E Diel, 1 Nëntor 2026

Pershkallezohet kriza, 50 kompani fasoni mbyllen, 11 mijë punonjës dalin ne rruge



Ervin KOÇI

Sipërmarrësit e kompanive dhe ndërmarrjeve me fason kanë bërë dje apelin më të fundit për ndihmë nga shteti pasi janë prekur tashmë nga falimentimi. Në një konferencë për shtyp të mbajtur dje përfaqësuesit kryesor të Dhomës Kombëtare të Prodhuesve të Veshjeve, deklaruan hapur prekjen e pjesshme për një pjesë të kompanive me fason nga falimentimi, si dhe mbylljen totale të mbi 10 firmave që tashmë kanë lënë pa punë mijëra punonjës. Sipas nënkryetarit të Dhomës Kombëtare të Prodhuesve të Veshjeve, Sajmir Bidaj, “mbi 50 ndërmarrje ndërprenë punën në vendin tonë për shkak të krizës, ndërsa ka shtuar se si pasojë e kësaj kanë mbetur pa punë mbi 11 mijë punonjës që më parë punonin në këto ndërmarrje”. Bidaj theksoi gjithashtu se, gjatë këtij viti kanë rënë dukshëm eksportet në sektorët e fasonisë. Duke pasqyruar situatën që sipas fasonistëve nuk është aspak premtuese, përfaqësuesit e fasonistëve i bënë apel qeverisë të marrë masat për të ndalur vrullin e krizës në këta sektorë. Për këtë arsye, Bidaj propozoi që qeveria të ndihmojë gjatë kësaj periudhe të vështirë ekonomike firmat duke u paguar sigurimet e punonjësve, të paktën për 6 muaj. Tjetër propozim ishte ai për kredi të buta, si dhe të rimburësohet rregullisht TVSH-ja nga shteti. Sektori i fasonit në Shqipëri, përfshihen më shumë se 400 ndërmarrje që prodhojnë veshje dhe rreth 80 kompani që prodhojnë këpucë, si dh punësohen jo më pak se 100 mijë të punësuar, duke shënuar sektorin më të madh të punësimit në fushën e manifaturimit, me rreth 4,5 miliardë lekë xhiro ekonomike. Përveç fasonistëve, alarmin për krizën e kanë paralajmëruar edhe Dhoma e Tregtisë dhe Konfidustria.

Nisja e krizës

Nga muaji tetor-nëntor i vitit të kaluar (2008), kur u vunë re shenjat e para të ndikimit të krizës në këtë sektor, ato u thelluan në muajt në vijim. Sot numri i ndërmarrjeve që janë mbyllur, ose që janë në prag të mbylljes, apo dhe i atyre që kanë reduktuar në maksimum numrin e punëtorëve dhe që iu mungon likuiditeti për vazhdimin normal të punës, po rritet dita ditës. Numri i punëtorëve të shkurtuar, i atyre që punojnë me ndërprerje për shkak të mungesës së porosive dhe i atyre që janë dërguar në shtëpi, në pritje të lidhjes së kontratave të reja, shënon mbi 11 mijë. Dhoma Kombëtare e Prodhuesve të Veshjeve, e ndërgjegjshme se situata ishte për t’u vlerësuar, i është drejtuar më shumë se njëherë qeverisë shqiptare të merrte masa në mbështetje të biznesit fasonist, me qëllim tejkalimin e pasojave të krizës për një periudhë të caktuar. Por deri tani asnjë masë lehtësuese nuk është marrë, pavarësisht premtimeve të qeveritarëve. Sipas fasonistëve, likuiditeti i munguar është si pasojë e krizës në vendet kontraktore si Italia, Greqia, Gjermania etj, kompanitë e të cilave kanë krijuar probleme të mungesës së likuiditetit për kompanitë shqiptare për këtë periudhë krize. Por qeveria Shqiptare nuk ka ndërmarrë asnjë masë në mbështetje të kësaj gjendje të rëndë të krijuar, duke deklaruar se shifrat e saj nuk tregonin për krizën e sektorit fasonist.

Statistikat

Duke iu referuar shifrave të Qendrës Shqiptare për Tregti Ndërkombëtare të publikuara tre ditë më parë, duket qartë një ngadalësim i dukshëm i rritjes së eksporteve. Në vitin 2007 rritja e eksporteve të fasonit ishte 19 për qind. Në fund të vitit 2008 kjo rritje ishte vetëm 4,5 për qind. Gjatë të njëjtës periudhë importet e fasonit ranë me 5,5 për qind, gjë që do të shfaqej në muajt e parë në eksportet e fasonit. Eksportet e fasonit (veshje + këpucë) shënuan 60 për qind të totalit të eksporteve shqiptare për vitin 2008. Eksportet e veshjeve zunë 44 për qind të eksporteve të fasonit, kurse eksportet e këpucëve vetëm 28 për qind. Industria e përpunimit të këpucëve ra gjatë vitit 2008 me 7 për qind, krahasuar me vitin 2007. Treguesit e tremujorit të parë të 2008 janë më të përkeqësuar. Sipas shifrave zyrtare të INSTAT-it, eksportet janë përkeqësuar me –11.6 % dhe -14,9 %, respektivisht në muajt janar-shkurt 2009, ndërkohë që shifrat e muajit mars që dalin në fund të prillit tregojnë një hendek edhe më të madh.

Fasonistët u goditën nga reforma fiskale e qeverisë

Sipas përllogaritjeve, në një ndërmarrje me 50 punëtorë, ka një humbje të fitimit vjetor prej 1.08 milionë lekë, që është afro gjysma e të gjithë fitimit. Ndërkohë për ndërmarrjet e mëdha në numër punonjësish, humbja e fitimit është akoma më e madhe dhe përllogaritet në mbi 4 milionë lekë. Sipas të dhënave të Dhomë së Prodhuesve të Veshjeve, përllogaritet se në total sektori i fasonit ka një humbje prej rreth 750 milionë lekë. Rritja e kostos si pasojë e bërjes së pagës minimale prej 17.000 lekësh, është rreth 13% më shumë dhe në shifra absolute, kjo rritje është (për një ndërmarrje me 50 punëtorë), rreth 367 mijë lekë më shumë për pagat e punonjësve. Ndërsa ato ndërmarrje me 200 punëtorë kanë një humbje prej rreth 1.3 milionë lekësh më shumë. Paga e punës varion nga 60-70% të shpenzimeve, ndërsa pjesa e sigurimeve shoqërore zë 15–20% të shpenzimeve. Sektorë të tjerë të vendit, këtë zë (shpenzime për paga), e kanë në nivelet 8-10% të shpenzimeve. Në këto kushte, biznesi i fasonit i kërkon me ngulm Qeverisë Shqiptare të ndërmarrë hapa konkretë në mbështetje të mbijetesës së këtij sektori për një periudhë nga 6 muaj deri në 1 vit, pas të cilës sektori do të rikuperojë humbjet nga mungesa e kontratave, nga mungesa e likuiditetit dhe nga rënia e porosive nga jashtë.

Bizneset e fasonit kundërshtojnë rritjen e taksave vendore për gjelbërimin

Dhoma Kombëtare e Prodhuesve të Veshjeve, e cila grupon Shoqatën e Prodhuesve Eksportues të Konfeksioneve prej Tekstili dhe Shoqatën Kombëtare të Prodhuesve të Këpucëve, vlerëson qëndrimin e Qeverisë Shqiptare për të mos lejuar rritjen abuzive të taksave ndaj biznesit të vogël. “Ligji i miratuar së fundmi në Kuvend, shkon në drejtimin e duhur, por ai nuk ka efekt prapaveprues dhe ka dëmtuar financiarisht të gjitha subjektet tona”, -thanë dje fasonistët. Kjo shoqatë, më shumë se njëherë kishte kërkuar që rritja e taksave lokale me më shumë se 1/3 e tarifës brenda vitit (apo me rreth 400 % krahasuar me vitin 2007), në kushtet kur subjektet që prodhojnë me material porositësi, po përballen me krizën globale si rezultat i mungesës së kontratave të punës me partnerët europianë, ishte e palogjikshme, e dëmshme dhe e pamenduar. Kësaj kërkesë të logjikshme të biznesit fasonist, sidomos në Tiranë, nuk iu përgjigj asnjë prej autoriteteve përgjegjëse, duke penalizuar subjektet e biznesit të vogël, që janë duke reduktuar në masë numrin e të punësuarve të tyre dhe në kushtet e paaftësisë së dukshme paguese ndaj shtetit.

1 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›