E Shtunë, 31 Tetor 2026

Part-time; Miratohet javën e ardhshme

Javën e ardhshme do të marrë fund pritshmëria e maturantëve dhe të gjithë atyre, që dëshirojnë të vazhdojnë studimet e larta me kohë të pjesshme. Burime zyrtare nga Ministria e Arsimit kanë bërë të ditur se tashmë udhëzimi është gati dhe pritet të miratohet javën e ardhshme, kur do të kenë mbaruar regjistrimet e fazës së tretë në sistemin me kohë të plotë në universitetet publike.

Kuota e kritere

Shumica e shkollave nuk do të kenë kuota, duke hapur dyert për të gjithë aplikantët. Sipas burimeve nga Universiteti i Tiranës, degët që nuk preferohen nga studentët, si Biologjia, Fizika e të tjera do të jenë të liberalizuara. Por, në këtë kategori, Universiteti i Tiranës ka propozuar edhe Fakultetin e Ekonomisë, i cili do të pranojë të gjithë studentët që aplikojnë, pas miratimit nga Këshilli i Ministrave. Sakaq, departamentet e tjera do të kenë kuota.

Gjatë prezantimit të kuotave, dy muaj më parë, rektori i Universitetit të Tiranës, Dhori Kule, bëri publike edhe rihapjen e sistemit me kohë të pjesshme në Fakultetin e Drejtësisë, i cili nuk ka ofruar kuota për këtë sistem prej dy vitesh. Në këtë mënyrë, në Universitetin e Tiranës do të ketë edhe 400 studentë, që do ta ndjekin këtë shkollë pa shkëputje nga puna, në Fakultetin e Drejtësisë.

“Pra, ky është një tjetër sistem i ligjshëm, që krijon hapësira për të gjithë maturantët që mbarojnë studimet në këtë vit shkollor”, - tha prof. Kule, duke shtuar se Universiteti i Tiranës do të krijojë të gjitha mundësitë, që maturantët të përfshihen gjerësisht në shkollat e larta.

Sipas të gjitha të dhënave, Matura Shtetërore nuk do të jetë një ndër kriteret e përzgjedhjes së kandidatëve për studentë as në universitetet publike. Burime nga Ministria e Arsimit bënë të ditur se përzgjedhja për kandidatët që kanë përfunduar shkollën e mesme përpara vitit të kaluar akademik, do të mjaftohen me mesataren e shkollës së mesme dhe jo me pikët e grumbulluara nga Matura Shtetërore.

Data e nisjes

Sistemi me kohë të pjesshme në universitete nuk do të nisë më 10 nëntor, sipas zyrës së shtypit të Ministrisë së Arsimit dhe të Shkencës. Në këtë datë do të nisin studimet vetëm studentët e viteve të dyta e më lartë, ndërkohë që studentët e rinj do të nisin në një datë ende të pacaktuar. Data e nisjes së studimit për studentët e rinj do të përcaktohet në vendimin e pritshëm të Këshillit të Ministrave.

“Sipas udhëzimit të ministrit të Arsimit, më datë 10 nëntor do të nisë sistemi me kohë të pjesshme vetëm për studentët që janë aktualisht të regjistruar në këtë sistem, pra për vitet e dyta, të treta dhe të katërta”, – ka thënë për “standard” zëdhënësja e Ministrisë së Arsimit, znj. Ermelinda Muho. “Ndërkohë, për studentët e rinj do të pritet vendimi përkatës i Këshillit të Ministrave, që do të përcaktojë edhe datat e regjistrimit të studentëve në universitete.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›