E Diel, 1 Nëntor 2026

“Shokohet” Godo; Poliklinika, me shumë reparte, por pa mjekë

Ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo, inspektoi dje qendrat shëndetësore në Vorë, Gërdec e Manzë, ku ka parë nga afër situatën. Sipas saj, prioritet i MSH-së do të jetë përmirësimi i shërbimit, si edhe pajisja me aparatura të nevojshme dhe specialistë

Një godinë me shumë reparte, por fatkeqësisht pothuajse jofunksionale. Aparaturat jashtë funksionit dhe për më tepër mungesë të mjekëve specialistë. Kjo është gjendja aktuale e qendrës shëndetësore në zonën e Vorës. Ndonëse ka një godinë me strukturë të mirë, mungesa e elementeve më thelbësore e nxjerr poliklinikën jashtë përdorimi për banorët përreth. Shqetësimi është bërë prezent gjatë inspektimeve të ministres së Shëndetësisë, Anila Godo, ditën e djeshme në zonën Vorë–Gërdec–Manzë. Ajo është ndalur fillimisht në Bashkinë e Vorës.

Mungesat

Pas tragjedisë së Gërdecit, në zonën e Vorës është kërkuar rikonstruksioni i ambulancës, për të cilën ministrja e Shëndetësisë shprehu mbështetjen e saj, pas një preventivi të qartë dhe konkret nga ana e autoriteteve vendore.

Më pas Godo është ndalur në qendrën shëndetësore të Vorës, e cila mban edhe peshën më të madhe të shërbimit mjekësor për zonën. Vora ka një qendër të madhe shëndetësore, e cila mbulon 50 mijë banorë. Pas takimit me drejtuesit dhe mjekët e kësaj qendre, ajo u shpreh se “ne pamë një godinë me shumë reparte, por fatkeqësisht pothuajse jofunksionale”. Aparaturat janë jashtë funksionit dhe për më tepër duhet një ndërhyrje urgjente infrastrukture për t’i dhënë pamjen e një poliklinike të vërtetë, si dhe sjelljen e mjekëve specialistë të fushës”.

Më pas ministrja e Shëndetësisë e vazhdoi vizitën e saj në qendrën shëndetësore të Marqinetit, e cila ishte rikonstruktuar nga fondacioni “Adria” dhe mbulonte nevojat e banorëve me një shërbim mjaft të mirë.

Gjatë vizitës së saj në qendrën shëndetësore të Gërdecit, ministrja e Shëndetësisë, u vu në dijeni me problemin e personelit për zhvendosjen e kësaj qendre më në zemër të fshatit Gërdec, me qëllim mbulimin më lehtë të tërë banorëve në nevojë. Gjithashtu, vuri theksin në ndërtimin e një qendre rehabilitimi për banorët, projekt i cili është në hapat e parë të tij.

Së fundi, ministrja Godo ndaloi në Bashkinë Manzë, ku u takua me drejtuesit e bashkisë dhe personelin e Qendrës Shëndetësore. Pas takimit, znj. Godo u shpreh:

“Kjo qendër shëndetësorë mbulon rreth 30 mijë banorë dhe me të drejtë kërkohet dhe është i nevojshëm një shërbim urgjence 24-orësh. Ky projekt i është nisur tashmë Institutit të Sigurimeve shëndetësore. Kjo qendër është një nga qendrat model si për ambiente, ashtu edhe për higjienën, por unë do ju kërkoja më shumë sensibilizim të grave për të bërë ekzaminime të tilla, si paptest e mamografi. Aparatura e paptestit dhe shërbimi falas i tij, është një fat që ju nuk duhet ta neglizhoni”.

Ministrja Godo u shpreh se vitin që vjen mund të gjendet një zgjidhje më e mirë në bazë të këtij projekti të mbështetur nga Banka Botërore, për rikonstruksionin dhe pajisjen qoftë me kapacitete njerëzore profesionale, qoftë me pajisje mjekësore të këtyre qendrave shëndetësore.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›