E Shtunë, 31 Tetor 2026

Parashikimi i INSTAT-it: Në vitin 2021, Tirana dhe Durrësi, të mbipopulluara

Studimi parashikon “zbrazjen” graduale të zonave të thella veriore. Çfarë parashikon studimi mbi lëvizjet migratore në Shqipëri

Tiranë - Të paktën deri në vitin 2021 trajektorja e numrit të popullsisë në Tiranë dhe Durrës do të vijë në rritje progresive. Është pikërisht studimi i Institutit të Statistikave që e konfirmon një fakt të tillë ndërsa detajohen dhe të gjitha burimet dhe origjina e zhvendosjeve. Ndoshta është kjo dhe njëra prej arsyeve se përse në Tiranë dhe Durrës çmimet e banesave nuk pësojnë asnjëherë ulje edhe në kohë krizash. Kërkesa dhe shtimi i popullsisë në këtë rajon është progresive dhe e theksuar. “Rezultatet vënë në dukje rolin e madh që luan migracioni në dinamikën e rajoneve, duke i dhënë një shtysë të madhe Tiranës dhe Durrësit dhe një ngadalësim të dukshëm rritjes demografike të rajoneve, në veçanti Jugut, dhe akoma më shumë, Veriut. Supozimet i kanë mbajtur të pandryshuara shkallët e migracionit të matura në 2000-2001-shin, por duhet marrë parasysh fakti se migracioi i brendshëm është një fenomen i ri në Shqipëri. Qëndrueshmëria e tendencave më të fundit është një çështje e hapur. A do të jenë Tirana dhe Durrësi në gjendje të përballojnë lëvizjet konstante të të porsaardhurve gjatë njëzet viteve të ardhshme? Ka të ngjarë që Veriu dhe Jugu të zbrazen nga popullsia gjatë dy dekadave të ardhshme. Ndoshta do të ishte me vend të kufizohej përdorimi i parashikimit të popullsisë në dhjetë në vend të njëzet viteve dhe të merreshin rezultatet për vitet e mëvonshme si një skenar i thjeshtë, i cili do të meritonte më shumë njohuri për zhvillimin e migracionit në Shqipëri para se ai të mund të konfirmohet apo të përshtatet”, - shkruan raporti i INSTAT-it, i cili parashikon mbipopullimin e pashmangshëm të zonës së Tiranës dhe Durrësit. Migrimi
Vlora, Tirana dhe Durrësi do të kenë nivelin më të ulët të migrimit që përfaqëson 7 për qind të numrit të përgjithshëm të migrimit. Çka do të thotë se këto tri qytete pritet të popullohen dhe të ulet gjithnjë e më tepër numri i personave që largohen. Në vlera relative prefekturat që do të kenë numrin më të lartë të popullsisë së përgjithshme që kanë migruar dhe do të migrojnë janë: së pari Dibra, e ndjekur nga Kukësi, Elbasani dhe Berati. Për sa i përket prefekturave pritëse, Tirana renditet e para, e ndjekur nga Durrësi, Fieri dhe Vlora. 72 për qind e numrit të përgjithshëm të emigrantëve jetojnë në Tiranë dhe në Durrës sipas Regjistrimit të 2001. Rajoni tjetër i rëndësishëm pritës është Fieri, i ndjekur, sipas rëndësisë, nga Vlora, Lezha dhe Elbasani. “Duke analizuar tabelën e migracionit nga prefektura në prefekturë gjatë periudhës 12 vjeçare 1989-2001, dallojmë dy tipa të ndryshëm të migrimit: i pari, migrim në distanca të gjata, i drejtuar në polet kryesore ekonomike në qendër të vendit; i dyti, migrim në distanca disi të shkurtra në drejtim të bregdetit, i cili është një rajon imigrimi dhe emigrimi. Tirana përbën më shumë se gjysmën e zhvendosjeve në prefektura ndërmjet viteve 1989-2001 (136 600 migrantë kanë ardhur nga prefekturat e tjera nga i gjithë vendi). Durrësi është zona e dytë më tërheqëse dhe ka më shumë se 18 për qind të migrantëve (44 900). 36.5 për qind (92 300) e migrantëve jetonin në prefekturën e Kukësit dhe të Dibrës në vitin 1989; 70 për qind e migrantëve nga Kukësi dhe Dibra. I njëjti raport zhvendosjeje ka prirjen të jetë konstant deri në vitin 2021”, - thekson raporti i INSTAT-it, i cili bazohet në shifrat bazë të vitit 2001.
Tranzicioni
Ka vetëm një grup unik parashikimesh për rrethet, që zbatohen për katër entitete të shoqëruara me të njëjtin nivel vdekshmërie, me shkallë të ndryshme lindshmërie, duke ruajtur hendeqe të pandryshuara midis lëvizjeve të rajoneve dhe lëvizjeve të brendshme të popullsisë që konvergojnë nga Veriu, Jugu, dhe Qendra drejt rretheve të Tiranës dhe të Durrësit Krahasimi i migrimit të brendshëm neto (imigrantë – emigrantë), sipas prefekturave dhe numrit të përgjithshëm të popullsisë banuese në 1989, është paraqitur në tabelën 3. Pra, siç vumë re, prefekturat që janë pranë zonave verilindore të vendit kanë një emigracion neto negativ (bilanci i migracionit), i cili përfaqëson më shumë se 20 për qind të popullsisë vendase të vitit 1989 (-29 për qind në Kukës –21 për qind në Dibër). Më fjalë të tjera, më pak se 1/3 e popullsisë së tyre u largua nga prefektura për t’u vendosur në një prefekturë tjetër brenda vendit. Prefekturat e vendosura në pjesën e brendshme të Shqipërisë kanë humbur 11 për qind (Berat dhe Gjirokastër) dhe 7 për qind
(Korçë, Elbasan dhe Shkodër) për shkak të migrimit të brendshëm. Migrimi, teorikisht, mund të ndikojë në dallimet e të ardhurave dhe të standardeve të jetesës, duke krijuar në këtë mënyrë një ekuilibër relativ ndërmjet burimeve natyrore dhe potencialeve
të prodhimit në rajon. Duket që karakteri kaotik dhe shpërthyes i emigracionit të brendshëm në Shqipëri ka krijuar disa çrregullime ekonomike, sociale dhe demografike në prefekturat pritëse. Në të gjitha prefekturat janë vërejtur dallime të mëdha në nivelet e imigrimit, të cilat mund të shihen në raportin e imigrantëve kundrejt popullsisë rezidente në 2001-shin.

Studimi, efektet anormale të imigrimit në 20 vitet e fundit

Imigrantët e prefekturave të Tiranës dhe të Durrësit përbëjnë përkatësisht 23 për qind dhe 18 për qind të popullsisë së përgjithshme banuese në vitin 2001. Në prefekturat e Vlorës, Lezhës dhe Fierit, ky tregues është përkatësisht 9 për qind, 7 për qind dhe 6 për qind, ndërsa në prefekturat e tjera ky tregues është në një nivel të papërfillshëm, nën 3 për qind. Me gjithë faktin që migrimi në përgjithësi mendohet të ketë ndikim pozitiv në popullsinë pritëse, këto nivele të imigrimit në zonat si Tiranë dhe Durrës, kanë pasur pasoja negative, ndër të cilat mund të përmendim: Procesi i integrimit të imigrantëve është i vështirë dhe pothuajse i pamundur. Përvoja ka treguar që është i mundshëm një nivel i mirë i integrimit vetëm në qoftë se imigrimi është i rregullt dhe jo ne nivele të larta. Imigrantët kanë krijuar disekuilibër në të gjitha elementet e ekosistemit të pajisjeve
Urbane, si: banesat, kanalizimet, ujësjellësit, infrastruktura, energjia elektrike, arsimi etj. Ky disekuilibër përkeqëson treguesit e standardit urban të jetesës. Kjo do të thotë që ne do të kemi një rritje të nivelit të urbanizimit dhe ulje të nivelit të urbanizmit që përfaqëson mënyrën urbane të jetesës. Një dinamikë e tillë e imigrimit bën të nevojshme rritjen e investimeve të karakterit demografik dhe gjithashtu është i shoqëruar me fenomene të tilla si rritje e papunësisë dhe e tregut informal etj. Migrimi ndërmjet prefekturave sipas zonave urbane/rurale dhe statusi i migrimit. Migrim gjithashtu do të thotë një modifikim i mënyrës së jetesës, veçanërisht kur migrantët vijnë nga zonat rurale dhe vendosen në zonat urbane. Megjithatë, duke marrë parasysh faktin që vetëm 22 për qind e jo-migrantëve jetojnë në qytet, migrimi ka intensifikuar urbanizimin e qytetit. Pothuajse të gjitha prefekturat me një bilanc pozitiv migrator kanë pësuar një rritje të popullsisë urbane. Për më tepër, 62 për qind të imigrantëve në Durrës dhe 62 për qind e atyre të Elbasanit janë vendosur në zonat urbane. Gjatë periudhës 1989-2001, Dibra, Fieri dhe Lezha patën nivelin më të lartë të imigrimit më karakter rural. Vlora, Durrësi dhe Tirana patën nivelet më të ulëta. Në këto prefektura, përveç Tiranës, është vënë re një përforcim i urbanizimit të migracionit. Krahasimi me periudhën 2000 - 2001 flet për imigrim rural, që është veçanërisht i lartë në zonat e vjetra të emigrimit.

1 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›