Kuvendi i Shqipërisë mbyll punimet më 11 maj
Seanca e fundit plenare për Legjislaturën XVII do të mbahet më 11 maj, e cila do të shënojë dhe mbylljen e sesionit të tetë parlamentar, i nisur më 19 janar. Kalendari zyrtar i punimeve parlamentare për periudhën trijavore (23 prill-14 maj) ka parashikuar mbledhjen e Kuvendit në muajin maj në vetëm një seancë, atë të datës 11 maj. Axhenda e Parlamentit për këtë mbledhje të fundit të tij është planifikuar shumë e ngjeshur, me një rend dite që përfshin rreth 15 pika. Ndonëse punimet e Kuvendi mbyllen rreth mesit të majit për t’ia lënë vendin fushatës elektorale të 28 qershorit, për zgjedhjen e Parlamentit të ri, sipas Kushtetutës, mandati zyrtar i institucionit më të rëndësishëm legjislativ në vend përfundon në të njëjtën datë, të të njëjtit muaj të vitit të katërt, nga data e mbledhjes së parë. Sipas Nenit 65 të Kushtetutës, "Kuvendi zgjidhet në çdo 4 vjet dhe mandati i tij fillon me mbledhjen e parë të tij pas zgjedhjeve dhe përfundon në të njëjtën datë të të njëjtit muaj të vitit të katërt nga data e mbledhjes së parë. Në çdo rast, Kuvendi qëndron në detyrë deri në mbledhjen e parë të Kuvendit të ri të zgjedhur". Nga ana tjetër, Kodi zgjedhor, Neni 9, pika 2, thotë se "me vendim të Kuvendit, mbyllja e legjislaturës ose shpërndarja e tij bëhen jo më shpejt se 45 ditë para datës së caktuar për zgjedhjet, dhe jo më vonë se 30 ditë para kësaj date".
PD-ja reagon ndaj ankimimit të PS-së në Gjykatën Kushtetuese
Deputeti demokrat, Edi Paloka, njëkohësisht anëtar i Komisionit parlamentar për hetimin e procedurave të dhënies së lejeve të ndërtimit nga Bashkia e Tiranës, u shpreh dje se nuk ka asnjë predispozitë ligjore që të ndalojë funksionimin e këtij komisioni. Një ditë pasi Bashkia e Tiranës dërgoi në Gjykatën Kushtetuese çështjen e hetimit parlamentar ndaj këtij institucioni, anëtari i Komisionit, Paloka, pohoi për mediat se pavarësisht ankimimit, hetimi mund të vijojë normalisht. “Misioni vazhdon dhe ai është vetëm një pretekst që Rama, si në shumë raste të tjera, jep për të shmangur hetimin që i bëhet atij dhe vartësve të tij në Bashki. Nuk ka asnjë predispozitë ligjore që të ndalojë Komisionin parlamentar të funksionojë. Arsyet që nxjerr Rama janë të pabaza dhe janë thjesht pretekste për shmangien e hetimit”, - tha Paloka. Deputeti demokrat theksoi se “pas punës trijavore të Komisionit, në bazë të rezultateve të tij, do të ndjekim dhe anën ligjore duke i çuar dosjet në Prokurori”.
1 Maj 2009