Plagët në buzë, trajtimi në ditët e nxehta të verës
Ditët e nxehta të verës dhe sidomos rrezatimi diellor ndikojnë në rishfaqjen e plagëve në buzë (herpes simplex), te personat e predispozuar. Sëmundja që ndryshe njihet si “fshika e ethes” prek më tepër gratë dhe gjithmonë shfaqja e saj favorizohet nga ulja e imunitetit të organizmit. Mjekët dermatologë shpjegojnë se pse stina e verës ndikon në shfaqjen e sëmundjes dhe cilat janë mënyrat e mjekimit të saj. Sipas mjekëve, gjatë stinës së verës, për shkak të diellit, rishfaqen problemet me herpesin, si në formën labiale si në atë gjenitale, te personat e predispozuar. Arsyeja është rrezatimi diellor i cili ndikon në “rizgjimin” e virusit që qëndron në bazë të sëmundjes. Pothuajse të gjithë njerëzit mund të shfaqin probleme, megjithatë njihet që virusi sulmon zakonisht pas një gjendjeje që ndikon në uljen e sistemit imunitar. Prandaj herpesi te gratë mund të shfaqet më shpesh gjatë menstruacioneve dhe përsëritet çdo muaj dhe zgjat për disa vjet. Po mund të shfaqet dhe pas sëmundjeve infektive, përdorimit të barnave të ndryshme, pas një traume, një gjendje stresante, pas një operacioni dentar. Pra gjithmonë kur ulet rezistenca imunitare, gjë që ndikon në prekjen më lehtë nga virusi.
Sëmundja
Herpes shkaktohet nga një virus dhe shfaqet si flluska. Virusi gjendet në dy forma. Njëri tip gjendet shpesh herë në buzë. Ndërsa tjetri gjendet kryesisht në organet seksuale. Sëmundja është shumë e zakonshme dhe pothuajse 75 për qind e të gjithë njerëzve që infektohen nga herpes janë krejtësisht të liruar nga simptoma. Të dy tipat infektojnë në të njëjtën mënyrë, nëpërmjet lëngut që ka në fshikëz. Kontakti i afërm ose puthje dhe marrëdhënie seksuale është rruga më e zakonshme e infektimit dhe duhet të shmanget në rast të çdo formimi të fshikëzave. Herpesi i buzëve mund të transmetohet në organet seksuale nëpërmjet puthjeve dhe herpesi te organet gjenitale në të njëjtën mënyrë mund të transmetohen në buzë. Herpes fillimisht nis me pak kruajtje. Pas kësaj formohen fshikëza të vogla të mbushura me lëng që pëlcasin shpejtë dhe lënë plagë të mbushura me lëng. Ndonjëherë i prekuri mund të ketë zjarrmi dhe të ndjejë dhimbje në gjëndrat limfatike. Plaga shfaqet 3-7 ditë pas infektimit dhe shërohet përafërsisht pas tre javëve. Nëse personi është infektuar njëherë, atëherë infektimi është në çlodhje e sipër, dhe personit mund t’i rikthehet infektimi me ndryshime të intervalit kohor. Ndonjëherë fshikëzat mund të shihen edhe me sy. Por për ta siguruar diagnozën, merret prova direkt nga fshikëza dhe kontrollohet në laborator.
Pasojat
Në shumicën e rasteve, herpesi trajtohet mirë, megjithatë mund të ndodhë që të shoqërohet dhe me zmadhim të limfonoduleve (gjëndrave që ndodhen poshtë qiellzës) që shoqërohen dhe me dhimbje, mund të mbivendoset një infeksion dhe të kalojë në pyodermi. Një femër shtatzënë me fshikëza të herpesit në organet gjenitale gjatë lindjes mund të transmetojë një infektim të rrezikshëm për jetën e fëmijës së porsalindur. Që të evitohet kjo, lindja bëhet me operacion cezarian. Mënyra më e mirë e parandalimit është aplikimi në buzë i produkteve mbrojtëse për buzët, sidomos kur jeni në plazh. Kujdes ndaj ekspozimi i gjatë nën rrezet e diellit, sidomos te personat që janë prekur më parë nga ky problem. Mbi të gjitha duhet të shmanget kontakti me personat që kanë herpes si atë labial ashtu dhe atë gjenital, sepse sëmundja është mjaft ngjitëse. Ajo mund të transmetohet nëpërmjet kontaktit fizik, prekjes dhe përdorimit të gotës apo enëve të të sëmurit, puthjes apo dhe kontaktit seksual në rastin e herpesit gjenital.
Trajtimi
Trajtimi i herpesit është i thjeshtë dhe praktika është e tillë: mjekimi është lokal dhe jepet sipas gjendjes së të sëmurit. Mund të përdoren solucione antiseptik, kremra ose pomada antivirusale dhe antibakteriale, si dhe multivitamina. Gjithsesi është mirë që pas çdo episodi, të drejtoheni te mjeku specialist, sepse çdo rast duhet trajtuar seriozisht dhe në mënyrën e duhur. Personat që preken nga ripërsëritjet e shpeshta e të renda të sëmundjes, mund t’i parandalojnë ato me përdorim të përditshëm të ilaçeve. Por edhe nëse plagët shërohen vetvetiu, është me rëndësi që ato të mbahen pastër. Gjatë ripërsëritjes së fshikëzave, infektimi është më i madh gjatë ditëve të para, por ai pakësohet kur plaga shërohet. Në të tilla raste duhet të përdoret kondomi nëse personi ka marrëdhënie seksuale gjatë kohës së shërimit. Është gjithashtu me rëndësi të dihet se kur shenjat e ripërsëritjes janë duke u shfaqur (skuqje lëkure, ënjtje dhe formim i fshikëzave), në mënyrë që të evitohen marrëdhëniet seksuale dhe për ta pakësuar rrezikun e transmetimit të infektimit. Përdorimi i xhelit aloe-vera ka dhënë rezultate të mira për të kuruar problemet që shfaqen në lëkurë. Gjithashtu, kush e vuan praninë e këtij virusi mund të përdorë çaj të përgatitur me lëvoret e frutit të shegës. Provojeni hudhrën kur ju dalin flluska ose puçrra në buzë (herpes), pasi keni kaluar temperaturë të brendshme. Por bëni kujdes nga përdorimi i hudhrës dhe i qepës me tepricë sepse kanë edhe ato efekte të dëmshme.
Këshilla
Nëse ju është shfaqur herpesi mos e ngacmoni me duar
Lani shpesh duart me ujë dhe sapun
Nëse më parë keni vuajtur nga këto lloj problemesh dhe keni përdorur më parë një krem specifik që përmban substanca antivirale, aplikojeni mbi fshikën
Nëse nuk përdorni një krem specifik, këshillohet përdorimi i kremrave mbrojtës specifik për buzët. Kjo mund t’ju ndihmojnë të lehtësoni dhimbjen
Nëse vuani nga herpes labial mbroni buzët me një filtër solar me faktorë të lartë mbrojtës kur ju duhet të ekspozoheni ndaj rrezeve të forta të diellit
Shmangi kontaktin e buzëve me trupin e personave të tjerë, derisa vezikulat të jenë zhdukur plotësisht
Shmangni përdorimin e ushqimeve shumë të nxehta dhe të ftohta, sepse mund t’ju shkaktojë shqetësim në zonat e dëmtuara
2 Qershor 2009