E Diel, 1 Nëntor 2026

Nano-Karamanlis: Formula evropiane për statusin e Kosovës

05/03/2005  Qeveria greke garanton përmirësim të statusit të emigrantëve shqiptarë

Kryeministri Fatos Nano ka ndarë të njëjtat qëndrime me qeverinë greke, lidhur me çështjen e statusit të Kosovës. Sipas Nanos, "ne dhe qeveria greke e pranojmë formulën evropiane për statusin e Kosovës, e cila mbështetet mbi standarde demokratike dhe ligjore, që garantojnë barazinë dhe mbrojtjen në nivelet e legjislacionit dhe të realitetit evropian të të gjithë qytetarëve të Kosovës". Deklarata e Kryeministrit Nano ka ardhur pas takimit të zhvilluar në shtetin helen me autoritetet më të lartë të vendit. Gjatë një konference për shtyp, Nano tha se "nxitja e dialogut të drejtpërdrejtë mes të gjithë kryeqyteteve të rajonit, mes serbëve dhe shqiptarëve në Kosovë, krahas dialogut mes Beogradit dhe Prishtinës, Beogradit dhe Tiranës, apo segmenteve të tjera të diplomacisë dhe të politikës, që shoqëron nismat e bashkëpunimit rajonal dhe të integrimit të rajonit në Evropë, është përgëzuar nga të dyja palët". Duke komentuar vizitën e dy ditëve më parë të Kryeministrit Karamanlis në Beograd dhe Kosovë, Nano tha se "ai kishte gjetur më shumë kuptim dhe angazhim për të punuar për perspektivën evropiane të të dy kryeqyteteve dhe një kuptim më të favorshëm nga autoritetet e Beogradit për karakterin e pakthyeshëm të zhvillimeve në rajon e në Kosovë". Gjithashtu, kreu i ekzekutivit shqiptar ka theksuar se në diskutimet e tij me përafqësuesit e shtetit dhe qeverisë greke është kërkuar intensifikimi i bashkëpunimit mes dy vendeve. Kjo, sipas tij, i shërben zhvillimit të mëtejshëm të marrëdhënieve shqiptaro-greke, dhe kontributeve të përbashkëta në konsolidimin e progresit evropian në rajon. Ndërkohë që gjatë takimit me Kryeministrin Karamanlis, Nanos i është konfirmuar se "Athina zyrtare do të punojë më shumë në drejtim të përmirësimit të statusit të 650 mijë emigrantëve shqiptarë në Greqi". Gjithashtu, Karamanlis ka përgëzuar Kryeministrin Nano për progresin e Shqipërisë në drejtim të integrimit të pakicave greke.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›