S’hiqen barrikadat
Dita “D”, siç e ka quajtur ditën e takimit, mes kryetarëve të komunave në veri të Kosovës, i dështoi kryenegociatorit Borislav Stefanovic.
Rrugët do të vazhdojnë të jenë të bllokuara. Kjo do të ndodhë pasi takimi që është planifikuar të mbahet mes udhëheqësve të katër komunave paralele në veri të Kosovës, ku do të merrej vendim për heqjen e barrikadave, u ndërpre.
E arsyetim i ndërprerjes së takimit, i cili zgjati jo më shumë se 10 minuta, ishte mungesa e përfaqësuesve të Zubin Potokut aty.
Kështu të paktën tha Slavko Stevanovic, kryetar i Kuvendit Komunal të Leposaviqit. Sipas tij, kryetarët e kuvendeve nga Veriu që ishin të pranishëm në seancë, ranë dakord ta shtyjnë këtë mbledhje.
“Kemi vendosur që secila komunë ta mbajë ndaras takimin në të cilin do të diskutohet rreth marrëveshjes”, ka sqaruar Stefanovic, derisa nuk ishte në gjendje të japë një datë apo ditë të saktë, se kur do të mbahet kjo seancë e përbashkët.
Menjëherë pas ndërprerjes së kësaj seance, foli edhe vetë kryetari i Komunës së Leposaviqit, Branko Ninic. Sipas tij, nëse kjo mbledhje nuk do të shtyhej, rrugët tashmë do të ishin zhbllokuar. “Shtabet komunale të krizës në Veri, ishin të vendosur mbi heqjen përfundimtare të barrikadave, të cilat ishin vendosur në rrugët në veri të Kosovës”, ka thënë Ninic. Megjithatë, Branko Ninic nuk e përjashtoi mundësinë që ky shtab në të njëjtën ditë kur u anulua kjo mbledhje, të marrë një vendim mbi këtë çështje gjatë ditës.
Janë të vegjël
Kurse kryetari i Komunës, për të cilën edhe u anulua kjo mbledhje, ka dhënë një arsyetim për mospraninë e tij në seancën e së martës. I ashtuquajturi kryetar i Komunës së Zubin Potokut, Sllavisha Ristiq, ka deklaruar se serbët e Kosovës janë të vegjël për të vendosur për çështje të mëdha të popullit serb. “Jemi të vegjël që të vendosim mbi largimin e barrikadave që janë vendosur në rrugët e Veriut të Kosovës. Për këtë çështje duhet të vendosë Parlamenti i Serbisë”, ka thënë Ristiq. Madje Ristiq ka paralajmëruar se këshilltarët e kësaj komune nuk do të marrin pjesë në asnjë takim në Leposaviq.
Reagon Serbia
Ndërprerja e mbledhjes ka zgjuar reagime të shumta edhe te zyrtarët e lartë të Serbisë. Ministri serb për Kosovën, Goran Bogdanoviq e ka cilësuar si “mesazh të keq” ndërprerjen e mbledhjes së përfaqësuesve të serbëve të Veriut, në të cilën do të duhej të flitej për marrëveshjen me KFOR-in dhe heqjen e barrikadave.
“Kjo çka ka ndodhur në Leposaviq jep një mesazh të keq për qytetarët, sidomos të Veriut të Kosovës”, ka thënë ai. “Ajo për çka jemi angazhuar dhe kemi luftuar, ajo që kemi pasur këto ditë, ai uniteti i domosdoshëm, mendoj se është thyer sot”, ka vlerësuar Bogdanovic. Kurse kryenegociatori serb, Borislav Stefanoviq ka thënë se "u krijua artificialisht ideja se serbët do ta pranojnë marrëveshjen dhe do t’i heqin barrikadat".
Pas disa ditë negociatash mes KFOR-it, zyrtarëve të Qeverisë në Prishtinë dhe në Beograd, është arritur pajtueshmëri për një plan 10 pikësh, në pikën e parë të të cilit kërkohet heqja e barrikadave. Ka qenë presidenti serb, Boris Tadiq, ai që u duk se i bindi serbët lokalë për heqjen e barrikadave, pas një takimi të veçantë që pati me përfaqësues të katër komunave në Beograd. Megjithatë, situata në terren mbetet e njëjtë. Banorët serbë po vazhdojnë t’i mbajnë të bllokuara rrugët që çojnë në Jarinje dhe Bërnjakë, aty ku ndodhet pika kufitare 1 dhe 31 në veri të Kosovës.
Gjendja, sipas ekspertëve vendorë
Komiteti Lokal për Siguri Publike i Komunës së Mitrovicës ka vlerësuar gjendjen e sigurisë në veri të qetë, por jo edhe stabile. Nënkryetari i Komunës, Riza Haziri tha të martën se aktet e dhunës nga ana e strukturave paralele serbe në Veri, pas operacionit të policisë për vendosjen e kontrollit doganor në pikat kufitare në Veri, kanë demaskuar fytyrën e vërtetë të politikës së Beogradit, që dirigjon me këto grupe. Sipas tij, strukturat e sigurisë dhe autoritetet përgjegjëse duhet të vënë para drejtësisë të gjithë ata që kanë vrarë, djegur dhe shkatërruar në këtë pjesë të Kosovës. Haziri shtoi se rrugët magjistrale në Veri ende mbeten të bllokuara. Ai shfaqi shpresën se me angazhimin e institucioneve vendore dhe ndërkombëtare do të tejkalohet edhe ky problem, në mënyrë që atje të ulen tensionet.