E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi; Qeveria, më shumë vëmendje për veriun e Shqipërisë

Bamir Topi preferoi dje të kalojë një paradite të tërë mes banorëve të Pukës, me praninë e deputetëve të djathtë të veriut, për t’iu drejtuar me një apel të qartë qeverisë, të kthejë vëmendjen e saj në zonat e harruara të veriut të Shqipërisë. Kreu i shtetit mori pjesë në konferencën për zhvillimin e zonave malore në qytetin e Pukës dhe nga aty kërkoi prej qeverisë të kthejë vëmendjen nga zonat e harruara të veriut të Shqipërisë. “Ne, - tha ai, - kemi një mundësi shumë të madhe që zonat malore të veriut, dikur të harruara, sot dhe nesër do të kenë patjetër një aks të rëndësishëm, që është rruga që po ndërtohet, rruga që do të lidhë jo vetëm zona të harruara të veriut”. Por, - shtoi Topi, - patjetër një element shumë i rëndësishëm ky që do të lidhë Durrësin si një element terminal me Prishtinën, me Vardarin, për t’i dhënë një dimension tjetër tregut, qoftë edhe atij turistik. Unë jam i bindur që zonat e veriut do të kenë një zhvillim tjetër, do të jenë shumë afër me njëra-tjetrën, dhe patjetër që të gjithë aktorët e rëndësishëm e politikë, ku në mënyrë të veçantë do të thosha që bashkëpunimi midis pushtetit vendor dhe atij qendror, është substancial. Do të jenë të tilla që çdo qelizë e territorit të vendit tonë kudo që ajo të ndodhet, të ketë rëndësinë e saj të madhe”, - u shpreh z. Topi. Kundrejt kësaj, Presidenti premtoi se “do të jem gjithmonë një aktor aktiv, qoftë institucional, qoftë në planin personal për ta parë Shqipërinë të zhvilluar në çdo pjesë, në çdo metër katror të territorit të saj”. Duke u fokusuar tek elementët kryesorë, që kanë të bëjnë me vendndodhjen fiziko-gjeografike të veriut, Topi pohoi se mbi të gjitha duhen politika zhvillimore që pa dyshim kanë qenë dhe janë e do të jenë në vëmendjen e të gjithëve, të institucioneve. Z. Topi shprehu bindjen që zonat e veriut do të kenë një zhvillim tjetër. “Do të jenë shumë afër me njëra-tjetrën dhe patjetër që të gjithë aktorët e rëndësishëm e politikë, ku në mënyrë të veçantë do të thosha që bashkëpunimi midis pushtetit vendor dhe atij qendror, është substancial. Do të jenë të tilla që çdo qelizë e territorit të vendit tonë kudo që ajo të ndodhet të ketë rëndësinë e saj të madhe”, - deklaroi presidenti Topi. Gjatë vizitës në Pukë, Topi zhvilloi një takim me kryetarin e bashkisë më të cilin diskutoi problemet që hasen në këtë zonë. Më pas Presidenti vizitoi dhe panairin elektoral dhe blegtoral si dhe nderoi me medalje mirënjohjeje dy të rinjtë që hipën në majën e Malit të Bardhë në Francë, Mariglen Laçi dhe Mateo Begeja. Kreu i shtetit u ndal në komunën Gomsiqe dhe vijoi nën një atmosferë festive në qytetin e Pukës. Presidenti shoqërohej nga kryetari i bashkisë, Rrustem Struga, nga nënprefekti i qytetit, Dedë Përshpali, deputetë të zonës, Rexhep Uka, Sali Shehu, Nard Ndoka, Aleksandër Biberaj, Frrok Gjini, Gjovalin Prenga, Idriz Xhomara, Qemal Minxhozi dhe Flamur Hoxha, përfaqësues të tjerë të pushtetit vendor, si dhe nga banorë të qytetit. Në takimin e zhvilluar në ambientet e Bashkisë së Pukës, Presidenti Topi u njoh me problemet kryesore që preokupojnë këtë pjesë veriore të vendit. Kryetari i shtetit ka qenë i pranishëm në ceremoninë e çeljes së panairit agro-ushqimor me produkte të zonës, duke u përshëndetur nga afër me fermerët, të cilët kishin ekspozuar produktet e tyre karakteristike të zonës, duke u interesuar me detaje për punën dhe vështirësitë e tyre. Presidenti Topi mori pjesë më pas në punimet e konferencës “Mbi zhvillimin e zonave malore, potencialet dhe perspektivat”, e organizuar në Pallatin e Kulturës së qytetit të Pukës, një iniciativë kjo e Forumit të Zonave Malore dhe grupit të deputetëve të zonave malore.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›