E Shtunë, 31 Tetor 2026

Parashikimi, shqiptarët do të “plaken” më shumë në 10 vitet e fundit

Statistikat parashikojnë rënie të numrit të lindjeve dhe rritjen e moshës mesatare. Faktorët që ndikojnë. Shqipëria fiton karakteristikat e vendeve europiane

Tiranë - Që prej fillimit të viteve ‘90 lindshmëria në Shqipëri ka nisur ciklin e rënies, por duket se rënia më intensive ka nisur në fillim të viteve 2000. Shqipëria, e cila ishte 3.07 milionë gjatë regjistrimit të fundit, është me rreth 10 për qind në 2010-n, në rast se nuk ka emigracion dhe në rast se lindshmëria ulet në mënyrë të moderuar. Do të duhen edhe një apo dy vjet të tjerë në rast se lindshmëria ulet më me shpejtësi (migracioni të mbetet zero). Kufiri prej 10 përqindësh do të arrihet vetëm nga fundi i periudhës njëzetvjeçare të parashikuar, në rast të një emigracioni të madh (dhe një rënie të vogël të lindshmërisë). Ky numër nuk do të arrihet kurrë po qe se emigracioni dhe lindshmëria e ulët kombinojnë pasojat e tyre dhe të dyja kontribuojnë për një kufizim të rritjes demografike: popullsia e Shqipërisë do të arrijë kulmin me 5 për qind mbi rezultatet e
regjistrimit të popullsisë. Krahasuar me pjesën tjetër të Europës, popullsia e Shqipërisë është “e re”, me një përqindje relativisht të madhe personash nën 15 vjeç dhe me përqindje të ulët të të moshuarve me moshë 65 vjeç ose më shumë. Por duket se kjo karakteristikë do të ndryshojë, madje ka filluar të ndryshojë. ”Gjatë njëzet viteve të ardhshme kjo veçori do të ulet më ngadalë. Pesha specifike e të rinjve do të bjerë në mënyrë të dukshme dhe ajo e personave me moshë më të madhe do të rritet progresivisht. Në 2001-shin 29.5 për qind e shqiptarëve ishin fëmijë nën moshën 15 vjeç. Në Francë, në të njëjtin vit, përqindja ishte vetëm 18.8 për qind. Këta tregues janë të kundërt për moshat 65 ose më shumë (Shqipëria: 7.4 për qind, Franca: 16.1 për qind). Kjo është rrjedhojë e historive shumë të ndryshme të të dyja popullsive, kryesisht në fushën e lindshmërisë: në vitin 1960, gratë shqiptare kishin ende një mesatare prej 7 fëmijësh, që tani janë pakësuar në 2.3; Franca e kaloi tranzicionin e saj në lindshmërinë e ulët dy shekuj më parë dhe që atëherë ka kaluar disa dekada me lindshmëri po kaq të ulët, bile edhe më të ulët se ajo e Shqipërisë sot”, - vlerëson Instituti i Statistikave.
Studimi
Në nivel kombëtar ka dy supozime për vdekshmërinë (niveli i vdekshmërisë mbetet i pandryshuar në vitin 2000-2001, ose ulet më ngadalë, drejt shifrave më të favorshme); ato kombinohen me dy supozime për lindshmërinë (lindshmëria ulet deri në 1.8 ose 1.4 lindje të gjalla për grua) dhe dy supozime për emigracionin jashtë vendit (emigrantët çdo vit janë zero ose 0.5 për qind të popullsisë). Kjo rezulton në tetë grupe parashikimesh, të cilat kombinojnë vdekshmërinë konstante ose vdekshmërinë në rënie me: lindshmërinë relativisht të ulët (1.4 fëmijë) dhe me mungesën e emigracionit; lindshmërinë relativisht të ulët dhe 0.5 për qind emigracion; lindshmërinë relativisht të lartë (1.8 fëmijë) dhe me mungesën e emigracionit; lindshmërinë relativisht e lartë dhe 0.5 për qind emigracion. Në nivel rajoni, supozimi i vdekshmërisë është unik dhe i njëjtë për rajone të ndryshme (koeficientet e vdekshmërisë janë konstante në nivelin e tyre të 2000-2001-shit dhe të ngjashme me ato të parashikimeve kombëtare). Ka vetëm një supozim për lindshmërinë, ku koeficienti bie deri në 1.8 lindje për grua, por aty futen dallimet sipas rajoneve. Ka vetëm një supozim për migracionin, që kombinon mungesën e emigracionit jashtë dhe migracionin e brendshëm, duke riprodhuar modelet e 2000-2001-shit. Kjo rezulton në një grup të vetëm parashikimesh. Parashikimet kombëtare jepen për çdo vit, sipas gjinisë dhe moshës (njëvjeçare). Për parashikimet rajonale rezultatet nxirren çdo pesë vjet, popullsia klasifikohet sipas gjinisë dhe grupmoshave pesëvjeçare.
E kaluara
Që nga 1950-a deri në 1990-n, popullsia e Shqipërisë ka përjetuar dekada të një rritjeje të shpejtë të popullsisë, edhe pse shpejtësia e kësaj lëvizjeje është ulur në mënyrë progresive. Lindshmëria ka qenë shumë më e lartë se në çdo vend tjetër të Europës, edhe pse në rënie, vdekshmëria ishte relativisht e favorshme, në përputhje me modelin mesdhetar; shkëmbimet me vendet e huaja me anë të migracionit ishin pothuaj zero dhe
lëvizjet nga një rajon te tjetri në vend ishin shumë të kufizuara. Në çdo fazë të këtij procesi të butë, e ardhmja e popullsisë ishte (dhe s’kishte si të ishte ndryshe) e lehtë për
t’u parashikuar nga ekstrapolimi i tendencave të vazhdueshme. Vitet ‘90 e ndryshuan në mënyrë të konsiderueshme këtë pamje. Rënia e lindshmërisë ka shkuar drejt niveleve që janë më afër standardeve europiane, emigracioni ishte në shkallë të gjerë dhe ka lënë gjurmë të forta në piramidën e moshës, migracioni i brendshëm e ka ndryshuar shumë ekuilibrin midis rajoneve të vendit. Kriza ekonomike dhe politike i ka theksuar shumë tendencat ekzistuese, megjithatë, është vështirë të dallohen njëra nga tjetra. E ardhmja, cilado qoftë ajo, është shumë më e pasigurt se më parë. Përveç këtyre vështirësive, parashikimet e popullsisë fitojnë një shkallë të lartë besueshmërie nga inercia që karakterizon shumicën e tendencave demografike.

Studimi 20-vjeçar, i bazuar në numërimin e vitit 2001

Në vitin 2021, njëzet vjet pas regjistrimit të fundit të popullsisë, mund të vlerësohet se rreth 70 për qind e popullsisë së vendit në atë kohë duhet të ketë qenë e pranishme dhe të jetë numëruar në 2001-shin. Pasiguritë për këtë bërthamë të madhe të popullsisë së ardhshme do të jenë të kufizuara, dhe në veçanti do të mund të dimë me siguri moshën e këtyre personave, meqenëse ata do të jenë njëzet vjet më të mëdhenj në moshë që nga koha e regjistrimit. Kjo është shumë e rëndësishme, sepse mosha është një tregues bazë për nevojat personale, të cilat duhet të plotësojnë shoqëritë. Fëmijët dhe adoleshentët duhet të arsimohen nëpërmjet mësuesve dhe shkollave, të rinjtë e rritur do të kërkojnë punë në tregun e punës, shtëpi kur ata të formojnë çifte, pastaj familje, të moshuarit do të kenë nevojë për mbështetje shëndetësore nga profesionistët dhe kujdes nga të afërmit, nga shteti, apo nga kompanitë private etj. Parashikimi i numrit të fëmijëve të rinj do të japë një tregues të vyer për theksin që i duhet vënë pajisjeve të shkollave. Parashikimet për numrin e personave aktivë që arrijnë moshën e daljes në pension do të varen nga vlerësimet e nevojave për fonde për sistemin e pensionit e të tjera. Parashikimet e popullsisë ofrojnë një instrument bazë për planifikim social dhe ekonomik. “Në faqet që vijojnë, përdoruesit do të gjejnë informacione për tendencat e mundshme të rritjes së popullsisë së Shqipërisë deri në 2021-shin sipas seksit, moshës dhe rajonit. Metoda që kemi zgjedhur dhe supozimet që kemi bërë përshkruhen në pjesën e parë, rezultatet kryesore paraqiten dhe analizohen në pjesën e dytë, kurse shifrat jepen në pjesën e tretë. Popullsia e ardhme e Shqipërisë nuk përshkruhet në një parashikim të vetëm, i cili do të krijonte një ndjenjë të pavërtetë dhe të pakëndshme sigurie. Propozohen një mori tendencash, por përparësi do t’u jepet vetëm tri prej tyre. Ato tregojnë tendenca pothuaj të paevitueshme drejt rritjes demografike dhe plakjes, por shumëllojshmëria e tyre i kujton lexuesit se e ardhmja është ende e pasigurt”, - shpjegon INSTAT-i në përshkrimin lidhur me metodologjinë e përdorur.

Analiza demografike, të dhënat premtojnë ulje të moshës mesatare

Numri i banorëve ndryshon çdo vit në sajë të lëvizjeve të popullsisë. Personat që vdesin dhe ata që emigrojnë janë minuse që kontribuojnë në pakësimin e popullsisë, të porsalindurit dhe të ardhurit janë pluse që e shtojnë numrin e banorëve. Numri i vdekjeve në vit varet si nga numri i popullsisë, ashtu dhe nga rreziku i vdekshmërisë. Kur ekspozohet ndaj kushteve të ngjashme shëndetësore, një popullsi me numër më të madh përjeton një numër më të madh vdekjesh, në krahasim me një popullsi më të vogël. Kushtet higjienike po ashtu luajnë një rol, vdekjet janë më të shumta, kur këto kushte janë të këqija në vend që të jenë të mira. Vetë roli i analizës demografike është të veçojë ndikimin e këtyre dy faktorëve me anë të përllogaritjes së rreziqeve të vdekshmërisë ; raportin e numrit të vdekjeve me numrin e banorëve. Po ashtu përllogariten koeficientet e emigrimit, raporti i numrit të emigrantëve me numrin e banorëve. Nga natyra e tyre, këto raporte janë “të pavarura nga madhësia e popullsisë”. Ato mund të krahasohen nga një vend te tjetri, pastaj masin edhe dallimet në shfaqjen e emigracionit apo dallimet në kushtet shëndetësore. Në rastin e lindjeve puna është disi më e komplikuar. Si mund të interpretoheshin raportet e lindjeve me popullsinë? Personat që tani mund të jenë të pranishëm mund të vdesin apo të emigrojnë vitin tjetër, dhe nuk do të lindin vitin e ardhshëm. Duke e kthyer nga ana e kundërt vështirësinë, merret në konsideratë fakti se gratë që lindin një fëmijë janë (afërsisht) po aq të shumta në numër sa edhe të porsalindurit, pastaj lidhet numri i këtyre grave me numrin e atyre që kanë të ngjarë të bëhen shtatzëna (të themi gratë nga 15-50), duke përllogaritur kështu shkallën e
lindshmërisë. Koeficientet e lindshmërisë janë më të larta kur gratë mesatarisht kanë
më shumë fëmijë.

1 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›