E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sigurimet, shumat e reja të kontributeve për të gjitha kategoritë

SHKRUAN: Jonida Tashi 28-07-2011 11:07

Përcaktohen masat e reja të pagesave të kontributeve që duhet të derdhin të punësuarit në shtet, në privat si dhe personat e vetëpunësuar për të përfituar nga skema e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore. Ndryshimi në skemën e sigurimeve vjen pas vendimit të marrë nga qeveria për të rritur pagën minimale dhe maskimale në shkallë vendi, për efekt të pagesës së kontributeve. Me propozim të ministrit të Financave, qeveria ka miratuar dje një vendim në të cilin përcaktohet se sa duhet të paguajnë të pasiguruarit, nga data 1 korrik e këtij viti e në vazhdim, për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore. Sipas vendimit të qeverisë, paga minimale mujore, për efekt të llogaritjes së kontributeve të sigurimeve shoqërore e shëndetësore, nga data 1.7.2011 e në vazhdim do të jetë jo më pak se 17 540 lekë, ndërsa paga maksimale mujore 87 700 lekë. Për të punësuarit, marrëdhëniet e punës të të cilëve rregullohen me ligjin nr.7961, datë 12.7.1995, “Kodi i Punës në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, paga minimale mujore për llogaritjen e kontributeve është ajo e përcaktuar nga Këshilli i Ministrave, në zbatim të nenit nr.111, të ligjit të sipërpërmendur, e cila nuk mund të jetë më e ulët se paga minimale, e përcaktuar në paragrafin e parë të kësaj pike. Në vendim është përcaktuar edhe shuma minimale mujore e kontributeve, për të gjitha degët e sigurimit, për periudhën nga data 1.7.2011 e në vazhdim, që do të jetë 4 894 lekë. Për të vetëpunësuarin dhe për pjesëtarët e familjes, të patrajtuar me pagë, shuma minimale mujore e kontributit të sigurimit shëndetësor do të jetë 7% pagës minimale mujore, e barabartë me 1 228 lekë. I vetëpunësuari, i vetëpunësuari në ortakëri, i vetëpunësuari që punëson të tretë (me përjashtim të të vetëpunësuarit në bujqësi), paguan për vete një kontribut të detyrueshëm për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore, në masën 30% (23% sigurim shoqëror dhe 7% sigurim shëndetësor) të pagës mujore minimale prej 17 540 lekësh, të barabartë me 5 262 lekë në muaj. I vetëpunësuari, për pjesëtarët e familjes së tij mbi 16 vjeç, që nuk trajtohen me pagë, por që punojnë e bashkëjetojnë me të ligjërisht (me përjashtim të të vetëpunësuarit në bujqësi), paguan kontribut të detyrueshëm për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore, në masën 30% (23% sigurim shoqëror, dhe 7 % sigurim shëndetësor) të pagës mujore minimale prej 17 540 lekësh, të barabartë me 5 262 lekë në muaj. Personat e vetëpunësuar në veprimtari tregtare apo shërbimi ambulante, nga data 1.7.2011 e në vazhdim do të deklarojnë dhe të paguajnë kontribut minimal mujor në shumën 1800 lekë. Personat mbi 16 vjeç, me të ardhura të rregullta nga pronësia e që nuk janë të punësuar diku tjetër, do të paguajnë kontribut vetëm për sigurimin shëndetësor, në masën 7% të pagës mujore minimale, prej 17 540 lekësh. Të vetëpunësuarit në bujqësi do të derdhin kontribut vjetor për sigurimet shoqërore në masën 21 600 lekë, me përjashtim të të vetëpunësuarve që banojnë në rrethet Bulqizë, Dibër, Gramsh, Has, Kolonjë, Kukës, Librazhd, Malësi e Madhe, Mat, Mirditë, Pukë, Skrapar, Tepelenë dhe Tropojë, për të cilët masa e kontributit vjetor është 14 040 lekë. Kontributi i detyrueshëm për sigurimet shoqërore, për personat që punojnë si punëtorë shtëpie do të jetë 1800 lekë në muaj. Për të vetëpunësuarit në bujqësi, mbështetur në ligjin nr.10418 datë 21.4.2011, “Për legalizimin e kapitalit dhe faljen e një pjese të borxhit tatimor e doganor”, paguajnë kontributet për sigurimet shoqërore e shëndetësore, për vitin në vazhdim, pasi të kenë shlyer detyrimet e papaguara për sigurimet shoqërore, që nga data 1.1.2009. Të vetëpunësuarit në bujqësi, të cilët nuk arrijnë të plotësojnë kushtin minimal të vjetërsisë në punë, për të përfituar pension të pjesshëm sipas dispozitave të ligjit nr.7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, mund të kryejnë pagesa kontributesh pas plotësimit të moshës për pension, por me kusht që ato t’u korrespondojnë periudhave para plotësimit të moshës për pension dhe të mos jetë caktuar ende asnjë lloj pensioni.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›