E Hënë, 2 Nëntor 2026

Tirana, çdo objekt në fotografim satelitor

05/03/2005  Kompania “Intaspace Turk”, fituese për të përgatitur hartat dixhitale

Një kompani turke do të përgatis të gjitha hartat topografike dixhitale të zonave të Tiranës. Në muajin korrik të këtij viti do të bëhet dhe konkursi mes studiove të arkitekturës, për të hartuar planin rregullues të të gjithë Tiranës dhe në prill të vitit të ardhshëm do të kemi një studim urbanistik të kryeqytetit.

“Janë dy faza të fundit, të cilat do të realizohen nëpërmjet ndihmës së pakursyer të Qeverisë së Mbretërisë së Holandës dhe ekipit të Bankës Botërore, i cili u vu në dispozicion të këtij procesi, duke garantuar fondin prej 1,4 milionë dollarësh, dhënë nga Qeveria e Mbretërisë së Holandës dhe duke strukturuar të gjitha modalitetet e konkurseve, të cilat do të çojnë në realizimin e plotë të një Plani Rregullues të Tiranës, në fund të prillit të vitit të ardhshëm”, tha kryetari i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama.

Dje kompania “Intaspace Turk” filloi punën për të realizuar pararelisht hartografimin dhe atë të përgatitjes së sistemit GIS. Kjo kompani doli fituese në procesin e monitoruar nga Banka Botërore, ku u paraqitën 18 kompani ndërkombëtare të specializuara në fushën e hartografimit dhe GIS-it. Ndërkohë javën tjetër, do të shpallet hapja e konkursit për studion e urbanistikës dhe të arkitekturës që do të realizojë Planin Rregullues të Tiranës. Sipas parashikimeve, në korrik të këtij viti do të kemi studion fituese dhe në fund të prillit të vitit të ardhshëm do të kemi Planin Rregullues.

Në hartë dhe sistemi i kanalizimeve

Hartat dixhitale nga kompania turke do të pasqyrojnë situatën aktuale të qytetit, jo vetëm në plan por edhe në vendosjen dhe në shtrirjen në lartësi të objekteve. Pra, do të jetë një bazë topografike dixhitale, tre-përmasore, e cila do të ketë të integruar edhe të gjithë informacionin ekzistues për elementët kryesorë të infrastrukturës së qytetit, që nga hartat dhe planet te rrjetet e furnizimit me ujë, me energji, te telefonia fikse, te rrjeti i kanalizimeve të ujërave të bardha e të zeza dhe gjithçka tjetër që përmban territori. Është një bazë që do të realizohet në sistemin koordinativ të qytetit dhe kështu do të ketë një identitet të plotë dhe në hartat dhe në projektet ekzistuse.

Kontroll mbi taksimin

Objektet në hartën dixhitale lëvizin me një gabim nën 1 metër të çdo lloji objekti. Kështu do të kemi mundësi që të kemi një kontroll të plotë edhe mbi të gjithë situatën e taksimit në qytetin e Tiranës. Ky sistem do të mundësojë disponimin e të gjitha të dhënave për detyrimet fiskale, në raport me taksën, me pronën, e cila është një nga taksat më të rëndësishme të qytetit. Njëkohësisht sistemi do të jetë i hapur, do të garantojë përditësimin e vazhdueshëm nëpërmjet futjes së të gjitha të dhënave të reja.

Indentifikimi i ndërtimeve pa leje

Këto harta do të ndihmojnë në punën për zonat informale, për identifikimin e të gjitha godinave në këto zona dhe do të lehtësojë punën për planet e përvitshme, që do të jenë pjesë e Planit të Madh Rregullues, për stimulimin e integrimit urban në këto zona. Po ashtu, ky sistem do të bëjë krejtësisht më të kontrollueshme dhe më të thjeshtë punën për legalizimin në zonat informale, pasi të gjitha deklaratat e pronësisë do të mund të kontrollohen nëpërmjet këtij sistemi, pa pasur nevojë për kontrolle me metër në dorë.

Puna

Plani është parashikuar të përgatitet në dy faza:

Faza e parë: 1. Hartografimi dhe përgatitja e sistemit GIS (Mars 2005-Qershor 2005)

Faza e dytë: 2. Përgatitja e planit rregullues

2. a. Shpallja e Konkursit Ndërkombëtar për përgatitjen e Planit Rregullues të Tiranës dhe përzgjedhja e studios fituese (Mars-Qershor 2005)

2.b Përgatitja e Planit Rregullues të Tiranës (Korrik 2005-Prill 2006)

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›