E Diel, 1 Nëntor 2026

Kriza në Serbi, Koshtunica fajëson BE-në për “shantazh të vrazhdë”

Ministri i Punës dhe Çështjeve Sociale, Rasim Ljajiç, ka paralajmëruar mundësinë që zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Serbi të mbahen në datën 11 maj, kur mbahen zgjedhjet lokale
Kryeministri Vojisllav Koshtunica ka akuzuar BE-në se duke i ofruar Serbisë aktbashkëpunimi në anën tjetër po i bën “shantazh të vrazhdë” këtij vendi duke i “rrëmbyer” 15 për qind të territorit të saj. “Jam i bindur se çdo qytetar i Serbisë mund të shohë se ky është një rast i shantazhit të vrazhdë”, - është shprehur Koshtunica, duke iu referuar kështu ofertës së Brukselit, e cila u refuzua para dy ditësh. Komisioneri për Zgjerimin, Oli Rehn, tha se BE-ja e ka tërhequr paketën e ofruar që duhej të nënshkruhej gjatë ditës së djeshme. Duke shprehur keqardhje, ai tha se nënshkrimin e kanë bllokuar disa politikanë në Beograd, duke aluduar kështu për kryeministrin Koshtunica.
Ministri i Punës dhe Çështjeve Sociale, Rasim Ljajiç, ka paralajmëruar mundësinë që zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Serbi të mbahen në datën 11 maj kur mbahen zgjedhjet lokale. Në një prononcim për shtypin serb, Ljajiç e ka akuzuar kryeministrin Koshtunica se po pengon procesin e integrimit europian të vendit vetëm për të ruajtur pushtetin e tij politik.
Para dy ditësh, Presidenti Tadiç i bëri thirrje Koshtunicës të tregohet i matur me deklaratat e tij rreth Bashkimit Europian pasi me këto po dëmton imazhin e Serbisë dhe po pengon integrimin e vendit në BE. Presidenti Boris Tadiç ka kërkuar mbledhjen e kabinetit për të shqyrtuar ofertën europiane. Përkundrazi, Koshtunica kërkon mbajtjen e një sesioni urgjent të parlamentit për të diskutuar mbi planet e Bashkimit Europian për të dërguar një mision policor e administrativ në Kosovë.
Shumë gjëra varen nga rezultati i zgjedhjeve presidenciale në Serbi. Presidenti aktual, Boris Tadiç, i fitoi ato me një diferencë të vogël nga kandidati nacionalist pro rus. Gara u ndoq me vëmendje edhe në Kosovë, e cila ka në plan të shpallë pavarësinë brenda disa javëve. Gazetarë serbë, kosovarë dhe gjermanë folën për ndikimin e këtyre zgjedhjeve. Zgjedhjet presidenciale në Serbi u konsideruan më të rëndësishmet që kur Sllobodan Millosheviç u përmbys në vitin 2000. Liljana Smajloviç, kryeredaktore e gazetës “Politika” në Beograd, është shprehur se fitorja e Tadiç në zgjedhjet e së dielës garantoi vazhdimësinë e integrimit europian të Serbisë. Por ka një problem: “Nuk do të ketë ndryshim pushteti në krye, por partitë demokratike po përballen me një pakënaqësi në rritje te popullsia. Ky është vetëm fillimi i një periudhe tjetër të trazuar në politikën serbe dhe jo përfundimi i vendimit se cilët do ta drejtojnë Serbinë”. Ajo ka theksuar numrin e lartë të papunësisë në Serbi dhe kjo ka ngjallur pakënaqësi për thellimin e hendekut mes atyre që janë në gjendje të keqe financiare dhe të pasurve. Të gjitha këto i shtohen pakënaqësisë për Kosovën. Ajo thotë se Serbia është tani e polarizuar në dy grupe të pothuajse të njëjtave përmasa. Një ide të tillë e ka konfirmuar edhe Mathias Rueb, shefi i zyrës së Uashingtonit për gazetën “Frankfurter Allgemeine Zeitung”. “Diferenca ishte shumë e vogël, vetëm 115 mijë vota më shumë për Tadiçin, që është shumë pro perëndimor dhe i favorizuari i Bashkimit Europian dhe Shteteve të Bashkuara, ndërsa Nikoliç mbështet lidhje më të ngushta me Rusinë. Dhe, në fakt, gara nuk ka përfunduar, sepse Presidenti Tadiç, udhëheqësi i Partisë Demokratike, një parti shumë properëndimore, është shumë i dobët krahasuar me kryeministrin Vojislav Koshtunica, partia e të cilit është më shumë nga krahu i radikalëve të Tomislav Nikoliçit, të cilët ende drejtohen nga Vojislav Sheshel, që ndodhet në Hagë, si kriminel lufte. Kështu që është shumë e vështirë të parashikohet se si do të reagojë Serbia”, - ka bërë të ditur Rueb.

8 Shkurt 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›