Barnat, ndryshon marzhi i tregtimit
Miratohen marzhet e reja të fabrikimit dhe tregtimit të barnave. Me propozimin e ministrit të Shëndetësisë, Këshilli i Ministrave ka miratuar dje vendimin “Për përcaktimin e marzheve të fabrikimit dhe të tregtimit të barnave”, sipas të cilit, marzhi i tregtimit të barnave ka pësuar një ulje të konsiderueshme, sidomos kur bëhet fjalë për ilaçet e importuara që tregtohen me shumicë, por edhe për ato me pakicë. Sipas vendimit, çmimi maksimal i tregtimit të barnave nga fabrikuesit vendas caktohet duke shtuar deri në 20% mbi koston e fabrikimit. Çmimi maksimal i tregtimit me shumicë të barnave nga importuesit dhe shpërndarësit farmaceutikë caktohet duke shtuar deri në 14% mbi çmimin CIF të importit të barit, e konvertuar në lekë sipas kursit mesatar të njoftuar nga Banka e Shqipërisë, për çdo 6-mujor. “Për barnat e fabrikuara në vend, çmimi maksimal i tregtimit llogaritet bazuar mbi çmimin EXË. Marzhi 14% ndahet ndërmjet importuesit dhe shpërndarësit, përkatësisht, 10% dhe 4%”, - përcaktohet në vendim. Më tej, në të thuhet se çmimi maksimal i tregtimit me pakicë të barnave caktohet duke shtuar deri 29% mbi çmimin e blerjes nga shpërndarësi farmaceutik. Kurse për barnat e listës që rimbursohen nga Instituti i Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor, do të zbatohen marzhe të diferencuara, të cilat miratohen me vendim të Këshillit të Ministrave. Për barnat që blihen nga institucionet shëndetësore publike, çmimi maksimal i tregtimit do të caktohet duke shtuar deri në 10% mbi çmimin CIF ose EXË dhe për disa nga këto barna zbatohen marzhe të diferencuara që miratohen me vendim të Këshillit të Ministrave.