Barroso: Misioni i BE, i ligjshëm
• Presidenti i Komisionit Evropian, Hose Manuel Barroso, tha dje se misioni civil i Bashkimit Evropian në Kosovë nuk ka shkelur asnjë ligj ndërkombëtar."Sipas opinionit tonë, misioni i BE-së nuk është në kontradiktë me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe ligjet ndërkombëtare", tha ai në një konferencë të përbashkët me Kryeministrin britanik, Gordon Braun. "Në fakt, Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së autorizon organizatat ndërkombëtare, përfshirë edhe Bashkimin Evropian për të vendosur prani ndërkombëtare civile në Kosovë", tha Barroso. Sipas tij, rezoluta autorizon Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, që me asistencën e organizatave ndërkombëtare të vendosë një prani ndërkombëtare civile në Kosovë", për të mbikëqyrur "transferimin e autoritetit nga institucionet provizore të Kosovës në institucione të formuara me një marrëveshje politike", shtoi Barroso.