E Diel, 1 Nëntor 2026

Barnat me rimbursim, duhen mbi 2.2 milionë euro më shumë

Rritja e çmimit të euros do të ndikojë edhe në rritjen e kostos së listës së re të barnave me rimbursim. Pavarësisht se nuk dihet me ekzaktësi nëse euro do të forcohet më tej, apo nëse leku do të vazhdojë të dobësohet, me tregun aktual valutor, për të përballuar listën e re të barnave do të duhet një "qese" edhe më e madhe parash. Sipas një llogaritjeje, me vlerat aktuale të lekut dhe euros, duke pasur parasysh fondin prej 4.2 miliardë lekësh të reja duhen të paktën 2.2 milionë euro për t‘u dhënë pacientëve të njëjtat barna me çmimet aktuale. Këto 2.2 milionë euro është diferenca që duhet të paguajë shteti në këtë rast për të përballuar një listë barnash me rimbursim, me medikamentet aktuale, me të njëjtat doza, me klauzola të pandryshueshme, të cilat rekomandojnë përdorimin e ilaçit.

Nëse këtë vit do të kemi një listë të njëjtë barnash me atë të vitit 2008, për të përballuar koston, veç 42 miliardë lekëve të reja, ose ndryshe 34.4 milionë eurove, duhen edhe 2.2 milionë të tjera për t‘u dhënë pacientëve të njëjtën listë, të njëjtat barna, të njëjtën gramaturë.

Pa marrë parasysh rritjen e euros, apo të dollarit, deklaratat e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Institutit të Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor, kanë qenë në favor të një liste më të madhe, më të zgjeruar dhe me barna më të shtrenjta për vitin 2009. Pas problemeve të grosistëve dhe pas heshtjes së institucioneve shëndetësore, nuk dihet nëse lista e barnave do të jetë me të vërtetë më e pasur apo më "ekonomike" se ajo e një viti më parë. Për listën e barnave të rimbursueshme, ISKSH-ja ka në dispozicion fondin prej 4.2 miliardë lekësh të reja, për listën e 1 viti. Efekti financiar vjetor për alternativat e barnave të shtuara është 135 milionë lekë. Për sa i takon listës me bashkëpagesë, ky ka mbetur një projekt, i cili ndoshta do tërishihet si mundësi në një fazë të dytë.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›