Tre evenimente për gjeniun italian Pier Paolo Pasolini
Petrika GROSI
Tre aktivitete të veçanta do të organizohen këtë muaj nga Instituti Italian i Kulturës, Biblioteka Kombëtare dhe Teatri Kombëtar në Tiranë, kushtuar figurës së shquar të kulturës, mendimit dhe publicistikës, artistit të shumëanshëm dhe të papërsëritshëm italian, Pier Paolo Pasolini. Aktiviteti i parë është një konferencë me titullin “Pasolini, poeti i hirit”, e cila do të mbahet nga Roberto Kiesi, për të pasuar me dy aktivitetet e tjera siç është ekspozita fotografike “Ungjilli sipas Pasolinit”, që do të çelet këtë fundmuaj në Bibliotekën Kombëtare për të mbërritur kështu tek aktiviteti i tretë; shfaqje teatrore me regji të Antonio Piovanelit, në sallën e Teatrit Kombëtar në kryeqytet. Instituti Italian i Kulturës bën të ditur se konferenca “Pasolini, poeti i hirit” e kritikut të kinemasë, Roberto Kiesi, i dedikohet Pasolinit si poet, gazetar, shkrimtar, piktor dhe regjisor. Ajo do të shërbejë që publiku shqiptar të zhvillojë më tej njohjen e punës dhe jetës së Pasolinit. Gjithashtu, do të kujtohen edhe shkrimet dhe filmat e artistit të njohur. Sa i takon ekspozitës fotografike që do të zhvillohet në Bibliotekën Kombëtare nga kuratorja Anxhela Tromellini, shefe e Arkivit Fotografik të Kinotekës së Bolonjës, publiku do të ketë mundësinë të shohë fotografi të shkëputura nga filmi “Ungjilli sipas Mateut”. Kështu kalojmë te evenimenti i tretë që është shfaqja teatrore e titulluar “Pasioni Pasolini” e Antonio Piovanelit; Bëhet fjalë për autobiografinë në vargje të zgjedhura të Pier Paolo Pasolinit, e cila do t’i prezantohet spektatorit në mënyrë esenciale; vetëm dy karrige në një platformë dhe një sfond i zi. Trupi i aktorit, në një komplet linoje të bardhë, pak i hequr, që hyn si rit në zhgënjimin e jetës së përditshme vetmitare. Poeti na bën të njohim dhe të ndiejmë përmes vargjeve të tij Italinë fshatare që po transformohej asokohe pak e nga pak në një vend të borgjezisë së re, ende në fazat e para të konsolidimit të saj. Antonio Piovanelli, që do të realizojë këtë performancë, ka kryer studimet në shkollën e Teatrit të Vogël në Milano dhe është diplomuar në Qendër Eksperimentale të Kinematografisë në Romë për të bashkëpunuar më pas me regjisorë filmash si vëllezërit Taviani, Bernardo Bertoluçi, Marko Belokio, Xhuliano Montaldo etj., por edhe me regjisorë teatri si Luçino Viskonti, Xhorxho Steler, Oracio Kosta, Xhankalro Kobeli, Anxhelo Saveli, etj. Prej shumë vitesh Piovaneli shfaqet nëpër skena të ndryshme si aktor dhe ambasador i poezisë latine dhe italiane me interpretime të Virgjilit, Dantes, Alfierit, Pasolinit etj., duke marrë gjithandej sukses sa i përket vlerësimit të publikut dhe kritikës.
Jeta e Pasolinit
Pier Paolo Pasolini lindi më 5 mars 1922 në Bologna, një nga qytetet perëndimore, më tradicionale të Italisë. Ai ishte i biri i një ushtari, Karlo Albertos, i cili ishtë bërë i famshëm për shpëtimin e jetës së Musolinit, ndërsa e ëma, Suzana Kolusi ishte një mësuese filloreje. Familja e Pasolinit u shpërngul për në Koneljano në vitin 1923 dhe dy vjet më vonë, për në Beluno, ku lindi edhe djali tjetër, Guidalberto. Më 1926-n, babai i Pasolinit u arrestua për borxhe bixhozi, ndërsa e ëma u transferua në shtëpinë e prindërve, në Kasarsa, rrethinë e Friulit. Pasolini nisi të shkruajë poema që në moshën shtatë vjeçare, i frymëzuar nga bukuria e Kasarsas. Në një kohë pak më të vonë Pasolini nisi të lexojë vepra të Dostojevskit, Tolstoit, Shekspirit etj., si dhe të braktisë pasionin e tij për fenë. Kur ai ndiqte gjimnazin në Rexhio Emilia, njohu mikun e tij të parë të ngushtë, Luçiano Sera. Bashkë me disa shokë të tjerë si Ermes Parini, Franko Farolfi dhe Elio Meli, Pasolini formoi një grup të dedikuar diskutimeve letrare. Më 1939-n Pasolini diplomohet dhe nis punë në Kolegjin e Letërsisë të Universitetit të Bolonjës. Ai zbuloi në vetvete një interes të veçantë për filologjinë dhe artet figurative. Pasolini merr pjesë edhe në garën sportive e kulturore të Qeverisë Fashiste. Në vitin 1941, bashkë me Françesko Leonetin, Roberto Roversin e disa djem të tjerë ai vendos që të publikojë një gazetë poetike, të cilën nuk e nxjerr dot për shkak të mungesës së letrës. Poemat e Pasolinit, të kësaj periudhe përfshinin fragmente me dialekt friulian, të cilin ai e kishte mësuar prej së ëmës. Po të njëjtin vit, ai do të botojë një sërë poemash për të cilat do të vlerësohet mirë nga intelektualët dhe kritika. Po kështu, mirë do të priten edhe punët e tij në pikturë. Më pas Pasolini bëhet kryeredaktor i revistës “Gjëagjëza”, por do të pushohet shpejt nga puna për shkak të konflikteve me drejtorin. Pasi kryen një udhëtim në Gjermani ai braktis bindjet fashiste për të përqafuar komunizmin.
Gjatë Luftës II Botërore ai kapet rob nga gjermanët megjithatë arrin të dallohet ndër ushtarët e tjerë dhe kështu kthehet në Kasarsa. Këtu ai bashkohet me një grup fansash të dialektit friulian dhe kërkon që t’i japë këtij dialekti status të njëjtë me atë të dialektit zyrtar të Udines. Gjatë kësaj kohe Pasolini fillon të japë mësim në shkollën ku punonte e ëma. Në këtë kohë i vritet i vëllai në një kurth të ngritur ndaj tij. Gjashtë ditë më vonë themelohet Akademia e Gjuhës Friuliane. Pasolini bashkohet gjithashtu edhe me shoqatën “Bashkimi për Autonomine e Friulit”. Akademia publikoi në 1946-n një koleksion me poezi të titulluar “Ditaret”. Në tetor ai kreu një udhetim drejt Romës dhe në muajin maj niset të shkruajë të ashtuquajturat “Fletoret e kuqe”. Me ndihmën e akademisë do të botohen dy vepra të tij; drama “Kapelani” dhe përmbledhja poetike “Të qarat”. Në vitin 1954 Pasolini lë mësimdhënien dhe transferohet në Monteverde ku publikon përmbledhjen e parë me poezi dialektike të titulluar “La meglior gioventu”. Nuk vonon as novela e tij e parë “Ragazzi di vita” që botohet në vitin 1955. Një sukses i dukshëm e shoqëron punën e tij por që u pritet pa ndonjë entuziazëm të madh nga qeveria italiane. Kështu Pasolini shndërrohet në viktimë të akuzave të medias së shkruar. Më 1957-n, Pasolini sëbashku me Serxhio Sitin shkruajtën dialogje në dialektin roman për filmin “Netët e Kabirias” të Federiko Felinit. Kalojnë tre vjet dhe ai do të shfaqet për herë të parë si aktor në ekranin e madh me filmin “Il gobbo” (Kurriozja). Ndërkaq, filmi i parë i Pasolinit si regjisor dhe skenarist ishte “Akatone” në vitin 1961, i xhiruar në lagjiet periferike të Romës. Pas këtij filmi pati shumë polemika e skandale. Në vitin 1963 vjen filmi “La ricotta”, i cili përfshihej në koleksionin e filmave rogopag dhe që do të sekuestrohet. Pasolini reagon ndaj këtij akti duke e quajtur si fyerje që shteti italian bën kundrejt artistit. Që në vitin 1961, Pasolini niset për një udhëtim bashkë me Elsa Moranten dhe Alberto Moravia-n drejt Indisë, Sudanit dhe Kenias, ndërsa në vitin 1963 do të udhëtojë edhe në Gana, Nigeri, Guine, Jordan e Izrael, ku filmon dokumentarin “Appunti për un’Orestiade africana”. Më 1968-n Pasolini merr pjesë në Festvalin e Filmit në Venecia me filmin “Teorema”. Më 1970-n ai ble një kështjellë të vjetër pranë Vitebros ku shkruan novelën e tij të fundit, të titulluar “Petrolio”. Dy vjet pas këtij momenti Pasolini fillon bashkëpunimin me shoqatën ekstremiste të majtë “Lufta vazhdon”, e cila sponsorizon edhe dokumentarin “Bombardimi i Piaca Fontanës”. Po të njëjtin vit Pasolini do të bashkëpunojë edhe me gazetën më të rëndësishme italiane “Corriere della Sera”. Më 2 nëntor të vitit 1975 kufoma e tij gjendet pa jetë në plazhin e Ostias, pranë Romës. Trupi i Pasolinit ishte shtypur në mënyrë makabre disa herë me një makinë. Pas kësaj ngjarje arrestohet Pino Pelosi, i cili e pranon autorësinë e vrasjes së Pasolinit, por më 7 maj të vitit 2005 rihapen hetimet për këtë çështje, pasi Pino Pelosi përgënjeshtron deklaratën e bërë më parë, duke thënë se vrasësi ishte dikush tjetër dhe që e kishin kërcënuar me zhdukjen e familjes së tij nëse do të tregonte të vërtetën për këtë krim.
10 Prill 2009