Barnatorja publike në Skenderaj shndërrohet në kafene

AKP-ja është duke tentuar ta qartësojë statusin e ish-barnatores publike në Skenderaj. Në objektin e saj është hapur një restorant. Megjithatë, zyrtarë të këtij institucioni e kanë qartësuar vetëm faktin se ata nuk e kanë dhënë me qira këtë lokal.
“AKP-ja nuk e ka lëshuar me qira, as tashti e as në të kaluarën lokalin në fjalë”, ka deklaruar Ylli Kaloshi, zëdhënës i AKP-së. “Agjencia Kosovare e Privatizimit është në proces të shqyrtimit të statusit të objekti në fjalë, ish-barnatorja e qytetit në Skenderaj dhe aktualisht nuk mund të themi se është pronësia e saj shoqërore dhe a bie, apo nuk bie nën juridiksionin e AKP-së kjo ish-barnatore”, thuhet në fund të përgjigjes së AKP-së, shkruan Koha ditore.
Megjithatë, në këtë hapësirë, tashmë është bërë një biznes. Nga ana tjetër, askush në Komunë nuk është në gjendje të thotë se kush e ka dhënë në shfrytëzim me qira këtë lokal.
Zëdhënësi i Komunës, Hajriz Koci, nuk u është përgjigjur pyetjeve të KD-së. Por shefi i inspektorëve, Afrim Hetemi, ka treguar se kjo kafene është vizituar nga inspektorët.
“Pronari nuk ka prezantuar asnjë dokument se nga kush e kishte marrë lokalin në shfrytëzim e as se a e ka regjistruar biznesin, andaj atij i është dhënë një afat prej 7 ditësh që të veprojë sipas procedurave ligjore”, ka thënë Hetemi. As pronari i restorantit në fjalë, Habib Miftari, nuk i është përgjigjur interesimit të KD-së, kurse më herët është ankuar se ka bërë investime në meremetimin e objektit, të cilin pretendon se e ka marrë me qira, por nuk ka treguar nga kush dhe se kujt ia paguan qiranë.
Se objekti ka qenë në pronësi publike, më herët e kanë pohuar edhe drejtues të ish-Shtëpisë se Shëndetit, tashti QKMF-së, në Skenderaj. Drejtori i saj, dr. Fazli Kadriu, ka pranuar se objekti është blerë nga ish-BVI-ja e banimit në vitet ‘80 dhe se më 2002, objektin e kishte marrë në shfrytëzim Korporata Farmaceutike e Kosovës, por se në maj 2005 ua kishte kthyer prapë. Fazliu, të martën, nuk ka pranuar të prononcohej për gazetën me arsyetimin se nuk është i informuar asgjë për ndodhitë e fundit rreth objektit.
Ndërkohë, Agjencia Kosovare e Privatizimit ka kërkuar nga QKMF-ja dhe Komuna e Skenderajt, dokumentacionin e pronësisë së këtij objekti, në të cilën kërkesë është përgjigjur Drejtoria e Shëndetësisë “Ne iu kemi përgjigjur AKP-së, duke ia dërguar kontratën e shitblerjes nr. 33, të 21 janarit 1983, të lidhur midis ish-Shtëpisë së Shëndetit dhe BVI-së së Banimit, në të cilën shihet se Shtëpia e Shëndetit ka paguar nga 25.500 dinarë për një metër katror të barnatores, për t'u bërë pronare”, ka treguar dr. Osman Veliu, drejtor i DSHMS-së, i cili ka thënë se janë në pritje të përgjigjes së AKP-së. /Indeksonline/