E Shtunë, 31 Tetor 2026

Barnat në spitale, me pullë dhe vulë të kuqe

“Përdorim spitalor, ndalohet shitja”. Kjo do të jetë pulla e re për barnat e spitaleve, të cilat nuk do të tregtohen më në mënyrë të paligjshme në farmacitë private.

Ministria e Shëndetësisë ka vendosur të rrisë sigurinë tek ilaçet, e sidomos tek mënyra e tregtimit të tyre. Nëpërmjet një urdhri të veçantë nga ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, farmacitë që do të tentojnë të tregtojnë këto ilaçe, do t’u hiqet licenca. Sipas ministrit të Shëndetësisë, shtimi i kësaj pulle të re nuk do të ketë kosto shtesë dhe nuk do të reflektojë në çmim për pacientët. Urdhri i ministrit të Shëndetësisë është marrë për të ulur abuzimet, pasi në shumë raste ilaçet e spitaleve shiten jo vetëm brenda tyre, por edhe në tregun farmaceutik. “Me urdhrin më të fundit vendoset që të gjitha barnat që qarkullojnë në strukturat publike spitalore do të kenë në mënyrë të detyrueshme vulën, që obligon përdorimin e këtyre barnave në këtë sistem dhe pamundësinë për lëvizjen e tyre nga qendra spitalore në farmacitë e rrjetit të hapur. Çdo konfeksion që përdoret brenda spitaleve tona do të ketë një vulë të kuqe, lehtësisht të dallueshme, që konfirmon që bari është për përdorim spitalor dhe që shitja e tij nuk lejohet në rrjetin e hapur. Kemi dhe një masë të qartë, e cila bën të mundur në rast se ndonjë i papërgjegjshëm do të guxonte të bënte ndonjë lëvizje barnash nga spitali në farmacitë e rrjetit të hapur, atëherë qëndrimi do të ishte një dhe vetëm një, konstatimi i kësaj shkeljeje do të shoqërohej me ndërprerje të menjëhershme të aktivitetit dhe heqje automatike e licencës. Për të pasur disa elementë më konkretë, vula do të jetë një vulë e kuqe, teksti jo fakultativ por i detyrueshëm dhe është pjesë përbërëse e këtij urdhri, ku shkruhet “Përdorim spitalor, ndalohet shitja”, - ka deklaruar ministri Vasili. Kontrolli i kësaj pulle të re në barnat e spitaleve do të bëhet nga Drejtoria Farmaceutike dhe Qendra Kombëtare e Kontrollit të Barnave.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›