E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ruli, në krah të importuesve të naftës për çmimin

Nafta nuk është ulur në vendin tonë, ashtu sikur ka ndodhur me çmimin e saj në tregjet ndërkombëtare, pasi importuesit tanë kanë kosto për ta sjellë atë deri në tregun vendas. Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës ka dalë në krah të importuesve të karburanteve, duke justifikuar mosreflektimin e uljes së çmimit në tregun shqiptar. I pyetur dje nga gazetarët, ministri Ruli ka mbrojtur qëndrimet e importuesve shqiptarë, për sa i përket mbajtjes së çmimit në nivele të larta, krahasuar me ato në tregjet botërore. Ministri Ruli duket se legjitimon çmimet e larta të karburanteve në treg. Sipas tij, çmimet në Shqipëri nuk kanë reflektuar rënien e bursave ndërkombëtare, pasi kompanitë rëndohen nga kostot e transportit, si dhe nuk kanë mundësi financiare për të siguruar rezerva të mëdha nafte dhe benzine. Këto kanë qenë argumentet e ministrit Ruli, që i kanë ardhur për shtat më shumë importuesve të karburanteve, të cilët mezi kanë mundur të ulin çmimin e naftës deri në 2 ose 3 lekë për litër, krahasuar me ato muaj kur çmimi në bursë ishte deri në 145 dollarë për fuçi. Por duket se argumentet që kanë dhënë ministri Ruli bien ndesh me justifikimet e vetë tregtarëve të karburanteve, të cilët në të shumtën e rasteve, pak ditë pasi ka rënë çmimi në bursë, justifikohen se ata nuk mund ta ulin çmimin pasi ende kanë në depozita naftën që e kanë importuar kur çmimi në bursë ishte ende i lartë. Ky ka qenë si refren i grosistëve të naftës, nuk ulet çmimi se depozitat mbajnë naftë që është blerë shtrenjtë. Nëse do t’i referohemi argumentit të ministrit Ruli se ata s’kanë depozita, i bie që nafta në treg të jetë më e lirë se ajo që është aktualisht, pasi në tregjet botore nafta nga dita në ditë po pëson ulje. Së dyti, duke iu referuar argumentit tjetër që jep ministri Ruli, se importuesit shqiptarë paguajnë koston e transportit, duket se edhe ai bie përballë realitetit. Vendi ynë e merr naftën nga vendet fqinje, kryesisht importet i ka nga Greqia, kështu që kostoja nuk është aq e lartë sa do të ishte nëse nafta do të importohej nga vendet e Lindjes apo gjetkë.

Pak ditë më parë biznesi prodhues i grupuar pranë Konfindustrisë kërkoi ndërhyrjen e shtetit, pasi tregu i karburanteve në vend është i deformuar, për sa u përket çmimeve. Sipas tyre, nëse tregu shqiptar do të reflektonte çmimet e bursave, çmimi i naftës në Shqipëri duhej të ishte deri 20 për qind më i lirë. Sipas tyre, çmimi i lartë i naftës rrit koston e prodhimit të industrive prodhuese dhe përpunuese. Që prej fundit të muajit korrik, kur nafta arriti në bursa rekordin historik të 145 dollarëve për fuçi, çmimet kanë rënë me më shumë se 84 dollarë. Ndërkohë që në tregun tonë të karburanteve, rënia ka qenë me vetëm 30 lekë për litër. Aktualisht, në pikat tona të karburanteve, nafta D2 shitet me 133 lekë për litër, nafta e cilësisë së parë ose ndryshe eurodizel me 138 lekë për litër, ndërsa benzina me 140 lekë për litër. Biznesi i prodhim–shërbimeve kreu pak kohë më parë një studim në tregun e karburanteve, ku konstatoi se abuzimi me çmimet llogaritej në rreth 15 lekë.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›