocialisti Edi Rama. Pavarësisht përpjekjeve të ndonjë organizatori që mendoi të bënte një protestë ndryshe nga herët e tjera, ndryshimi i itinerarit të zakonshëm që jemi mësuar të shohim, e shtoi më shumë luftën për protagonizëm mes dy partive të majta, PS dhe LSI. Pikërisht, për shkak të këtij protagonizmi organizatorët kishin menduar që të hiqnin flamujt e partive dhe të bënin protestë vetëm me mesazhe kundër qeverisë Berisha, por edhe kjo ide rezultoi të dilte jashtë kontrollit, pasi pankartat gjigante, sidomos të LSI-së, sollën xhelozinë e Partisë Socialiste. Kjo e fundit ia ktheu duke nxjerrë në shesh me dhjetëra flamuj dhe pankarta kundrejt pesë të tillave që kishte LSI-ja. Pasi liderët e së majtës u bashkuan, në të djathtë të sheshit “Skënderbej”, ku fillon blloku i ministrive, filloi një luftë e fortë mes të rinjve të forumeve rinore të dy partive, aq sa për shkak të trysnisë së turmës që vinte pas, filluan të shtyrat deri edhe momente tensioni mes palëve. Është dashur edhe dhjetë minuta rrugë drejt Kryeministrisë që pankartat e dy partive të viheshin në rresht të barabartë që të qetësoheshin mbështetësit e të dyja palëve.

Por çuditë e kësaj proteste nuk mbaruan këtu. Nga cepi i godinës së Ministrisë së Mbrojtjes deri tek ura që bashkon bulevardin, të rinj të ndryshëm të shpërndarë në dy anët e bulevardit, iu bashkuan turmës, duke hedhur në tokë flamuj të PS-së, duke pajisur në këtë mënyrë protestuesit me flamuj të kësaj partie. Ky ishte rregulli i parë zyrtar i kësaj proteste që u shkel nga ana e PS-së, e cila kërkoi vetë që flamujt të mos ishin të pranishëm në manifestim. Pak metra më vonë, LSI-ja nuk ngurroi t’i përgjigjej me të njëjtën monedhë, duke i pajisur me shpejtësi të rrufeshme me flamuj të partisë së vet. Me afrimin te Kryeministria, ku pritej fjala e liderëve të së majtës, drejtuesit e protestës kërkuan me ngulm që të uleshin flamujt dhe pankartat se kështu pengohej komunikimi me qytetarët, por ajo çfarë ishte pengesa e vërtetë, ishte madhësia e pankartave të LSI-së me pankartat e PS-së. Megjithatë, edhe nga prania e kryetarëve të partive protestuesit u bindën.

Të ndarë

Protesta e djeshme tregoi edhe një herë se Rama dhe Meta janë të ndarë më shumë se kurrë. Meta, edhe pse pranoi të ishte pjesë e kësaj proteste, nuk iu bind krejtësisht motove hedhur nga PS-ja. Pankartat, që ishin thelbi i kësaj proteste, kishin një mesazh të qartë, se Meta doli në shesh për të larguar sa më parë Berishën. “Berisha ikën sot, nesër është vonë”, “Me Berishën nuk ka reforma, po viktima”, që në fakt tregojnë pikëpamjet e Ilir Metës për të bërë opozitë, ide që realisht nuk mbështeten nga PS-ja. Po kaq i ashpër Meta u tregua edhe në fjalimin që mbajti. Ai i kujtoi Edi Ramës ndryshimet kushtetuese, si dhe të ashtuquajturat reforma që pretendon të bëjë me Berishën. Në të kundërt me Metën, Rama nuk preferoi të prekë këto tema, por përsëriti tezat e tij për një politikë të re. Drejtuesi i lëvizjes G99, Erion Veliaj, ishte në krah të kreut socialist, Edi Rama, gjatë gjithë itinerarit të protestës. Ndërsa nga ana tjetër, qëndronte Gjinushi e Milo. Kreu i LSI-së kishte afër tij njerëz të partisë së vet, çka bëri që Rama dhe Meta të kishin një komunikim të vakët, gati inekzistent mes tyre.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›