Barnat që do të kenë rimbursimin më të madh për 2009-n
Emanuela Sako
Procesi i diskutimit për barnat me rimbursim ka përfunduar dhe tashmë priten vetëm emrat e barnave që do të përfitojnë pacientët. Specialistët bëjnë të ditur se barnat me rimbursimin më të lartë do të jenë ato që përdoren nga Onkologjiku, Pediatria, sëmundjet e gjakut, veshkave, zemrës etj. Anëtari i Komisionit të Barnave, pranë MSH-së, Nestor Thereska, deklaroi se lista e plotë me emrat e barnave pritet të dalë brenda këtyre tre ditëve. Tashmë ka përfunduar procesi i propozimit dhe diskutimit për hyrjet dhe daljet e reja të barnave apo formë-dozave. Burime nga MSH-ja, pak ditë më parë bënë të ditur se specialistët e Ministrisë së Shëndetësisë kanë hartuar listën e barnave të rimbursueshme për vitin 2009-ë. Propozimet e bëra nga Komisionit i Hartimit të Barnave të rimbursueshme në MSH, tashmë janë dorëzuar pranë Ministrisë së Financave për të bërë përllogaritjet nëse janë të përballueshme ose jo. Aktualisht, Ministria e Shëndetësisë ka mbyllur të gjitha propozimet e listës, si dhe ka parashikuar se cilat nga ilaçet e sugjeruara do të jenë në rimbursimin e këtij viti.
Propozimet
Komisioni i hartimit të listës së barnave, ka propozuar që këtë vit të jenë pjesë e rimbursimit medikamentet për të sëmurët të cilët kryejnë transplantim dhe për pacientët që vuajnë nga sëmundjet e rënda të gjakut, siç është leucemia. Një pjesë e pacientëve që vuajnë nga sëmundje të gjakut (leucemi), sëmundje të veshkave apo të sëmurët mendorë, do të përfitojnë falas një pjesë të barnave. Komisioni, ka shqyrtuar kërkesat dhe ka vendosur që për sëmundjet e rënda, që kërkojnë marrjen e vazhdueshme të kurës me barna të shtrenjta, të përfitohen falas. Lista e re e barnave është mbyllur si çështje nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë. Specialistët e Drejtorisë së Farmaceutikës kanë përzgjedhur sugjerimet nga klinikat e spitaleve, specialistëve, mjekëve nga i gjithë vendi, si dhe firmave farmaceutike.
Lista
Komisioni i hartimit të kësaj liste ka propozuar dy barna të reja dhe shumë të shtrenjta që janë për sëmundjet e gjakut. Këto barna kanë përdorim të shpeshtë nga personat që vuajnë me sëmundjet e gjakut. Projektvendimi për listën e re të barnave ndodhet tashmë pranë specialistëve të ekonomisë, për kryerjen e përllogaritjeve të kostos së saj, për të dalë në konkluzion për mundësitë e përballimit për barnat. Një pjesë e barnave alternative apo e disa formë-dozave, si dhe zëvendësimet e reja të barnave, të cilat kanë qenë pjesë e rimbursimit vitin e kaluar, pritet të dalin jashtë skemës së këtij viti. Një pjesë e barnave, që do të jenë pjesë e listës për të vendosur alternativat më të mira dhe më efikase, përfshijnë kategoritë e pacientëve që vuajnë nga sëmundjet kardiovaskulare, diabeti, prostata, tensioni, sëmundjet e sistemit nervor, frymëmarrja apo hormonet.
ISKSH, në listën e rimbursimit janë 400 barna
Aktualisht në listën e rimbursimit janë afro 400 barna. Ndërkohë që lista e rimursimit ka ndryshuar çdo vit duke shtuar dhe nxjerrë nga lista medikamente të ndryshme. ISKSH-ja organizoi një ceremoni në kuadër të 14-vjetorit të krijimit të saj. Drejtoresha Elvana Hana, u shpreh se në këto vite lista e barnave të rimbursueshme ka pësuar ndryshime thelbësore, sidomos në 4 vitet e fundit. Sipas saj, lista është shtuar me mbi 115 barna të reja, ç’ka sjell një hop cilësor në përmirësimin e trajtimit të sëmundjeve kronike, kryesisht për kategorinë e pensionistëve. Kjo kategori përfiton rreth 90 për qind të rimbursimit në total që jep shteti për shtresat në nevojë, ndërsa pensionistët mbulohen 100 për qind. Aktualisht në listën e rimbursimit janë afro 400 barna të rimbursueshme, të cilat do të shtohen ndjeshëm dhe me vendimin e fundit të qeverisë që pritet brenda disa ditësh. Hana theksoi se krijimi i këtij institucioni i hapi rrugën skemës së sigurimeve shëndetësore. Krijimi i kësaj skeme solli një ndryshim thelbësor në sistemin tonë shëndetësor, edhe pse rruga ka qene e gjatë dhe disa herë problematike. Para 14 vitesh ISKSH futi mjekun e familjes në skemë dhe një listë minimale barnash të rimbursueshme. Tashmë është mbyllur cikli i plotë i futjes së shërbimit parësor tërësisht në skemë dhe tani është përfshirë edhe shërbimi spitalor. Hana u shpreh se për vitin 2009 janë nënshkruar kontratat e reja me 413 qendrat shëndetësore në të gjithë vendin, të cilat përfshijnë për herë të parë një paketë të re shërbimesh në Parësor. Kjo do të ndihmojë shumë për çmimin e shërbimeve, ndihmon qendrat shëndetësore në aktivitetin e përditshëm, si dhe i shërben ISKSH-së dhe Ministrisë së Shëndetësisë për monitorimin dhe hartimin e politikave. Kjo reformë ndryshon mënyrën e funksionimit dhe administrimit të spitaleve, të cilat tashmë kanë një kontratë të mirëdetajuar me ISKSH-në dhe do të menaxhojnë vetë një pjesë të buxhetit. Sipas saj, spitalet fitojnë kështu një autonomi të caktuar në përdorimin e fondeve dhe do të monitorohen nga ISKSH-ja dhe MSH-ja. ISKSH-ja ka hartuar kontratat e reja me të gjitha spitalet publike; 39 spitale nga të cilat 1 spital terciar, 3 spitale universitare, 11 spitale rajonale, 24 spitale te rretheve. Risitë që sjell kontrata me spitalet janë rritje e shkalles së autonomisë, matja e cilësisë dhe performancës së spitaleve, përdorimit të protokolleve të përdorimit, përfshirja në kontratë e një neni mbi me pagesat informale dhe ndëshkimin për përfitime të paligjshme nga pacientët, etj.
1 Maj 2009