E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tërhiqet PS: Të hapur për mocion ndaj Berishës

Partia Socialiste bën një hap prapa dhe pranon të diskutojë opsionin e një mocioni të së majtës për shkarkimin e Kryeministrit Berisha. Një ditë pas takimit të dështuar mes krerëve opozitarë, kryetari i PSD-së, Gjinushi, përmendi një prej opsioneve se si mund të largojnë kreun e qeverisë, ide të cilën Meta e mbështeti edhe pse mbetet skeptik për realizmin e kësaj ideje, sidomos pas ndryshimeve kushtetuese. Surprizë është qëndrimi i socialistëve, të cilët ndryshe nga një ditë më parë kur mohuan kategorikisht të merren me çështje të shkarkimit të Berishës, dje u shprehën se janë të gatshëm të diskutojnë idenë e hedhur nga aleatët e vet. Një tërheqje e Partisë Socialiste ndaj aleatëve të saj, ndërsa pret që sot të zbresë në shesh dhe të protestojë për siguri dhe drejtësi. Qëndrimi i ashpër dhe i prerë kundër asaj çfarë kërkuan aleatët, çoi në zero mundësinë që Ilir Meta të jetë i pranishëm në protestën e sotme. “ǒvlerë ka të bësh një protestë që nuk ka qëllim largimin e Berishës”, - është shprehur Meta pardje në mbrëmje. Megjithatë, e majta vazhdon ende të mbetet konfuze dhe e paqartë në qëndrimet e saj.

Mocioni

Skenari i mundësisë për një mocion shkarkimi është diskutuar në takimin e dy ditëve më parë, por përgjigja e Edi Ramës rrëzoi vënien në jetë të tij. Duke parë pasojat e deklaratës së Edi Ramës, duket se PS-ja vendosi t’u japë një mundësi propozimeve të Metës dhe Gjinushit, si e vetmja mundësi që të paraqesë një opozitë të bashkuar sot në shesh. Kryetarja e grupit parlamentar socialist, Valentina Leskaj, tha dje se të gjitha opsionet që vijnë nga aleatët, PS-ja është e gatshme që t’i diskutojë. “Të gjitha opsionet janë në tavolinë dhe ne jemi të hapur për të diskutuar çfarëdolloj propozimi që mund të sjellin aleatët tanë. Do të thotë që procesi që filloi dje me tryezën, nuk është një proces i mbyllur. Ne jemi të hapur për çdo lloj propozimi dhe afrimi që ata mund të kenë”, - tha Leskaj.

Ndërsa kreu i LSI-së, Ilir Meta tha se e mbështet një ide të tillë, por mbetet skeptik, kjo pas ndryshimeve kushtetuese. “Ne mbështesim fuqimisht çdo mocion shkarkimit. Duam t’ju kujtomë që të gjithë opozitarët, të cilët për fat të keq votuan në 21 prill ndryshimet kushtetuese me Berishën, se sot është shumë herë më e vështirë se përpara 21 prillit, për të hequr Berishën, sepse me ndryshimet që u bënë 21 prill, para se të bëhen 71 vota për të hequr Berishën, duhen të gjenden njëherë 71 vota se kush do të zëvendësojë Berishën”, - deklaroi Meta, i cili kërkon kalkulime më të hollësishme për mocionin. Ajo çfarë kërkon LSI-ja është që opozita të detyrojë Kryeministrin të largohet dhe shembull për këtë merr rastin e zgjedhjeve vendore kur opozita në bllok detyroi mazhorancën të shtyjë zgjedhjet. Gjinushi është më i bindur se mund të arrihet në një mocion shkarkimi, por kjo duke shtuar rolin e popullit dhe bashkimin e opozitës. Në këtë pikë ai mendon se lufta në Parlament dhe protesta në shesh janë mundësitë për largimin e Kryeministrit. Nga ana tjetër, ai arsyetoi edhe qëndrimin e PS-së për të mos bojkotuar Parlamentin, duke u shprehur se largimi nga Parlamenti nuk është i vetmi mjet dhe është tjetër gjë metodat që duhen përdorur. “Ne e mirëpresim dhe patjetër e nxisim, sepse është minimalja që mund të bëjë një Parlament normal. Pra, nëse i kërkojmë që edhe populli të ketë rolin e vet, por opozita me popullin, gjithmonë në rast krizash duhet të rakordojnë, sepse edhe opozita duhet të japë kurajën e duhur, ndërgjegjësimin e duhur se ku është e keqja dhe si korrigjohet, por edhe njerëzit duhet të dinë të kërkojnë të drejtën e tyre, por jo një herë në katër vjet, por atëherë kur është e nevojshme për vendin”, - deklaroi Gjinushi.

Skema e opozitës:

Dy ditë më parë, krerët e opozitës, kryesisht mbështetësit e largimit të menjëhershëm të Kryeministrit Berisha, diskutuan një skemë se si mund të arrihet mocioni i shkarkimit. Burime nga tryeza thanë se është propozuar që opozita të bashkonte votat e veta dhe do të hynte në tratativa me PBDNJ-në, PDK-në si dhe të ashtuquajturin grupin e deputetëve demokratë, mbështetës të presidentit Topi.

Edi Rama tha të mërkurën:

“Ne s'mund të mbetemi peng tek kërkesa për dorëheqjen e tij e të marrim me këmbët tona rrugën e vjetër të një konflikti tradicional të cilin gjithnjë e ndez politika e interesave personale e partiake dhe e paguan Shqipëria, e paguajnë familjet shqiptare, e paguajnë fëmijët e Shqipërisë”

Valentina Leskaj dje:

“Të gjitha opsionet janë në tavolinë dhe ne jemi të hapur për të diskutuar çfarëdolloj propozimi që mund të sjellin aleatët tanë. Do të thotë që procesi që filloi dje me tryezën nuk është një proces i mbyllur. Ne jemi të hapur për çdo lloj propozimi dhe afrimi që ata mund të kenë”

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›