E Diel, 1 Nëntor 2026

Forum për monitorimin e shkallës së ndotjes së TEC-in në Vlorë



Një forum ekspertësh do të monitorojë shkallën e ndotjes mjedisore që pritet të shkaktojë vënia në punë e TEC-it të Vlorës. Burimet zyrtare bëjnë të ditur se dje është ngritur forumi rajonal “ECO Watch”. Kjo strukturë ngrihet vetëm pak ditë para fillimit të provës për vënien në punë të TEC-it, i konsideruar investimi më i madh publik në fushën e energjisë në vend. Pak ditë më parë, nëndrejtori i Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare, Muharrem Stojku, tha se "brenda datës 10 qershor do të kryhet ndezja e TEC-it dhe do të kontrollohen të gjitha pajisjet e tij, për t'u vënë në punë plotësisht shumë shpejt". Punimet për ndërtimin e TEC-it të Vlorës nisën në 1 shtator 2007, duke përfshirë nënstacionin e ri të Babicës dhe disa objekte të tjera si linjën për daljen e tensionit të lartë 220 KV në nënstacionin e Fierit, linjën e tensionit të lartë 220 KV me dy qarqe Fier-Babicë, fuqizimin e nënstacionit të Babicës me dy autotransformatorë 100 MVA, 220/110/35 KV secili, linjat 110/ 35 KV me rajonin, nënstacioni Vlora 2 110/20 KV me dy transformatorë, me fuqi prej 35 MVA secili. Për ndërtimin e TEC-it të Vlorës është financuar shuma prej rreth 92 milionë euro nga Banka Botërore dhe BERZH. Pjesa më e madhe e punimeve kanë përfunduar plotësisht. Sasia e energjisë që do t'i shtohet rrjetit të transmetimit dhe shpërndarjes me vënien në punë të TEC-it të ri të Vlorës llogaritet në 98 MW.

Nis punën linja ajrore nga Tirana në Nju Jork

Shumë shpejt udhëtimi me avion nga Tirana në Nju Jork dhe anasjelltas do të bëhet me një linjë, duke iu dhënë fund tashmë udhëtimeve tranzite. Një kompani me aksionerë shqiptarë, me qendër në Nju Jork, do të nisë fluturimet e drejtpërdrejta midis aeroportit Kenedi dhe “Nënë Tereza” në Tiranë në mesin e këtij muaji. Burimet zyrtare të kësaj firme pohuan për magazinën ekonomike “Business Week” se linja do të bëhet nga një avion Boing, me 214 vende dhe udhëtimi do të zgjasë 8 orë e gjysmë. Udhëtimi i parë do të bëhet me 14 qershor. Kjo linjë vihet në punë për herë të parë dhe ka për qëllim që të vihet në shërbim kryesisht të komunitetit shqiptar që jeton në Shtetet e Bashkuara. Burimet zyrtare pohojnë se çmimet nisin nga 250 euro. Po ashtu, gjatë këtij muaji pritet të nisin fluturimet edhe nga Nju Jorku në Prishtinë dhe anasjelltas.

2 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›