Meta: Rama prishi koalicionin
• Reforma zgjedhore “divorcon” LSI-në nga koalicioni me PS-në. Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, deklaroi dje shkëputjen nga koalicioni opozitar.Aristir LumeziMeta fajësoi kryetarin e PS-së, Edi Rama, për këtë shkëputje të LSI-së nga blloku opozitar i kryesuar nga PS-ja dhe anuncoi krijimin e një koalicioni të ri opozitar, “E majta për integrim”. Menjëherë pas mbledhjes së kryesisë, Ilir Meta gjatë një konference për shtyp komunikoi arsyet që çuan LSI-në në këtë vendim. “Koalicioni opozitar ka pushuar së funksionuari që pas zgjedhjeve të 18 shkurtit 2007 dhe për këtë, përgjegjësia kryesore bie mbi lidershipin e Partisë Socialiste, Edi Rama”, ishte deklarata e parë e Ilir Metës.Sipas kreut të LSI-së, “vendimet e rëndësishme për çështje madhore politike, por edhe për reformat, janë marrë sistematikisht në mënyrë të njëanshme”. “Bashkëpunimi i hapur dhe luajal midis opozitës për hir të reformave madhore integruese, është kthyer në një lidhje jo transparente dhe personale mes lidershipit të PS-së dhe PD-së. Pasoja më e rrezikshme e kësaj marrëdhënieje jo transparente dhe jo parimore është pikërisht shkatërrimi i reformës zgjedhore gjoja në emër të integrimit në NATO”, deklaroi Meta. Nisur nga ky fakt, Meta u shpreh se, “në mënyrë të përsëritur është kërkuar arritja e një konsensusi midis partive të opozitës, si dhe mbledhja e komisionit parlamentar për Reformën Zgjedhore, por në vend të gjetjes së një konsensusi sa më të gjerë brenda opozitës dhe brenda vetë këtij komisioni, lidershipi i PS-së ka zgjedhur bojkotimin e koalicionit opozitar, si dhe bllokimin e programuar të komisionit parlamentar për Reformën Zgjedhore, duke preferuar koalicionin e mbyllur “të listave të mbyllura” dhe “interesave të mbyllura”. Ndërkohë, kreu i LSI-së, Meta, deklaroi se, “LSI-ja ndjen përgjegjësitë e saj publike dhe kombëtare për të denoncuar këtë rrezik që i kanoset demokracisë dhe integrimit të vendit nga riciklimi i lojërave të përsëritura dhe me kosto të jashtëzakonshme për demokracinë dhe stabilitetin politik të vendit”.Koalicion i riKëtë shkëputje nga koalicioni me PS-në, LSI-ja do ta shoqërojë me krijimin e një koalicioni të ri opozitar, duke i ndarë në dysh forcat politike opozitare. Duke afirmuar vendosmërinë për mbrojtjen e votës së shqiptarëve, Meta në deklaratën e tij, vuri në dukje se, “LSI-ja do të punojë me të gjithë forcat e faktorët e përgjegjshëm politikë, në Parlament e jashtë tij, madje edhe brenda PS-së dhe PD-së, për të shpëtuar vendin nga masakra elektorale e radhës”. “Ne besojmë se jo vetëm politika shqiptare, por edhe e majta në përgjithësi, që sot hyn në një fazë të re cilësore dhe vendimtare për të ardhmen. Ndaj, në kushtet e inekzistencës dhe prishjes së njëanshme nga PS-ja, të koalicionit të vjetër opozitar, në emër të kryesisë së LSI-së iniciojmë ndërtimin e koalicionit të ri opozitar ‘E majta për integrim’, i cili do të synojë integrimin dhe përfaqësimin e të gjithë kontributeve të të gjithë shqiptarëve që besojnë tek vlerat e vërteta të së majtës, progresit dhe integrimit”, u shpreh Meta.PërplasjetKoalicioni aktual i partive opozitare, arriti kulmin e tij, edhe pse me shumë probleme gjatë zgjedhjeve vendore të shkurtit 2007. Megjithëse partitë opozitare parashtruan kërkesa të shumta për bashki dhe komuna, pjesa më e madhe e tyre u plotësuan, me shkëmbim garantimin e fitores së Bashkisë së Tiranës. Ky bashkëpunim ishte më i theksuar mes Partisë Socialiste dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim, e cila ishte përcaktuese në fitoren e Tiranës. Por pas saj, konstituimi i këshillave bashkiake dhe komunare dhe zgjedhjet në qarqe, sollën defektet e para të këtij bashkëpunimi, ku PS-ja kërkonte të ruante dominimin e saj. Por marrëdhëniet e koalicionit opozitar u ashpërsuan me rastin e zgjedhjes së presidentit, ku u paraqitën shumë kandidatura edhe të propozuara nga partitë e tjera opozitare, por që në fund presidenti u zgjodh nga krahu i maxhorancës. Që pas zgjedhjes së presidentit, koalicioni pushoi së funksionuari duke e konsideruar atë vetëm një koalicion zgjedhor. Këtë gjë e tregoi qartë negocimi për reformën zgjedhore, në të cilën PS-ja u mbështet vetëm tek PD-ja, ndërsa Rama vazhdimisht ka kërkuar me elektoratin një aleancë përtej partive politike. Neritan Ceka“Nuk ka vepruar tryeza opozitare”Presidenti i Partisë Aleanca Demokratike, Neritan Ceka, deklaroi dje se, “nuk ka një koalicion, por në fakt ka një opozitë që vepron bashkë dhe një tryezë opozitare, por kohët e fundit ka munguar transparenca në lidhje me reformën zgjedhore”. “Natyrisht me një bazë të tillë nuk ka fitore, por vetëm humbje, kështu që bashkëveprimi është i pamundur. Reagimi i LSI-së ka qenë i qartë. Reagimet tona janë gjithashtu të qarta, sepse të gjitha partitë e tjera përveç PS-së kanë nënshkruar një dokument ku kërkojnë një sistem të personalizuar proporcional, ku të eliminohet fenomeni Dushk dhe të jepet mundësia që koalicionet të realizohen pas zgjedhjeve”, deklaroi Ceka. Sipas tij, “vetëm në këtë formë do të duket edhe forca e çdo partie, do të hiqet dhe ajo që quhet klientelizëm partiak dhe çdo parti do të provojë sesa e fortë është në zgjedhje”. Paskal Milo“PS-ja nuk iu përgjigj thirrjes për tryezë”Kreu i PDS-së, Paskal Milo, ende nuk ka një qëndrim në lidhje me deklaratën e LSI-së për shkëputjen nga koalicioni me PS-në. Para disa javësh Milo i dërgoi një letër kreut të PS-së dhe partive opozitare, në të cilën kërkonte mbledhjen e tryezës së partive opozitare. Qëllimi i kësaj tryeze do të ishte unifikimi në një qëndrim i çështjeve për reformën zgjedhore. Milo u shpreh se, “PS-ja asnjëherë nuk iu përgjigj domosdoshmërisë së mbledhjes së tryezës sonë, në të cilën ne jemi mbledhur për gjëra edhe shumë më pak të rëndësishme se reforma zgjedhore”. Kërkesa për këtë tryezë erdhi pas përcaktimit nga partitë parlamentare të kërkesave për reformën zgjedhore, ku kërkuan sistem proporcional të personalizuar, prag jo më të lartë se 2.5 për qind dhe lista të hapura të kandidatëve.Skënder Gjinushi“S’mund të ketë dy koalicione”Kreu socialdemokrat, i cili ka hedhur prej kohësh idenë e federatës së majtë, e cila fillon me PS-PSD tha dje se, “nuk mund të ketë dy koalicione opozitare në Shqipëri”. Duke komentuar ndarjen e LSI-së nga koalicioni Gjinushi u shpreh se, “nuk e di se çfarë do të thotë largim, sepse në fund të fundit si të gjitha partitë dhe PSD-ja ende nuk e di se cila do të jetë taktika elektorale, se çfarë do të jetë në raport me sistemin që do të aplikohet”. “Por nëse deklarimi do të thotë ikje nga e majta dhe kalim në të djathtë, atëherë ky është vullnet politik i çdo partie dhe këtë s’ia këshillojmë askujt. Ne si PSD nuk kemi ndërmend që të shkojmë djathtas. Nëse flitet për deklarime se si do të paraqitet në zgjedhje është e parakohshme”, tha Gjinushi. Nanoistët përshëndesin qëndrimin e Ilir MetësDeputetët socialistë, të cilët janë reklamuar si mbështetës të ish-kryetarit Fatos Nano, e përshëndetën lëvizjen e LSI-së për daljen nga koalicioni i PS-së. Këtë veprim ata e motivojnë me injorimin që kreu socialist i kishte bërë koalicionit opozitar menjëherë pas vendosjes së bashkëpunimit me maxhorancën, duke nisur nga reforma në drejtësi dhe tani dhe me reformën zgjedhore. Hamit Kosta u shpreh dje se, përshëndet qëndrimin e LSI-së për këtë çështje, por tha se, “nëse do t’i bashkohet ose jo koalicionit të ri të iniciuar nga Ilir Meta, kjo do të jetë pas diskutimit që ai do zhvillojë me kolegët e tjerë deputetë”. Por edhe deputetë të tjerë socialistë, pjesëtarë të grupit parlamentar, u shprehën në përkrahje të deklaratës së LSI-së. Vetë drejtuesi i Lëvizjes për Politikë Institucionale, Petro Koçi, dy ditë më parë përkrahu qëndrimin e LSI-së dhe i ofroi asaj mbështetje. “Shpresoj që Ilir Meta, i cili natyrisht është më socialist se Rama, t’i qëndrojë këtij pozicionimi të ri, duke kërkuar ndërkohë edhe bashkëpunim me faktorë të tjerë progresistë të së majtës”, tha Koçi