Të vegjlit, presion PD-së për tryezë
Demokratët vihen sërish nën presionin e aleatëve të tyre, pasi pritet që ata të dalin me propozime konkrete për zgjedhjet e reja, duke pretenduar lëshime të tjera nga ana e PD-së. Në rast se nuk merren parasysh nga partia në pushtet, të vegjlit e djathtë paralajmërojnë se do të dalin të vetëm në 2009-ën. Të parët janë demokristianët, ata që të cilët vënë kushte, ndërkohë që dje iu bashkëngjitën edhe liberaldemokratët. Kështu, Ndoka e Starova nuk ngurojnë të deklarojnë se nëse kërkesat e tyre nuk njihen nga PD-ja, ata do të dalin të vetëm në zgjedhjet parlamentare të vitit të ardhshëm. Gjithsesi, PD-ja është e hapur për negociata me të vetët dhe pikërisht mësohet se kjo është arsyeja që ka shtyrë dhe mbledhjen e tryezës së koalicionit qeverisës. Por, ende nuk ka një datë të saktë se kur do të mblidhen krerët e koalicionit dhe shtysa për përshpejtimin e saj ngjan të jetë çështja e reformës zgjedhore. Një tjetër arsye që po vonon takimin e të djathtëve, nga brenda PD-së, bëhet e ditur se është dhe axhenda e ngjeshur e liderit Sali Berisha, e cila është ndërthurur edhe me turin “Shqipëria po ndryshon” nëpër të gjitha rrethet e Shqipërisë. Megjithatë, duket se kjo është një kohë e volitshme për partitë e aleancës së djathtë që të hartojnë të gjitha kërkesat që do t’i adresojnë Partisë Demokratike. Ndaj, duket se LSI-ja nuk është e vetme në kërkesën e saj për korrigjim kombëtar të sistemit zgjedhor, pasi në kampin e djathtë edhe demokristianët apo liberaldemokratët kërkojnë nga z. Berisha korrektimin e proporcionalit rajonal. Në këtë mënyrë, edhe ky vit i ri elektoral nuk do të ndryshojë shumë nga periudhat e tjera parazgjedhore dhe se negociatat mes partive të koalicionit të djathtë mund të hasin vështirësi. Nard Ndoka kërkon garanci për barazvlershmërinë e votës në zgjedhjet e reja, si dhe mbledhjen e tryezës së përbashkët të koalicionit të djathtë për çështjen e reformës zgjedhore. Sipas tij, është koha për të unifikuar qëndrimet e të gjithë spektrit të djathtë, pasi po afrojnë zgjedhjet e reja parlamentare. Në kushte të tilla, z. Ndoka gjykon si domosdoshmëri nisjen e konsultimeve për reformën e re elektorale. Në të kundërt, ai ka gati formulën e daljes të vetëm të PDK-së në zgjedhjet e reja. Edhe Arian Starova shpreh nevojën e mbledhjes së aleancës së djathtë teksa pohon: “Ne do të dalim në zgjedhjet e ardhshme parlamentare në një koalicion me bazë të gjerë me PD-në, por gjithnjë duke marrë parasysh dhe kërkesat tona”.