E Shtunë, 31 Tetor 2026

Barnat e shtrenjta, kostoja mujore për një pacient mbi 200 mijë lekë

Pamundësitë ekonomikë të pacientëve për të blerë barnat me miliona lekë. Nis shpërndarja e baranga të reja që u përfshinë në listën e rimbursimit

Emanuela Sako

Pacientët e kanë të pamundur të përballojnë koston për blerjen e barnave të shtrenjta. Mjekët kanë bërë të ditur se pacientët e kanë të pamundur që të ndjekin kurat e përcaktuara prej tyre për shkak të kostos së madhe që kanë medikamentet. Barnat më të shtrenjta janë ato të sëmundjeve të rënda dhe që kërkojnë një ndjekje të vazhdueshme të gjendjes shëndetësore. ISKSH-ja këtë vit ka mundësuar rimbursimin e një pjese të medikamenteve të shtrenjta, ku përfshihen barnat për transplantin e veshkave, Onkologjikut, Leuçemia etj. Ndërkohë që lista e barnave të rimbursueshme hyri në fuqi që nga dita e djeshme.
Kostoja
Lista e plotë me barnat e rimbursueshme është e përbërë nga 450 medikamente. Fatura financiare për 405 barnat që do të ketë lista e vitit 2009 parashikohet të jetë 4.7 miliardë lekë të reja. Megjithatë, shumëllojshmëria e sëmundjeve që ndjek jetën e çdo njeriu kërkon një kosto tepër të lartë për kurim. Kështu, vetëm për një bar (Imatinib 100mg caps), i cili përdoret për leucemitë kronike, fatura financiare për një pacient në muaj është mbi 300 mijë lekë. Pacientët e prekur nga kjo sëmundje e kanë tepër të vështirë që të blejnë një medicament me këtë shumë marramendëse. Ndërsa, e njëjta situatë është edhe për të sëmurët me veshka që kryejnë transplantime. Barnat për këtë kategori janë tepër të shtrenjta. ISKSH-ja ka futur në listë ilaçin antiviral që shërben për trajtimin e infeksioneve post-transplanti. Vetëm për një pacient vlera mesatare e recetës mujore është afro 200 mijë lekë. Po kështu, medikamentet për pacientët e sëmurë nga tumoret fatura e medikamenteve është shumë e shtrenjtë, e cila i kalon mbi 200 mijë lekë. Në këtë listë janë mjaft sëmundje të tjera, të cilat kërkojnë kurim të vazhdueshëm, por kurimi kërkon një kosto tepër të lartë. Për shkak të pamundësisë së kurimit të sëmundjeve, rritet edhe vdekshmëria e të prekurve nga këto sëmundje.
Barnat
Lista e barnave me rimbursim të plotë është shtuar me 30 hyrje të reja. Përfitues të listës do të jenë pacientët që vuajnë nga alergjitë, sëmundjet e astmës, sëmundjet e gjakut, sëmundjet e veshkave etj. Ndër barnat e shtuara ofrohen alternativa të reja terapeutike të gamës së barnave antispastike, diuretike, antiepileptike, neuroleptike etj. Pjesë e listës janë bërë edhe dy barna të reja për diagnoza të patrajtuara më parë; imatimib, që përdoret për trajtimin e leucemisë mieloide kronike, alternativë e vetme për trajtimin e këtij lloji kanceri. Ndërsa për trajtimin e të sëmurëve me veshka është rimbursuar Vangancikloviri dhe Antivirali, i domosdoshëm për trajtimin e pacientëve që i nënshtrohen transplantimit të veshkave në fazën post transplant. Propozimet e bëra nga spitalet për rimbursimin të barnave ishin të mëdha, ku përfshiheshin një listë e gjatë medikamentesh. Por nuk ofroheshin mundësitë financiare për përballimin e të gjitha kërkesave. Ministrja e Shëndetësisë deklaroi se Komisioni i Hartimit dhe Rishikimit të Listës së Barnave të Rimbursueshme ka marrë parasysh kriteret për sigurinë, koston, përparësinë e barnave për trajtimin e sëmundjeve të rënda. Vitin e kaluar lista u shtua me 21 barna dhe formë-doza, të cilat u bënë të ditura nga ISKSH-ja.

Shpërndahet në farmaci libri i barnave të rimbursueshme

ISKSH ka hartuar dhe publikuar librin e barnave te rimbursueshme për vitin 2009, i cili ka filluar të shpërndahet në të gjithë Shqipërinë. Lista e barnave është shtuar me 31 barna të reja dhe 74 alternativa tregtare barnash. Lista e plotë e barnave përmban 405 barna që janë 233 principe aktive apo 944 alternativa tregtare. Drejtoresha e ISKSH-së, Elvana Hana, sqaroi se kjo listë do të ketë barna mjaft të shtrenjta, por mbi të gjitha do të trajtohen qindra pacientë me sëmundje të rënda. Sipas saj, barnat për trajtimin e disa sëmundjeve të rënda futen për herë të parë në listën e rimbursimit, si leucemia, apo infeksionet post-transplant. Rëndësi të veçantë në këtë listë të re barnash kanë pasur pacientët e rinj. Njëkohësisht, kjo listë ka edhe kombinime të reja mjekimesh të cilat përmirësojnë ndjeshëm cilësinë e shërbimit për moshën e tretë për sëmundje si astma bronkiale, epilepsia etj. Përveç barnave që mbulojnë diagnoza të reja dhe kombinimeve të reja të mjekimit, në këtë listë janë shtuar formë doza të reja të barnave që janë në listë, të cilat kanë përdorim më të përshtatshëm për fëmijët, të sëmurët kronikë etj. Ndërkohë specialistët e shëndetësisë flasin për një rritje të sëmundshmërisë në vend. Për këtë arsye, kërkohet shtim i vazhdueshëm i listës dhe një kosto financiare të lartë për përballimin e rimbursimit. Me shtimin e barnave të reja si dhe bazuar në konsumin e barnave të rimbursueshme, gjatë këtij viti nevojiten rreth 4,7 miliard leke. ISKSH-ja shprehet se do të monitorojë në vazhdimësi ecurinë e rimbursimit pasi ky vrull sasior dhe cilësor në listën e barnave ka efekte financiare të konsiderueshme.

2 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›