E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mitrovicë, gjendja në veri e qetë, por jo e qëndrueshme

PRISHTINË-Gjendja e sigurisë në veri është e qetë, por jo e qëndrueshme, u vlerësua sot në takimin e Komitetit për Siguri Publike të Komunës së Mitrovicës.
Nënkryetari i komunës, Riza Haziri, tha se aktet e dhunës nga ana e strukturave paralele serbe në veri pas operacionit të policisë për vendosjen e kontrollit doganor në pikat kufitare në veri kanë demaskuar fytyrën e vërtetë të politikës së Beogradit që dirigjon me këto grupe.

Nënkryetari Haziri theksoi se operacioni i policisë për kthimin e kontrollit doganor në veri është mirëpritur nga qytetarët që e duan rendin dhe ligjin.
Në anën tjetër, ai tha se ende rrugët magjistrale në veri mbeten të bllokuara. Haziri shfaqi shpresën se me angazhimin e institucioneve vendore dhe ndërkombëtare do të tejkalohet edhe ky problem në mënyrë që atje të nisë çtensionimi i situatës.
Ndërsa drejtori për Mbrojtje dhe Shpëtim, Behxhet Bala, tha se rrugët e bllokuara kanë krijuar vështirësi për banorët shqiptarë që jetojnë në fshatrat shqiptare të Komunës së Leposaviqit. “Për shkak të pamundësisë për të qarkulluar nëpër rrugën magjistrale ne jemi detyruar që dy herë brenda një jave t’u ndihmojmë me ushqime dhe mjete higjienike”, bëri të ditur ai.

Në anën tjetër, Avni Zaiti nga Policia rajonale e Kosovës në veri, pasi konfirmoi se rrugët magjistare ende mbeten të bllokuara, foli për masat e ndërmarra për verifikimin e dëmeve që janë shkaktuar nga aktet e dhunës në veri.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›