Firmoset kontrata e parë e financimit Italian për biznesin e vogël në Shqipëri
Vetëm tre muaj nga dita e prezantimit të Programit të Qeverisë Italiane dhe Qeverisë Shqiptare për zhvillimin e sektorit privat në Shqipëri, janë nënshkruar katër kontratat e para për kreditimin e butë me një shumë totale 1 milionë euro. Për këtë qëllim, janë realizuar 12 fushata promovuese dhe sensibilizuese që përfshinë pothuajse gjithë rajonet e Shqipërisë, në koordinim me dhomat e tregtisë dhe industrisë në Qarqe, agjentët e sistemit bankar, biznesin e vogël e të mesëm, Agjencitë Rajonale për Zhvillim, si dhe kompanitë e konsulencës. Programi për zhvillimin e SME-ve në Shqipëri menaxhon një linjë kredie të qeverisë shqiptare, të ofruar nga Qeveria Italiane për 38 vjet dhe me një vlerë prej 30 milionë eurosh, prej të cilave 25 milionë euro do të shkojnë për kreditimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme shqiptare. Ndërsa 2.5 milionë euro janë destinuar për ndërtimin e Fondit Shqiptar të Garancisë dhe pritet që Skema Pilot e funksionimit të tij t’i paraqitet Komitetit Drejtues të këtij programi brenda muajit maj 2009. Ky fond do t’i vijë në ndihmë sektorit privat shqiptar për të pasur një akses më të lehtë në Linjën e Kredisë specifikisht por edhe në sistemin e kreditimit në përgjithësi. Pjesë e rëndësishme e këtij programi të ideuar nga qeveritë tona është asistenca teknike, seminaret dhe trajnimet e të gjithë grupeve të interesit si: sektorit të SME-ve, sektorit bankar, Albinvestit, Agjencive Rajonale të Zhvillimit, shoqatave të biznesit etj. Ky proces ka përfunduar fazën e parë të tij pothuajse në të gjithë rajonet e vendit me objektiv promovimin, trajnimin dhe evidentimin e nevojave të këtyre grupeve. Në ceremoninë e zhvilluar me këtë rast, ka marrë pjesë zëvendësministri i Ekonomisë, Enno Bozdo, si dhe Ambasadori i Italisë në Shqipëri, Saba D’Elea.
1 Maj 2009