Takimi i fundit në seancën e 11 majit
Megjithëse do edhe dy javë që të mbyllet zyrtarisht mandati katërvjeçar i Kuvendit, për deputetët tashmë puna pothuajse ka mbaruar. Sipas kalendarit të punimeve, ata do të paraqiten për herë të fundit në seancën e 11 majit dhe pastaj do të presin zgjedhjet e 28 qershorit për të parë se kush do të kthehet sërish në sallën e Kuvendit. Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, ka preferuar t‘i mbledhë gjithë projektligjet e mbetura në një seancë të vetme, duke mbyllur kështu edhe punën e komisioneve parlamentare. Ndryshe nga vitet e kaluara, në këtë vit nuk patën mundësi që të raportonin për punën e tyre vjetore shumë institucione kushtetuese, megjithëse kanë më shumë se dy muaj që kanë depozituar në Kuvend raportet e tyre vjetore. I vetmi që ka arritur të lexojë raportin e punës vjetore në Kuvend ka qenë guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani. Ndërsa të tjerët i kanë paraqitur në komisione dhe i kanë mbrojtur raportet e tyre, por nuk kanë mundur të informojnë gjithë Kuvendin.