Barroso: Mos godisni pavarësinë e gjyqësorit
Letër e liderit të BE-së drejtuar Kryeministrit rumun pas kërcënimeve të marra nga gjykatësit
Kreu i Komisionit Europian, Barroso, i ka dërguar një letër shumë të ashpër Kryeministrit rumun, Victor Poda, duke e nxitur që të ndalojë luftën e brendshme politike që po ashpërsohet shumë në këtë vend dhe duke i lejuar gjykatësit të bëjnë punën e tyre si të pavarur dhe të pakërcënuar.
Jam thellësisht i shqetësuar në lidhje me zhvillimet e fundit me vlerësimin që po i bën Gjykata Kushtetuese referendumit tuaj të fundit, pavarësisht sigurisë që më keni dhënë personalisht në kontaktet që kemi pasur, ka deklaruar Barroso në letrën personale drejtuar Kryeministrit rumun.
Ditët e fundit, komisionerja europiane e drejtësisë dhe një panel me juristë të lartë europianë, u kanë bërë thirrje autoriteteve rumune që të mbrojnë gjykatësit e lartë të vendit, pas deklaratave të disave prej tyre për marrje të kërcënimeve, për shkak të detyrës. Më 31 gusht, gjykata do të vendosë në lidhje me vlefshmërinë e referendumit që u mbajt muajin e kaluar në Rumani dhe që kishte për qëllim largimin e Presidentit të vendit, Basesku, nga detyra për akuzat e abuzimit me pushtetin. Kjo është pjesë e një lufte të ashpër për pushtet, që ka nisur dhe po përshkallëzohet në politikën rumune pas ardhjes së Podës si Kryeministër i vendit. Një pjesë e madhe e votuesve kanë qenë në favor të largimit të Baseskut nga detyra, por pjesëmarrja në votime ka qenë më pak se 50% që kërkohet sipas Kushtetutës për të quajtur të vlefshëm një referendum. Qeveria i bëri thirrje gjykatës që të rillogariste pjesëmarrjen e popullit në votime, duke thënë se në listën e votuesve ishin edhe njerëz të vdekur. Ajo është përpjekur gjithashtu që të organizonte një minicensus, për të cilin gjykata tha se nuk ishte i nevojshëm. Ndërkohë, Kryeministri i vendit, Poda, ka ndryshuar kabinetin e tij qeveritar pas dorëheqjes nga detyra të ministrit të tij të Drejtësisë, që ishte njëherazi edhe zëvendësi i tij në qeveri, pra numri dy. Ministri u largua, duke deklaruar se i ishte bërë shumë presion politik dhe se nuk kishte dëshirë e vullnet më që të merrte pjesë në praktika të paligjshme. Ndërkohë pjesë të bisedës mes ministrit të dorëhequr dhe kolegëve të tjerë të partisë së tij kanë dalë në median rumune dhe kanë shkaktuar shumë reagime nga populli, duke qenë se, sipas tyre, administrata po përpiqet të ndreqë listat e votuesve në mënyrë që të arrihet minimumi i pjesëmarrësve i kërkuar për të quajtur të vlefshëm referendumin. Në letër më pas Barroso shkruante: Është thelbësore tani që qeveria rumune të përgjigjet pa vonesë ndaj kërkesave të Gjykatës Kushtetuese në lidhje me dhënien e listave zgjedhore. Ai shton më pas: Në këtë kontekst, është e një rëndësie shumë të madhe që ti lihet Gjykatës Kushtetuese roli i sqarimit të pozicionit të saj dhe asnjë parti nuk duhet që të bëjë interpretime veç gjykatës.
Zyrtari i BE-së gjithashtu i bëri të ditur Kryeministrit të Rumanisë që të hetonte në lidhje me të gjitha kërcënimet që kanë marrë gjykatësit e Gjykatës Kushtetuese që po merren me shqyrtimin e çështjes. Besoj se ju dhe qeveria juaj në interes të Rumanisë dhe qytetarëve të saj do të merrni vendimet e duhura për të zbatuar të gjitha zotimet që keni marrë.
Ndërkohë, para fundit të vitit për Rumaninë dhe situatën politike dhe të drejtësisë do të hartohet një raport i posaçëm nga Bashkimi Europian para përfundimit të vitit.
Barroso: Mos godisni pavarësinë e gjyqësorit burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip