Baroso: Për Shqipërinë ka rëndësi progresi
Kryeministri Sali Berisha dha dje nga Varshava garanci për zgjedhje të lira e të ndershme më 28 qershor. Kreu i qeverisë shqiptare ftoi në Tiranë partitë popullore evropiane që të vëzhgojnë zgjedhjet. Duke folur në Kongresin e Partive Popullore Evropiane që po mbahet në Varshavë, Kryeministri Sali Berisha tha se e djathta do t‘i fitojë zgjedhjet në Shqipëri. Gjatë qëndrimit në Varshavë, Kryeministri ka pasur takim edhe me presidentin e Komisionit Evropian, Hose Manuel Baroso. "Po punojmë shumë mirë me Shqipërinë. Është e rëndësishme të bëni progres. Nuk dua të jem specifik për data, por po punojmë në mënyrë specifike me Shqipërinë", mësohet të jetë shprehur Baroso. "Ndonëse jam i vendosur për të pranuar dhe respektuar çdo verdikt të kombit tim, kam kënaqësinë t‘ju informoj se ne do t‘i fitojmë këto zgjedhje, sepse shqiptarët janë njerëz të mençur, ata e dinë se të votosh majtas do të thotë të votosh për mure dhe ata nuk do të votojnë për mure, do të votojnë për horizonte, për horizonte që shndërrohen në realitet, horizonte që, me ndihmën tuaj, do të shndërrohen në realitet përsëri", u shpreh Berisha.