E Diel, 1 Nëntor 2026

Frika nga trazirat ruse në Shqipëri, Perëndimi zbutet me Enver Hoxhën

Gazeta amerikane rrëfen gjendjen në Shqipëri në vitin 1950. Tërheqja e SHBA-ve dhe Britanisë ndaj regjimit komunist dhe refuzimi i kërkesës së Enver Hoxhës për ta pranuar diplomatikisht njohjen e regjimit prej tyre. Lojërat e shumëfishta që po bënte
C.L. Sulzberger

STAMBOLL – Ka shenja të forta se politika anglo-amerikane në drejtim të shtetit shqiptar, marionetë e sovjetikëve, ka ndryshuar përkohësisht gjatë muajve të fundit dhe në vend të dëshirës për përmbysjen e qeverisë satelite të Enver Hoxhës, ajo është duke u mjaftuar, duke e parë regjimin komunist në vazhdimësi në mënyrë zyrtare. Megjithatë, ajo ka dëshmuar se në tërësi Uashingtoni ose Londra, që kanë koordinuar pikëpamjet e tyre, dëshirojnë ta shikojnë regjimin e Tiranës të rritet si një kështjellë. Sigurisht, që në mënyrë thelbësore Aleatët Perëndimorë nuk kanë simpati për administratën “Hoxha”. Megjithatë, në këtë moment ka frikë se çdo lëvizje për rrëzimin e regjimit shqiptar, - nëse nxitet ose jo nga Perëndimi, - mund të përdorej nga Moska si një justifikim që të shkojë ta shpëtojë atë dhe të akuzojë Jugosllavinë se është duke parë mundësinë e gllabërimit të shtetit të vogël fqinjë dhe, më pas, të ndërmarrë një veprim të dhunshëm kundër kryetarit të shtetit të Jugosllavisë, mareshallit Tito.
Prandaj, me siguri, Perëndimi dëshiron të shmangë mundësinë e një lufte botërore, që po dëgjohej se mund të shkaktohej nga të tilla veprime. Ai do të duket se është tani në mënyrë të veçantë i kujdesshëm të shikojë një ndryshim në situatën delikate shqiptare.
Nëntorin e kaluar, dy ekipe emigrantësh shqiptarë kishin zbarkuar në bregdetin shqiptar.
Detyra e tyre ishte që të merrnin një radio në brendësi të malësisë dhe të vendosnin komunikimet midis lëvizjes së rezistencës kundër Enver Hoxhës dhe komiteteve të emigrantëve.
Mblidhen agjentët
Këta agjentë ishin rrethuar në mënyrë të menjëhershme dhe ishin qëlluar nga policët e zotit Hoxha dhe Mehmet Shehut. Ata ishin trajnuar në Maltë dhe Korfuz.
Ajo që thuhet është se Gani Bej Kryeziu, shefi i Komitetit Politik Shqiptar të Emigrantëve në Jugosllavi, në mënyrë të parakohshme kishte hyrë fshehurazi përmes kufirit malor që të fillonte agjitacionin në radhët e fiseve malësore të veriut të vendit. Agjentët kishin zbarkuar të parët aty, ku mendohej të bëhej kontakti me të, por dështuan. Pastaj, ai u rikthye në Jugosllavi. Megjithatë, ajo që dukej të mos ishte e vërtetë është se qarqe shqiptare kishin thashethemuar se ai pastaj vrau kolonel Bajraktarin, gjasme shefi i një komiteti ushtarak në Jugosllavi. Këto fakte kishin bazë në të dhënat e brendshme. Kjo përpjekje dukej të kishte qenë tentativa e fundit me dhunë për të përmbysur regjimin Hoxha. Parashikohej se ministri i Brendshëm Mehmet Shehu dhe agjentët shqiptarë, që ishin më të besuarit e Bashkimit Sovjetik, ishin ankuar se një operacion sekret, i përgatitur në Itali dhe i dërguar me parashutë në thellësi të Shqipërisë, kishte arritur me sukses të kryente vrasjen politike të sekretarit të Partisë Komuniste në Rrethin e Mirditës.
Moska kishte vendosur në mënyrë të moderuar një kontroll të qëndrueshëm në të gjithë vendin e vogël satelit të saj, buzë Adriatikut. Bosi është ministri sovjetik, Dimitri Çuvakin, i cili flet në nënyrë të shkëlqyer anglishten, pasi kishte shërbyer në Uashington.
Mehmet Shehu, udhëheqësi i besuar
Në mënyrë të qartë, zoti Mehmet Shehu është udhëheqësi shqiptar më i besuar. Ai është një shtetas sovjetik dhe i diplomuar në Akademinë Ushtarake të Moskës.
Në krahun e djathtë të zotit Çuvakin janë gjeneralmajor N.J. Pavlov, shefi i misionit udhëzues ushtarak dhe koloneli Nikolai Vasiliev, shefi i grupit policor.
Pas një stuhie të vazhdueshme thashethemesh, të përqendruara në ndërhyrjen ruse të Shqipërisë, të tilla si, një bazë ushtarake që pretendohej se ndodhej në grykë të Adriatikut, ajo që duket është se të tilla informacione kanë qenë të ekzagjeruara, - mundësisht të nxitura me paramendim nga Moska.
Ka të dhëna të pakta thelbësore që konfirmojnë historitë se Bashkimi Sovjetik kishte ndërtuar një bazë të madhe detare në Gjirin e Vlorës ose se kishte fortifikuar në mënyrë të rëndë Ishullin e Sazanit.
Për këtë, do të duhet një rishqyrtim i fakteve nëse kishin qenë me vend. Enver Hoxha për veten e tij nuk është i sigurt në të ardhmen. Në pranverën e vitit 1949, ai, në mënyrë sekrete, i kërkoi Britanisë dhe Shteteve të Bashkuara që t’i pranojnë atij njohjen e re diplomatike. Por kjo ishte refuzuar. Ka disa mosmarrëveshje në radhët e palëve të interesuara në lidhje me Shqipërinë. Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britania dhe Italia janë përqendruar që të mos ketë një të tatëpjetë këtu, pasi kjo do të shërbejë si një justifikim për Jugosllavinë dhe Greqinë që të ndërhyjnë dhe të copëtojnë vendin.
Italia, e gëzuar për situatën
Italia, e cila nuk dëshiron të shikojë ndonjë fuqi tjetër që të vendosë këmbën në këtë bazë të rëndësishme gjeografike, duket e gëzuar të shikojë Enver Hoxhën që të vazhdojë të balancojë në mënyrë të pafuqishme veten, pasi ndodhet në majën e një vullkani të mundshëm. Praktikisht, Jugosllavia është e shqetësuar teksa shikon Greqinë që heq dorë nga pretendimet e saj për Epirin e Veriut, për të cilin Beogradi beson se në rastin e kundërt kjo do të kalojë në mbështetje të brendshme për Enver Hoxhën.
Tani, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britania duket se ndiejnë se çdo revoltë në Shqipëri mund të shërbejë si një fije shkrepseje për t’i vënë flakën Ballkanit që tradicionalisht ka qenë një fuçi baruti.
Ata duket se e kuptojnë se ajo që mbetet më e mira për Shqipërinë është se duhet ta bëjë çomlekun me ato që i ka dhënë Zoti. Vendi, përherë i varfër, praktikisht është duke vdekur me “barkun bosh”, me ato pak përfitime që të jep hegjemonia sovjetike.
Megjithatë, ajo që duket për momentin është se klanet shqiptare nuk janë duke u nxitur që të dalin kundër diktaturës ekzistuese, ku të paktën, po aq larg, po qëndron edhe Perëndimi.
Në qoftë se do të ndodhë ndonjë lëvizje kryengritëse, ajo që do të jetë plotësisht e mundshme është se mund të jetë inspiruar tradhtisht nga Moska, si një justifikim për të akuzuar mareshallin Titon (si një “Deus ex Machina) dhe si një shans që të veprojnë kundër një provokacioni të Jugosllavisë.
Megjithatë, nëse ndonjë shpërthim ndodh këtë vit në Shqipëri, dhe ai është potencialisht gjithmonë një vend shpërthyes, ka më tepër gjasa se ajo do të jetë një skemë mashtruese e aranxhuar nga Moska më tepër sesa e nxitur nga Perëndimi, gjasme që të ndihmojnë elementët vendas për të shkundur zgjedhën e Kremlinit.

Shkrimi është publikuar në “The New York Times” më 27 mars 1950
Titulli është redaksional
Përgatiti: Albert Gjoka

Në numrin e së shtunës do të lexoni:

Si e “pushtuan” Shqipërinë 3 mijë zyrtarë rusë në vitin 1950

Mbërritja në Shqipëri e ushtarëve dhe zyrtarëve rusë, të cilët zunë vendin e ekspertëve jugosllavë

Reformat dhe skemat që nisën të aplikojnë ekspertët civilë sovjetikë në të gjithë vendin që në fillimin e viteve ‘50

“Pushtimi” i të gjithë sektorëve të ekonomisë kombëtare nga rusët dhe mënyra se si e përdorën për interesat e tyre

Për më shumë, na ndiqni në numrin pasardhës

8 Shkurt 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›