Berisha ia ngec Kuvendit të ri “proçkën” me Greqinë
Shaban Sulçe
Thellohet gjithnjë e më tej skandali i qeverisë “Berisha” për marrëveshjen, e cila i dhuron shtetit grek pjesë të konsiderueshme të territorit shqiptar detar. Qeveria dhe kryeministri Berisha kanë refuzuar që ta kalojnë për diskutim në Kuvendin aktual marrëveshjen në fjalë, ndërkohë që mësohet se është vendosur që miratimi i kësaj marrëveshjeje të bëhet vetëm në Kuvendin e ri, që do të formohet pas zgjedhjeve të 28 qershorit. Ndërkaq është shtuar presioni në drejtim të qeverisë për marrëveshjen në fjalë. Deputetë të opozitës e kanë akuzuar dje kryeministrin Berisha se ka fshehur përmbajtjen e kësaj marrëveshjeje dhe për këtë arsye kanë kërkuar nga qeveria që ta sjellë urgjentisht atë në Kuvend. Kërkesa për njohjen e kësaj marrëveshjeje është bërë nga deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, ndërkohë që zëvendëskryetari dhe deputeti i LSI-së, Pëllumb Xhufi, në qëndrimin e tij ka qenë mjaft i ashpër ndaj kryeministrit Berisha. Xhufi e ka akuzuar kryeministrin se me marrëveshjen që ka bërë me qeverinë greke ka shkelur rëndë dhe në mënyrë flagrante Kushtetutën e vendit.
Braçe
Nënkryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Erion Braçe, tha se nuk mund të bënte asnjë koment konkret për sa kohë ai dhe kolegët e tij të opozitës nuk janë njohur me përmbajtjen e marrëveshjes së nënshkruar nga qeveria shqiptare dhe qeveria greke. Braçe tha se Kuvendi duhej të ishte mbledhur në seancë plenare për të diskutuar në lidhje me këtë çështje, por se kjo mbledhje është zëvendësuar nga turi “I Love Mama”, që po zhvillon kryeparlamentarja Topalli. ”Për sa kohë që në Kuvend nuk ka asnjë dokument të tillë dhe për sa kohë që ky dokument nuk është publik, apo nuk është dokument zyrtar pune, në Kuvend rezervojnë të drejtën për të folur, sepse nuk e njohim”, - tha deputeti socialist, Erion Braçe.
Xhufi
Kryetari i Grupit Parlamentar të LSI-së, Pëllumb Xhufi, e akuzoi qeverinë se kishte shtyrë enkas zhvillimin e seancës parlamentare në mënyrë që të evitonte debatin për një çështje me rëndësi dhe interes të madh kombëtar, siç ishte marrëveshja e dhurimit të territorit detar shtetit grek. Xhufi tha se kjo është një hile tinëzare e kryeministrit Berisha. Ai e akuzoi kryeministrin se ka shkelur rëndë dhe në mënyrë flagrante Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. “Me moszhvillimin e seancës së sotme maxhoranca ka dashur të evitojë debatin për këtë problem, që është çështje e ditës dhe që preokupon më shumë shqiptarë. Është lënë vetëm një herë të mblidhet Kuvendi dhe natyrisht, dy marrëveshjet, e kufirit dhe e varrezave, do t’i ngelen Parlamentit të ardhshëm. Këtu ka një llogari tinëzare të keqe të bërë nga Berisha, i cili do t’i përdorë këto dy marrëveshje që u hartuan për të mos kompromentuar fushatën elektorale dhe me shpresën se në rast se do të fitojë, atëherë mund të justifikohet në faktin që populli na e dha votën. Janë llogari të zgjuara që Berisha i bën me mendjen e vet, por jo me partnerët e tjerë”, - ka thënë Xhufi. Ai ka deklaruar se mungesa e transparencës dhe veprimi më i fundit i maxhorancës lë vend për dyshime për cenim të rëndë të Kushtetutës dhe interesave kombëtare. “Marrëveshja ka hyrë me përshpejtim nga pala greke. Sipas medias, fakti që janë përdorur harta greke është akoma më skandaloze, se tregon shkallën e papërgjegjshmërisë dhe papërgatitjes së palës shqiptare për të përballuar një problem të tillë. Akoma më shumë ka deformime të vijës detare. Nëse është e vërtetë, siç shkruhet në gazeta sot, dhe nuk është respektuar parimi themelor i ndarjes detare, kjo është në dëm të interesit të Shqipërisë dhe duhet parë në raport me Kushtetutën. Kemi një shkelje flagrante të integritetit territorial të Shqipërisë e bërë nga qeveri shqiptare, e cila do të japë llogari për këtë shkelje”, - ka deklaruar zëvendëskryetari i LSI-së, Pëllumb Xhufi. Marrëveshja e zbardhur nga mediat bën fjalë për përcaktimin e 150 koordinatave të reja, çka do të thotë se qeveria shqiptare i ka dhuruar Greqisë rreth 225 km2 sipërfaqe ujore dhe grekët afrohen 11 kilometra drejt Karaburunit. Por ndërkohë çështja ka marrë përmasa edhe më serioze, kur ish-ministri i Jashtëm, Besnik Mustafaj, ka deklaruar se kjo marrëveshje ka lidhje me burimet e naftës në territorin që dhurohet.
1 Maj 2009