E Shtunë, 31 Tetor 2026

OBSH: ”Shqipëria është e rrezikuar nga gripi i derrave”



Emanuela Sako

Vendi ynë është i rrezikuar nga përhapja e gripit të derrit.
Shefi i OBSH-së, Anshu Banerje, ka dhënë alarmin se gripi i derrave mund të prekë edhe Shqipërinë për shkak të zgjerimit të hartës së prekjes nga virusi. Ai ka kërkuar marrjen e masave më të mëdha nga Ministria e Shëndetësisë dhe vendosjen e maskave në ambientet publike nga të gjithë qytetarët. “Duhet të rriten kushtet e higjienës nëpër ambiente publike dhe të përdoren maskat. Organizata Botërore e Shëndetësisë i kërkon serish Shqipërisë që të marrë masa të forta, për të përballuar gripin e derrave. Shqipëria është e rrezikuar përderisa virusi ka prekur vendet fqinje. Ministria shqiptare e shëndetësisë, po ndjek të gjitha rekomandimet e OBSH-së”,- u shpreh Anshu Banerje.
Komisioni i ekspertëve që është ngritur pranë Ministrisë së Shëndetësisë, po merr të gjitha masat në pikat kufitare, si dhe në Aeroportin “Nënë Tereza”, në Rinas. Specialistë të Institutit të Shëndetit Publik kërkojnë që mjekët të konsiderojnë çdo rast me grip të zakonshëm si të dyshuar nga prekja e gripit të derrit.
Një mbledhje e posaçme është zhvilluar me të gjithë mjekët e shkollave, të poliklinikave dhe Drejtorive të Shëndetit Publik për t’i paraprirë pandemisë.
Ministria
Ministria e Shëndetësisë ka vënë në dispozicion një fond emergjence, prej 10 milion lekësh, për përballimin e situatës në rast nevoje. Ky fond do të rritet në varësi të ecurisë epidemiologjike dhe do të shpërndahet vetëm në rast se gripi do të evidentohet në vendin tonë. Ministria e Shëndetësisë, nxori urdhrin për shërbimin 24 orësh të shërbimit sanitar në të tëra pikat e kufirit. Gjatë takimit me drejtorët e spitaleve të rretheve specialistët e MSH-së udhëzuan spitalet rajonale, për masat që duhet të ndërmarrin për një situatë hipotetike. Strukturat e shëndetit publik në rrethe janë të parat që kanë marrë udhëzimet nga MSH-ja dhe që do të jenë në kontakt për çdo rast të dyshuar me grupin e ekspertëve. Dy ditë më parë, OBSH deklaroi fazën e 5 –të të nivelit të vlerësimit të pandemisë, e cila karakterizohet nga përhapja e virusit nga njeriu te njeriu në të paktën në dy vende në një rajon të OBSH-së. Deklarimi i fazës së 5-të është sinjali se pandemia është shumë pranë dhe koha për të përfunduar organizimin, komunikimin dhe zbatimin e masave të planifikuar të zbutjes është e shkurtër.
Masat
Ministria e Shëndetësisë në bazë të ligjit për sëmundjet infektive, rekomandon që në zbatim të Rregullores Ndërkombëtare, çdo inspektor sanitar apo punonjës shëndetësor në kufi duhet të jetë i pranishëm afër pikës së kontrollit gjatë çdo mbërritjeje të udhëtarëve dhe te vlerësojë gjendjen e udhëtarit të referuar nga policia e kufirit. Inspektorët duhet të udhëzojnë që personat që vijnë nga vendet e prekura në rast se kanë shenja repsiratore të mos dalin nga shtëpia por të kontaktojnë menjëherë mjekun përkatës. Ndërkohë që drejtoritë e shëndetit publik të marrin masa dhe të sigurojnë inspektimin sanitar në kufi. Specialistët e shëndetësisë në pikat kufitare duhet të sigurojnë mjetet e mbrojtjes personale si maska, doreza, dezinfektante etj.
Autoritet shëndetësore kanë bërë të ditur se vaksina Tmiflu, kundër gripit të derrit ndodhet në QSUT, e mbetur stok. Ndërsa në farmaci nuk gjendet për shkak se nuk ka pasur kërkesa nga ana e qytetarëve. Në rast se do të ketë ndonjë emergjencë në ditët e ardhshme, vaksina do të shpërndahet në farmacitë e vendit. Specialistët theksojnë se vaksina ka efekt nëse përdoret Brenda 24 orëve nga momenti që dyshohet se një person është i prekur nga virusi.

Gripi i derrave i afrohet Ballkanit

Gripi i derrave po i afrohet Ballkanit. Në Serbi është dhënë alarmi për rastin e parë të dyshimtë të prekjes nga sëmundja. Lajmi është bërë i ditur në televizionin kombëtar RTS, nga Ministri i Shëndetësisë, Tomica Milosavljevic. Mjekët po i bëjnë analizat një gruaje që kishte ardhur nga Teksasi në qytetin e Novi Sadit, në veri të vendit. Sipas ministrit, përfundimet e analizave do të jepen brenda ditës. Ndërkohë që, është shtuar numri i vendeve europiane, që kanë raportuar për raste të shfaqjes së sëmundjes. Po kështu edhe në Holandë u regjistrua dje i sëmuri i parë me gripin, që është një fëmijë 3-vjeçar. Djali kishte pak kohë që ishte kthyer nga Meksika. Vendet e tjera të prekura nga virusi janë: Meksika, Amerika, Anglia, Austria, Spanja etj.

1 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›