E Shtunë, 31 Tetor 2026

Barroso: “KE-ja do të mbështesë aplikimin e Shqipërisë në BE”



Komisioni Europian do të punojë ngushtë me qeverinë shqiptare në mënyrë që Shqipëria ta përfitojë sa më shpejt statusin e kandidatit si anëtare me të drejta të plota për në Bashkimin Europian. Një fakt të tillë e ka theksuar dje vetë Presidenti i Komisionit Europian, Hoze Manuel Barroso, gjatë një mëngjesi pune të titulluar “Të jetosh Europën”, në të cilin ishte i pranishëm edhe kryeministri shqiptar, Sali Berisha. Në panelin e drejtuar nga Barroso u fol me nota vlerësuese për ecurinë e reformave në Shqipëri, duke treguar optimizëm për hapat e mëtejshme të tyre, duke shpresuar kështu në një përshpejtim të procesit të anëtarësimit të vendit tonë drejt strukturave europiane.
Ndërkaq, bëhet e ditur se në këtë panel ka qenë i pranishëm edhe kryeministri i Suedisë, vendi që do të pasojë presidencën çeke në kryesimin e Bashkimit Europian, i cili u shpreh i gatshëm për ta ndihmuar Shqipërinë në rrugën e anëtarësimit. “Ne do ta shqyrtojmë shpejt kërkesën e Shqipërisë për vend kandidat në BE dhe mbështesim plotësisht perspektivën europiane të këtij vendi”, - mësohet të jetë shprehur ai në panelin “Të jetosh Europën”, edhe në prani të kryeministrit shqiptar, Sali Berisha. Në këtë mënyrë, ai ka lënë të kuptohet se edhe pas presidencës çeke, e cila duhet thënë se ka kontribuar pozitivisht ndaj Shqipërisë gjatë drejtimit të BE-së prej saj, vendi ynë do të vijojë ta ketë të garantuar mbështetjen edhe prej presidencës së re suedeze, për një anëtarësim sa më të shpejtë të saj në strukturat europiane.

1 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›