Kolaudimi i makinave, ja formula e privatizimit
Ministria e Transporteve ka nisur zyrtarisht procesin për dhënien me koncesion të shërbimit të kontrollit të detyrueshëm teknik të automjeteve, ose siç njihet ndryshe kolaudimi, dokumenti i të cilit pritet së shpejti t‘i përcillet për njoftim Agjencisë së Prokurimit Publik. Ministri Olldashi ka publikuar dje rrugën që do të ndiqet deri në finalizimin e procesit, i cili daton në muajin tetor të këtij viti. Lidhur me ndryshimin e tarifave (aktualisht janë 1200 lekë), Olldashi tha se do të jetë një nga kriteret e vlerësimit, pasi nuk mund të lejohen tarifa të palimituara. "Edhe me tarifat që janë aktualisht dhe që janë të përballueshme nga qytetarët, sektori i kontrollit teknik të automjeteve ka një të ardhur, pra ka një fitim. Sigurisht që kjo e ardhur do të mbetet në vlerësimin e ofertuesve, nëse kjo e ardhur është e mjaftueshme për të mbuluar gjithë investimet që kërkohen për të përmirësuar teknologjinë e kontrollit". Mësohet se procedura e koncesioneve do të jetë propozim i kërkuar, për një kohëzgjatje deri në 20 vjet. Lidhur me rrugën që do të ndiqet është përcaktuar se: Faza e parë do të jetë parakualifikimi i ofertave; faza e dytë, kërkesa për propozime dhe përzgjedhja mes ofertuesve të parakualifikuar brenda muajit prill ‘08; MPPTT do të bëjë kualifikimin e secilit ofertues që ka paraqitur aplikimin në procedurën parakualifikuese brenda datës 20 maj 2008 dhe do ta shpallë listën e subjekteve në APP; më 21 korrik, subjektet e parakualifikuara do të kenë në dispozicion kundrejt pagesës dokumentacionin e kërkuar për vijimin e procedurës; ofertuesit e parakualifikuar duhet të dorëzojnë ofertat me datë 30 shtator dhe së fundmi, MPPTT do të kryejë vlerësimin e ofertës fituese dhe do të shpallë rezultatin e vlerësimit më datë 31 tetor 2008. "Në pamje të parë afatet duken të gjata, por ne kemi zgjedhur afatet më të shkurtra të mundshme që lejon ligji i Koncesioneve", sqaroi Olldashi.