Vjen trupi i Simonçelit, Italia përgatitet për lamtumirën e pilotit
Italia përgatitet t’i japë lamtumirën e fundit Marko Simonçeli, pilotit 24-vjeçar që humbi jetën në mënyrë tragjike të dielën gjatë garës për Çmimin e Madh të Malajzisë në MotoGP. I shoqëruar nga babai dhe e fejuara, arkivoli me trupin e Simonçelit ka mbërritur në orët e para të mëngjesit të së martës në aeroportin e Fiumiçinos në Romë, ku është pritur me duartrokitje nga punonjësit dhe pasagjerët e pranishëm.
Në të njëjtin avion ka qenë dhe shoku i tij më i mirë Valentino Rosi. Shatë herë kampioni i botës në MotoGP, bashkë me amerikanin Kolin Eduards u përfshinë në aksidentin fatal që i mori jetën pilotit të Hondas. “Ne rrinim cdo ditë bashkë, stërviteshim bashkë dhe pastaj shfaqnim të gjithë pasionin tonë në pistë. Marko do të më mungojë”, ka thënë Rosi pa fshehur aspak dhimbjen e tij.
Ndërkohë në qytetin e lindjes së Marko Simonçeli vazhdojnë përgatitjet për homazhet në nderim të pilotit. Komuna e Korianos një provincë e vogël me vetëm dhjetë mijë banorë pranë Riminit do të vendosë emrin e tij njërës prej rrugëve. Nga dita e diel, qendra e qytetit është kthyer në një vend pelegrinazhi për të gjithë banorët dhe tifozët të cilët vendosin lule dhe shkruajnë mesazhe në fotot e shumta të vendosura në shesh.