Kosovë, burime pranë kryeministrit: Pavarësia, më 17 shkurt
Kosova do të shpallet e pavarur më 17 shkurt. Kështu bën të ditur agjencia e lajmeve italiane “ANSA” nga burime pranë kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi. Kjo datë është përmendur shpesh, - citon ANSA edhe nga shtypi kosovar, ku shpesh është përmendur data 17 shkurt si më e mundshmja për shpalljen e pavarësisë. ANSA ka cituar gjithashtu shtetet që do të njohin të parat pavarësinë e Kosovës. Ato do të jenë SHBA-të dhe shumë vende të tjera të BE-së. Kryeministri Thaçi dje është shprehur se pavarësia e Kosovës është çështje e kryer dhe tani kërkohet vetëm përfundimi i përgatitjeve për të. “Ne jemi duke investuar dhe punuar maksimalisht si autoritet i qeverisë së Kosovës me gjithë formacionin politik të vendit dhe në bashkëpunim të ngushtë me Uashingtonin dhe Brukselin, por me përgjegjësinë tonë më të lartë të institucioneve vendore dhe në bashkëpunim të ngushtë me autoritetet lokale dhe në mirëkuptimin më të lartë të qytetarëve të Kosovës që dita e vendimit për shpalljen e pavarësisë së Kosovës të jetë një ditë e festimit dinjitoz”, - është shprehur kryeministri kosovar menjëherë pas mbledhjes së djeshme të qeverisë. “Puna e pavarësisë së Kosovës tashmë është e kryer. Kërkohet vetëm përfundimi i të gjitha detajeve më të vogla të përgatitjeve që jemi duke bërë. E gjithë qeveria e Kosovës është e angazhuar maksimalisht dhe të gjitha institucionet e Kosovës janë të angazhuara me përkushtimin më të madh për përfundimin e këtij procesi”, - theksoi Thaçi. Kryeministi kosovar nuk ka pranuar të komentojë asnjë nga deklaratat kundër pavarësisë duke u shprehur se ai do të vazhdojë të punojë me të gjithë ata që punojnë për pavarësinë. “Mund të ketë zëra për shtyrje në Beograd, por në Uashington, Bruksel dhe në Prishtinë gjithçka është e përfunduar”, - u shpreh kryeministri Thaçi.
8 Shkurt 2008