E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjyqi i dënon “parashutistët” si spiunë të imperializmit

Në gazetën “Zëri i Popullit” të 7 qershorit 1950 është botuar vendimi i Gjykatës së Lartë Ushtarake
Kishin hyrë ilegalisht në Shqipëri dhe synonin të organizonin kryengritjen për përmbysjen e pushtetit të Hoxhës. Megjithatë, pjesa më e madhe e atyre që guxuan ta bënin këtë gjë ranë në rrjetën e Sigurimit të Shtetit, i cili informohej rregullisht për veprimet e agjenturave të huaja, që planifikonin operacione të tilla. Shtypi i kohës nuk kishte se si të mos pasqyronte gjyqet e fakirëve që kapeshin dhe diskreditoheshin në opinion. Një i tillë është edhe gjyqi ndaj të pandehurve Et’hem Çako, Kasem Zhupa dhe Llukman Lytfiu.
Ja çfarë shkruhet në numrin e 7 qershorit 1950 të gazetës “Zëri i Popullit”
Programi, planet dhe synimet e Ballit, ashtu si të gjitha programet e grupeve të kriminelëve shqiptarë: legalitetit, bllokut indipendent dhe Partisë Agrare paraqiten në forma të maskuara, por nga zhvillimi i këtij procesi gjyqësor u bë e qartë se këta në realitet drejtohen kundër indipendencës së atdheut dhe integritetit tonë tokësor. Bashkëpunimi i krerëve tradhtarë Mitat Frashëri më parë, Hasan Dostit, Lec Kurtit, Zef Palit, Vasil Andonit, Ali Këlcyrës e të tjerë në spiunazhin amerikan dhe të shteteve të tjera në spiunazhin amerikan dhe të shteteve të tjera fashiste, hyrja e tyre në shërbim direkt të këtij spiunazhi dhe deklaratat e tyre për copëtimin e Shqipërisë siç i ka thënë krimineli Hasan Dosti të pandehurit Et’hem Çako; “Korçën dhe Gjirokastrën ia kemi bërë hallall Greqisë”, vërtetojnë këtë atentat kriminal që i bëhet vendit tonë nga imperializmi amerikan dhe këlyshët e tij me anën e kriminelëve shqiptarë të luftës. Në fund të vitit 1945, me urdhër të Hendersonit kanë shkuar në kampin Santa Maria di Leuka spiuni englez Herbert dhe dy oficerë amerikanë për të udhëzuar organizatën tradhtare të Ballit në punën e saj armike. Në deponimet e tij i pandehuri Et’hem Çako tha: “Programi ynë ndahej në dy pjesë; pjesa e parë parashikonte një fushatë të madhe propagandistike kundër qeverisë së Tiranës dhe pjesa e dytë përgatitjen ushtarake dhe krijimin e bandave për t’u hedhur në Shqipëri”. Për të realizuar këtë program kriminal, në gjirin e Komitetit Qendror u formuan dy komisione; i pari për të drejtuar propagandën plot shpifje dhe helm kundër popullit dhe qeverisë tonë dhe i dyti për të përgatitur ushtarakisht këta kriminelë dhe dërgimin e bandave në Shqipëri. Nën drejtimin e amerikanëve komisioni i propagandës organizoi redaksinë e Ballit dhe për Bllokun Indipendent Ministria e Brendshme Italiane nxori leverën “L’Albania Libera”. Në këto fletore kanë shpifur kundër popullit dhe Luftës sonë Nacional Çlirimtare të udhëhequr nga Partia Komuniste Shqiptare; prapa këtyre shpifjeve kanë fshehur fytyrën e tyre kriminale dhe bashkëpunimin me okupatorët fashistë dhe spiunazhin englez gjatë Luftës Nacional Çlirimtare. Kanë paraqitur luftën heroike të popullit tonë kundër okupatorëve si luftë të tyre dhe të bërë nga këta armiq që bashkëpunuan me okupatorët deri në fund dhe që sot pararoja e këtyre organizatave armike banda kriminale e Et’hem Çakos u dërgua nga spiunazhi amerikan për të minuar Republikën tonë Popullore. Këto fletore plot shpifje kundër vendit dhe qeverisë sonë i dërguan kudo në shtetet e Perëndimit për të hapur propagandën e tyre gënjeshtare dhe tradhtare, veçanërisht në ato të Amerikës për të çarë unitetin moral dhe politik të këtyre shqiptarëve dhe për t’i shkëputur nga dashuria që tregojnë ata për Atdheun e tyre, Partinë e Punës të Shqipërisë dhe udhëheqësin e saj Gjeneral- Armate Enver Hoxhën. Bashkë me këtë fletore plot shpifje nisën edhe bandën e spiunëve kudo, që të shoqërojnë me gojë këtë fushatë shpifarake dhe plot helm që shkruhej në këto levere kundër vendit tonë. Për këtë punë në fund të vitit 1945 u dërguan në Amerikë Stavri Akendi, dhe më vonë Xhevat Kallajxhiu, Eqerem Peshkopia, Telat Karagjoi, Faik Quku, Luan Dosti etj. Paralelisht me këto detyra banda e spiunëve që shkoi në Amerikë kishte për mision të shtinte në dorë redaksinë e gazetës “Liria” (organ i shqiptarëve përparimtarë të Amerikës) dhe në rast të kundërt me urdhër të amerikanëve ta mbyllin këtë redaksi. Krahas me këtë fushatë të madhe shpifjesh kundër vendit tonë krimineli Mitat Frashëri me urdhër të Hendersonit dërgoi pranë Komisionit Hetimor në Greqi kriminelët Abaz Ermeni, Muharrem Bajraktari, Hysni Dema, Alush Leshanaku dhe Preng Previzi që të shpifin para komisionit kundër qeverisë Shqiptare. Në këtë kohë krimineli Mitat Frashëri në marrëveshje me funksionarin e Legatës greke në Romë Kosta Himarjos hartoi planin e shpifjeve dhe provokacioneve kundër vendit tonë. Kryespiuni amerikan Mitat Frashëri dërgoi të pandehurin Et’hem Çako në Legatën greke në Romë dhe së bashku me Kosta Himarjosin dhe Jani Gjikën përgatitën legjendën mbi ndihmën e Ushtrisë Demokratike greke nga qeveria jonë dhe bazat e saj të furnizimit në Virua të Gjirokastrës, në Kala të Libohovës, në Opsadhën e Poganit shqiptar. Kjo vepër e poshtër e mashtruese që u përgatit në Legatën greke në Romë nga Et’hem Çako dhe Kosta Himarjos me urdhër të Hendersonit u shërbeu monarko-fashistëve grekë si një dokument autentik për t’ia paraqitur komisionit hetimor. Për të forcuar dhe zhvilluar më tepër fushatën e shpifjeve kundra qeverisë dhe popullit tonë, imperializmi amerikan vuri në shërbim të këtyre organizatave armike Radio Londrën, Romën, Athinën, Barin dhe së fundi në dispozicion të kryeagjentit Mitat Frashëri Radio Amerikën dhe Radio Beogradin, që shpifin me cinizëm pa pushuar kundër Republikës Popullore të Shqipërisë. Imperializmi amerikan, fashizmi italian dhe kriminelët internacionalë, të tmerruar nga një fitore e Partisë Komuniste italiane përgatitën një grusht shteti në eventualitetin e fitores së Partisë Komuniste Italiane. Së bashku me miqtë e tyre të vjetër dhe bashkëpunëtorë në krime. Brenda në kampet e këtyre organizatave kriminale ka kryqëzuar punën spiunazhi italian, englez, jugosllav, grek dhe në krye të gjithëve spiunazhi amerikan. Me anë të rrjetit të tyre kanë kontrolluar qëndrimin e çdo krimineli kanë luftuar çdo tentativë riatdhesimi të shfaqur nga ata më pak të rrezikshëm dhe kanë kërcënuar burgosur e torturuar çdo njeri që shfaqte këtë dëshirë. Me gjithë antagonizmat që ekzistonin midis spiunazheve të huaja me urdhër të Hendersonit dhe simbas udhëzimeve të ekspertit për kriminelët e luftës të Ballkanit, Sttivens, u mblodh në Torino në 1948-n. Konferenca e këtyre organizatave kriminale për ta për ta shkrirë në një të vetme. Nga kjo konferencë dolli që Komiteti Qendror i ri me detyrë që të vazhdojë fushatën e shpifjeve dhe të provokacioneve kundër Republikës Popullore të Shqipërisë më me furi. Një punë të madhe dhe kriminale bëri Komisioni Ushtarak në bashkimin e të gjitha këtyre bandave dhe i hodhi në luftë diversioni, spiunazhi kundër Republikës tonë Popullore. Pas marrëveshjes së krerëve të Ballit me të dërguarin e Ministrisë së Brendshme greke në Romë, Vangjel Qirko, Greqia monarko-fashiste përgatiti bazat në Follorinë, Kostur, Janinë, Korfuz dhe ju ofroi të gjithë ndihmën morale dhe materiale këtyre banditëve. Nga të gjitha këto përpjekje të poshtra dhe këto plane kriminale të përgatitura nga imperializmi amerikan dhe këlyshët e tij, për rrëzimin e pushtetit popullor dhe copëtimin e Shqipërisë, dështuan me turp para unitetit politiko-moral të popullit tonë dhe ndihmës së madhe dhe të paçmueshme që na jep mbrojtësi i popullit tonë, Bashkimi i lavdishëm Sovjetik. Pas zbulimit të tradhtisë së klikës fashiste të Beogradit imperializmi \amerikan dhe këlyshët e tij përgatitën plane të reja dhe ndërmorën më me kurajë aksione të reja më të mëdha kundër Republikës Popullore të Shqipërisë.
Kush i pranoi në organizatat e spiunazhit?
Garanci për t’i pranuar të pandehurit në shërbim të spiunazhit amerikan kanë qenë krerët e Ballit dhe e kaluara e tyre e zezë, që është e rënduar nga një varg krimesh. Vetëm kriminelët e luftës, ata më të rrezikshmit, mund t’i vlejnë imperializmit amerikan në zbatimin e planit të tij kolonizator dhe luftëdashës kundër vendit tonë. Të tillë u gjetën të pandehurit Et’hem Çako dhe Kasem Zhupa. I pandehuri Et’hem Çako ka qenë dhe komisar çete dhe komandant batalioni i Ballit tradhtar, ka qenë komandant i policisë gjermane në Delvinë. Në krye të këtyre bandave kriminale të Ballit Kombëtar ka udhëhequr në vrasje, djegie dhe plaçkitje të popullit të pafajshëm në krahinën e Delvinës e të Gjirokastrës. “Amerikanët nuk të ushqenin kot”, - deponoi para gjyqit i pandehuri Kasem Zhupa, dhe me të vërtetë me urdhër të imperializmit amerikan në fund të vitit 1947 u bë në Egjipt mbledhja e tregtarëve të gjakut me Zogollin në krye dhe në marrëveshje me imperialistët u vendos përdorimi i kriminelëve të luftës shqiptarë kundër popullit të Izraelit. Për të zbutur këtë vendim dërguan në luftë kundër Izraelit një bandë me 300 veta në krye të së cilës qëndronin spiunët e vjetër Neshat Kolonja, Sabri Gjilani, Mul Bajraktari, Luan Kurti e të tjerë; ata që nuk pranonin të shkonin kërcënoheshin me dorëzim si kriminelë lufte dhe i priste burgu e tortura, siç gjeti të pandehurin Kasem Zhupa për 11 muaj rresht. I pandehuri Kasem Zhupa ka qenë bashkëpunëtor me okupatorët dhe ka bërë krime të rënda. Si milic i italianëve ka luftuar kundër lëvizjes Nacional- Çlirimtare dhe së bashku me ta ka djegur vrarë dhe plaçkitur, ka hyrë në shërbim të ushtrisë fashiste gjermane dhe së bashku me ta ka masakruar fshatarët e Shën Vasisë, ka vrarë partizanin Jashar Luçi etj. Për këto krime lufte të kryera nga të pandehurit dëshmuan qytetarët e ndershëm, të sinqertë dhe objektivë Bejo Hasimi e Napolon Lepuri. I pandehuri Llukman Lutfiu gjendet gjithashtu i përshtatshëm për spiunazhin amerikan se ka dhënë prova në radhët e spiunëve të klikës titiste. Kompleksi i kësaj veprimtarie kriminale, i vërtetuar gjatë procesit gjyqësor me prova të plota dhe të pakontestuara, është shkak rëndësor i posaçëm në kuptimin e fazës së fundit të paragrafit 1 të nenit 4 të Ligjit nr. 372, që rëndon mbi të tre të pandehurit. Asnjë rrethanë nuk ekziston dhe nuk ofrohet asnjë bazë ligjore për të ulur gradën e përgjegjësisë penale të tyre. Ata janë akuzuar si spiunë të rrezikshëm të agjenturës italiane dhe amerikane.

Përgatiti: Matilda Arapi

8 Shkurt 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›