E Diel, 1 Nëntor 2026

“Infra” britanike shpall në kërkim 7 shqiptarë të kërkuar për krime

Britania e Madhe nis aksionin për ndalimin e disa kriminelëve të rrezikshëm. Në listë edhe disa shqiptarë të akuzuar për vrasje dhe trafiqe të ndryshme

Policia britanike ka filluar operacionin për kapjen e 17 të kërkuarve, ku rreth gjysma e tyre janë shqiptarë, ndaj të cilëve rëndojnë akuzat për vrasje, pedofili, trafikim të qenieve njerëzore dhe drogës. Burimet zyrtare londineze bëjnë të ditur se ka nisur operacioni i koduar me emrin “Infra” në disa qytete të Britanisë së Madhe, ku janë vënë në kërkim edhe i shtetas me kombësi shqiptare, shumica e të cilëve janë nga rrethi i Fierit. Ata janë Durim Gremaj, Sherfi Murati, Nikollaq Naci, që të tre nga rrethi i Fierit, Agim Kabashi nga Kukësi, Xhevat Kaca nga Librazhdi, Dritan Shkurti nga Kurbneshi i Mirditës dhe Shaqir Ziko nga fshati Prishtë i Skraparit. Personat “Wanted” nga autoritetet britanike janë të dënuar edhe nga Drejtësia shqiptare për një sërë krimesh.
Operacioni
Pas sinjaleve të vazhdueshme të autoriteteve shqiptare se në Britaninë e Madhe fshihen rreth 100 persona të kërkuar nga drejtësia, vijnë edhe reagimet e para të Skotland Jardit. Gjatë dy ditëve të fundit policia ka nisur operacionet në qytete të tilla si Londra, Susseks, Notinghamshair dhe Keshair. Dje u njoftua një kërkesë publike ndërkombëtare e koduar me emrin “Infra”. Lord Ashkrof thotë se operacioni i koduar me emrin “Infra” është “mënyra më efektive dhe e besueshme” e kapjes së kriminelëve. Ai pohon se nisma është e vërtetë dhe shtrihet në rrafsh ndërkombëtar. “Të kërkuarit fshihen në vende të ndryshme të botës”. Ashkrof ka kërkuar nga njerëzit që të ndihmojnë për kapjen e personave që janë në listën e të kërkuarve. Operacioni “Infra”, i cili shtrihet në nivel ndërkombëtar, është operacioni i parë në shkallë ndërkombëtare për kapjen e të dyshuarve.
Mbi 120 kriminelë të kërkuar që janë përfshirë në lista lëvizin në Shtetet e Bashkuara, Kanada, Holandë, Australi dhe Belgjikë.
Rrjeti
Lëvizjet ndiqen nga operacione të ngjashme të suksesshme që u bënë në bregdetin jugor të Spanjës, një vend i njohur, ku fshihen kriminelët britanikë.
Kriminelët e dyshuar të listës britanike e kanë origjinën nga disa vende, duke përfshirë Poloninë, Gjeorgjinë, Lituaninë, Shqipërinë dhe Hungarinë.
Tre më të kërkuarit janë Pole Piotr Bielecki, i kërkuar për dhunë seksuale ndaj një gruaje në vendlindjen e tij dhe që është arratisur nga burgu në Britani. Polaku Bogumil Kaczmarkczyk, që mendohet të jetë në Suseks, i cili është një nga personat më të kërkuar në vendin e tij. Ai dyshohet se ka lidhje me një sërë vrasjesh dhe rrëmbimesh. I treti më i kërkuari është shtetasi shqiptar Agim Kabashi, i kërkuar për një seri krimesh seksi dhe i dyshuar se drejton një rrjet europian të prostitucionit. Njëri prej emrave ka dalë në mediat britanike dy ditë më parë.
Deiv Kording thotë se shumë prej kriminelëve të dyshuar janë të fshehur në Britani, ku ata janë përgjegjës edhe për krime të tjera. Ai thotë se ata kanë hyrë në Britani ilegalisht dhe po jetojnë në këtë vend me dokumente identiteti të falsifikuara.
Zoti Kording thotë se “ka disa informacione të shërbimeve sekrete që tregojnë se këta persona ishin, por edhe përbëjnë rrezik serioz për Britaninë e Madhe”. Në operacionin për kapjen e të shumëkërkuarave janë përfshirë disa agjenci: si SOCA (Agjencia për Krimin e Organizuar dhe atë të Rëndë, si dhe Policia Metropolitane. Autoritetet britanike antikrim kanë nxjerrë edhe një numër telefoni për të marrë informacione nga qytetarët në rast se shohin personat që ndodhen në listën e të kërkuarve.

TË DUSHUARIT

Piotr Bielecki, 37 vjeç, nga Polonia
Tomasz Galas, 27 vjeç, nga Polonia
Giedrius Jankauskas, 29 vjeç, nga Lituania
Bogumil Michal Kaczmarkczyk, 29 vjeç, nga Polonia
Radoslaë Kaëa, 28 vjeç, nga Polonia
Norman Marek Misarko, 32 vjeç, nga Polonia
Andras Szabolcs Mozes, 22 vjeç, nga Hungaria
Gentian Doda, 30 vjeç, nga Tirana
Durim Gremaj 35 vjeç, nga Fieri
Agim Kabashi, 39 vjeç, nga rrethi i Kukësit
Xhevat Kaca, 33 vjeç, nga Librazhdi
Sherif Murati, 41 vjeç, nga Fieri
Nikolla Naci, 44 vjeç, nga Fieri
Ivane Sepashvili, 26 vjeç, nga Gjeorgjia
Dritan Shkurti, 33 vjeç, nga Kurbneshi i Mirditës
Shaqir Ziko, 28 vjeç, nga fshati Prishte i Skraparit
Balazs Asztalos, 25 vjeç, nga Hungaria

AKUZAT E SHQIPTARËVE TË KËRKUAR

Durim Gremaj, 35 vjeç, nga Fieri, i dënuar me 15 vite burg në mungesë për përdhunim në vitin 2001

Agim Kabashi, 39 vjeç, nga Kukësi, trafikant fëmijësh. Në vitin 2003 tentoi të trafikonte një vajzë në Angli

Xhevat Kaca, 33 vjeç, nga Librazhdi, trafikant dhe shfrytëzues vajzash për prostitucion

Sherif Murati, 41 vjeç, nga Fieri, i kërkuar për vrasje në vitin 1997, dënuar me 25 vite burg

Nikollaq Naci, 44 vjeç, nga Fieri, trafikant droge, i dënuar me 13 vite burg, pasi në shtëpi iu gjeten 4 kilogramë heroinë dhe armë zjarri pa leje

Dritan Shkurti, 33 vjeç, nga Kurbneshi i Mirditës, i dënuar me 22 vite burg për vrasjen Tanush Hasanit në vitin 1998

Shaqir Ziko, 28 vjeç, nga fshati Prishte i Skraparit, grabitës i një furgoni që trasportonte para, i dënuar me 12 vite burg

Gentian Doda, 30 vjeç, nga Tirana. Ai kërkohet për krime kundër njeriut, duke përfshirë një sulm në vitin 1997, duke qëlluar ndaj katër personave dhe vrarë dy të tjerë për motive gjakmarrje.

Ekstradimet përplasin autoritetet e Tiranës dhe Londrës

Para disa muajsh autoritetet policore të Shqipërisë dhe Britanisë së Madhe u përfshinë në një debat në lidhje me dorëzimin e të kërkuarve shqiptarë. Kreu i Policisë së Shtetit, Ahmet Prençi, tha se gjykatat britanike po zvarrisin procesin e ekstradimeve. Madje ai këmbëngulte se edhe në rastet kur paraqiten prova, ndodhin zvarritje. Rasti më tipik ishte ai i Ilir Kumbaros, i përfshirë në grupin e personave të akuzuar për zhdukjen e biznesmenit shqiptaro-maqedonas. Prej disa muajsh ky rast po shqyrtohet nga autoritetet londineze dhe gjykata ia ka lënë në dorë sekretarit të Shtetit. Prençi paralajmëroi se në Britaninë e Madhe fshihen rreth 100 persona të akuzuar për krime, që nga viti 1997.

Ministri britanik Kuker vizitoi Shqipërinë katër muaj më parë

Ministri britanik i Shtetit për Policinë, Krimin, Sigurinë, Antiterrorin dhe Çështjet e Brendshme, Vernon Kuker, zhvilloi një vizitë 2-ditore në Tiranë në mesin e shkurtit të këtij viti, ku u takua me autoritetet më të larta të vendit. Mes personaliteteve ishin edhe presidenti Topi, kryeministri Berisha, ministri i Drejtësisë, Alibeaj, ministri i Brendshëm, Nishani, kreu i Policisë së Shtetit, Ahmet Prençi dhe kryeprokurorja Ina Rama. Temë qendrore e takimeve ishte bashkëpunimi dypalësh në luftën krimit, misioni policor europian në Shqipëri dhe asistenca britanike në luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionit dhe trafiqeve. Në mbyllje të takimeve u vlerësua edhe puna e misionit policor PAMECA 3 në Shqipëri.

2 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›