Rama: Dyert tona do jenë të hapura për mikun Ilir Meta
• Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka reaguar menjëherë dje pasdite ndaj vendimit të kryesisë së Lëvizjes Socialiste për Integrim për të dalë nga koalicioni opozitar.Sipas kryetarit socialist, vendi ndodhet në një moment kur i nevojitet një politikë e re dhe lëvizje të tilla, sipas tij, nuk janë në të mirën e njerëzve. “Kjo nuk është koha e ndarjeve të vjetra, por e një bashkimi të ri. Kjo nuk është koha e llogarive të vogla partiake dhe lojërave të vjetra politike, por e ndërtimit të një politike të re të qytetarëve të tradhtuar 17 vjet nga politika e politikanëve”, tha Rama. Sipas kreut socialist, dyert në koalicionin opozitar do të mbeten të hapura për LSI-në. “Mua më vjen sinqerisht keq që miku im Ilir Meta iu kthye një loje të vjetër, që s’ishte as në të mirën dhe s’është as në dëshirën e njerëzve. Uroj me gjithë zemër që ai ta kuptojë se Shqipëria dhe shqiptarët janë të lodhur nga kjo lojë. Sigurisht, që dyert tona janë gjithmonë të hapura për mikun dhe bashkëpunëtorin Ilir Meta”, është shprehur dje Rama, në një reagim ndaj deklaratës së kreut të LSI-së, Ilir Meta, pas mbledhjes së kryesisë së kësaj partie. Sipas kryetarit të PS-së, “vendi ndodhet në një moment kur i nevojitet një politikë e re dhe lëvizje të tilla, nuk janë në të mirën e njerëzve”. Reagimi i Edi Ramës erdhi vetëm pas vendimit të LSI-së për t’u shkëputur nga koalicioni edhe pse partitë përbërëse të tij, disa herë kishin kërkuar mbledhjen e tryezës së opozitës për të unifikuar qëndrimet e tyre për çështje të rëndësishme, siç ishin reforma në drejtësi dhe veçanërisht reforma zgjedhore. Tryeza e koalicionit opozitar ka disa muaj që nuk funksionon dhe kjo ishte dhe arsyeja kryesore e shkëputjes së LSI-së prej tij. Reforma zgjedhore është përqendruar në bashkëpunimin bipartizan PD-PS, të cilat ende janë në pritje të gjetjes së një konsensusi me partitë e tjera parlamentare, përndryshe ato do ta realizojnë vetëm këtë reformë.