Studentët janë shenja e reputacionit të UET
Së pari, më lejoni të uroj secilin nga të sapo – diplomuarit dhe të ju them që kjo është dita e vlerësimit të punës suaj studimore dhe dita e promovimit të dijeve që keni marrë gjatë këtyre tre viteve shumë intensive të studimeve tuaja në Universitetin Europian të Tiranës. Ju po diplomoheni në një moment të rëndësishëm, në një moment ku ne po afirmojmë vlerat tona si një nga universitetet më cilësore në vend. Këtë tetor do të festojmë 5 vjetorin e krijimit të UET-it si universiteti i parë me qasje kritike dhe analizuese në shoqërinë post – komuniste shqiptare. Tashmë pas pesë vitesh, falë dhe certifikimit të kompanisë së njohur gjermane CHE, UET ka afirmuar arritjet e tij në hapësirën shqiptare në: kualifikimin më të mirë të personelit në fushën e shkencave juridike, treguesit e punësueshmërisë në vend në fushën e shkencave ekonomike, diplomimin brenda afateve, cilësinë e mësimdhënies, publikimet më të mira shkencore në të tre fakultetet, reputacionin në kërkimin shkencor, reputacionin në arsim, infrastrukturën më të mirë si dhe orientimin ndërkombëtar në fushën e shkencave sociale.
Kanë qenë vite të rëndësishme jo vetëm në ndërtimin e një reputacioni cilësie dhe diferencimi me institucionet e tjera të arsimit të lartë në vend por kanë qenë dhe vite të rëndësishme vetë – përmirësimi, ndryshimi dhe reformimi.
E filluam këtë vit akademik me sfida të mëdha përpara për të krijuar një model të ri menaxhimi, me struktura të reja për t’ju përgjigjur mjedisit të ndryshueshëm shqiptar dhe atij të huaj, hapjes dhe ndërkombëtarizimit të UET-it si dhe përballjes me kërkesat e një arsimi të liberalizuar dhe gjithmonë e më shumë masiv. Ju të dashur studentë që po diplomoheni sot, keni qenë dëshmitarë dhe keni kontribuar me ide dhe mendime të reja në arritjen e këtyre qëllimeve. Gjatë këtij viti akademik kemi patur mundësinë që të takoheshim dhe të bashkëbisedonim mbi cështjet e mësimdhënies, strukturës pedagogjike dhe kurrikulave si dhe për mundësitë tuaja për tu zhvilluar sa më shumë profesionalisht dhe për të bërë karrierë brenda apo jashtë Shqipërisë. Ju kemi ndihmuar në problemet tuaja akademike dhe administrative, ju kemi mbështetur me bursa të plota tre – vjecare në mënyrë që të afronim pranë vetes studentët më të mirë dhe të talentuar pavarësisht vështirësive ekonomike që ata mund të kishin, dhe jam e mendimit që kemi ndërtuar debate konstruktive që na kanë ndihmuar reciprocikisht për të bërë hapa pozitivë përpara.
Ka qenë një vit akademik i cili është shoqëruar gjtihashtu me ngjarje të mëdha dhe të rëndësishme ku kemi inicuar programe të reja studimi si në nivelin Bachelor dhe në atë Master, të cilat kanë rezultuar të suksesshme dhe shumë të kërkuara nga tregu i punës. Po procedojmë me transformime të rëndësishme të bibliotekës, mjediseve shlodhëse dhe argëtuese pranë UET-it, zgjerimit të hapësirave si dhe hapjes ndaj institucioneve të tjera publike apo private, brenda apo jashtë vendit.
Ky është një moment i rëndësishëm jo vetëm për UET-in por edhe për vetë shoqërinë shqiptare. Problemet e mprehta sociale që po has shoqëria shqiptare kanë nevojë për ekspertizën tuaj, demokracia, ekonomia dhe politika shqiptare ka nevojë për ju. Ne jemi të bindur që kemi përgatitur ekspertë në të gjitha këto fusha ku ju jeni pajisur me njohuritë, dijet dhe teknikalitetet më moderne dhe bashkëkohore për tu përballur me vështirësitë dhe sfidat që do të hasni gjatë karrierës tuaj akademike apo profesionale. Po jetojmë në një kohë ku bota falë dhe teknologjisë së informacionit dhe globalizimit po bëhet gjithnjë e më e vogël, ku fuqia e shteteve të mëdha është e lidhur dhe e ndërthurur me kulturën dhë historinë e shteteve më të vogla dhe të pafuqishme ekonomikisht. Kjo është koha e hapjes dhe liberalizmit të kufijve, koha kur heterogjeniteti i individëve përcakton interesin kombëtar dhe atë publik. Ju do të jeni agjentë të këtij ndryshimi për Shqipërinë. Studimet tuaja universitare janë pika juaj e fortë. E ardhmja do të përbëjë më shumë mundësi për ju, mundësi për të ecur përpara duke i vazhduar studimet në nivele të tjera, mundësi për të zhvilluar dijet tuaja në profesionin që keni zgjedhur me anë të eksperiencës në punë, mundësi për të gjetur një punë më të mirë apo thjesht për të bërë diferencën dhe për të ndryshuar dicka në jetën tuaj. Ashtu sic shkruan dhe Aristoteli ‘arsimi i ka rrënjët e hidhura por frutat i ka të ëmbël’.
Diplomimi nuk është vetëm një moment por është një proces i cili vazhdon gjatë gjithë jetës. Diploma që merrni sot është një pasaportë jo vetëm për një jetë më të mirë dhe për të gjetur një punë të përshtatshme por është një mjet për të bërë ndryshimin, ndryshimin për veten, familjen dhe shoqërinë shqiptare. Ju nuk mund ta imagjinoni sesa të lumtura i keni bërë familjet tuaja. Jam e sigurtë që shumë nga prindërit tuaj kanë ëndërruar që të ju shohin të diplomuar dhe të përgatitur profesionalisht. Kjo është edhe dita e tyre.
Ceremoni të tilla nuk shërbejnë vetëm për të kurorëzuar një etapë të këtij procesi të gjatë dhe të vazhdueshëm sic është ‘arsimimi’ por mbi të gjitha ceremoni të tilla shërbejnë për të nxitur një etapë të re në jetën tuaj. Imagjinojeni marrjen e kësaj diplome si një start të ri në jetën tuaj, duke zbatuar dijet që keni marrë si dhe duke përcuar filozofinë e UET-it sepse ju tashmë jeni ambasadorët e tij në shoqërinë shqiptare.
*Presidente e UET. Fjala e mbajtur në ceremoninë e diplomimit