E Diel, 1 Nëntor 2026

Barkiçi: Kemi 6 muaj pa u paguar

Në prag të botërorit të Parisit, trajneri i kombëtares së shtangës prononcohet për problematikën më të fundit

Më 5 nëntor në Paris do të zhvillohet Kampionati Botëror i shtangës, pikët e të cilit do të vendosin edhe fatet e kualifikimit për në Lojërat Olimpike të Londrës, që do të zhvillohen verën e ardhshme. Ata që do të duhet të ngjiten në pedanë me objektivat për të nderuar edhe emrin e Shqipërisë në këtë kompeticion, vazhdojnë të vuajnë probleme të ndryshme e shumë burokratike, të cilat nuk janë aspak stimuluese për paraqitjet e tyre të mira. Por, situata e kombëtares kuqezi të shtangës nuk është aspak e mirë në këtë vigjilje botërori. Peshëngritësit që do të marrin pjesë në këtë eveniment nuk paguhen prej muajsh dhe Barkiçi lëshon alarmin se një trajtim i tillë do të sjellë largimin e sportistëve dhe rënien e rezultateve në sportin e shtangës. “Më vjen keq që duhet ta pranojmë një fakt të tillë, por kjo është e vërteta”, theksoi në deklaratën e tij, trajneri Barkiçi, i cili më pas denoncoi: “Sportistët e përzgjedhur për në Botërorin e Parisit, së bashku me trajnerët nuk janë paguar që prej gjashtë muajsh”. Atyre u është premtuar se këto para do t’i marrin shumë shpejt, gjithsesi dita për të udhëtuar drejt Parisit po afron. “Presidenti Ademi na ka premtuar, se do t’i marrim rrogat para se të nisemi për në Botëror”, sqaroi më tej Barkiçi. Ai shtoi se me gjithë problemet, peshëngritësit nuk kanë hequr dorë për asnjë moment nga stërvitja me seriozitet e profesionalizëm. “Të them të drejtën, sportistët së bashku me trajnerët janë të motivuar dhe unë i falënderoj për këtë, sepse e kanë në gjak këtë sport. Po sakrifikojnë shumë, por gjithsesi ne do t’ia dalim”, përfundoi trajneri Barkiçi. Ekipi kombëtar përbëhet nga gjashtë peshëngritës meshkuj dhe katër femra. Pritshmëritë janë të mëdha nga të dyja palët, por mbi të gjitha nga meshkujt.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›